Shkëmbimi tregtar Maqedoni-Slloveni synohet të arrihet në 500 milionë euro

Në biznes forumin maqedono-slloven të organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë në bashkëpunim me Ambasadën sllovene në Shkup, u theksua se shkëmbimi tregtar midis dy vendeve, i cili në baza vjetore është afër 3 milionë euro, është stabil dhe se qeveritë e të dy vendeve punojnë është që kjo shifër të arrijë në 500 milionë euro, raporton Anadolu Agency (AA).

Në biznes forumin që u mbajt në kuadër të vizitës dyditore të kryeministrit slloven, Miro Cerar, krerët e Odave Ekonomike të Maqedonisë dhe Sllovenisë, Branko Azeski dhe Sonja Shmuc, theksuan se këto dy vende janë të ngjashme me njëra-tjetrën, përkatësisht kanë të njëjtën madhësi të sipërfaqes dhe një histori pothuajse të ngjashme.

Qëllimet strategjike për arritjen e shkëmbimit tregtar në 500 milionë u mbështetën edhe nga kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe nga ai slloven, Miro Cerar, të cilët poashtu ishin të pranishëm në biznes forumin maqedono-slloven.

Kryministri Zaev tha se Maqedonia dhe Sllovenia janë vende miqësore që kanë lidhje të shkëlqyera tradicionale në të gjitha fushat, përfshirë edhe në fushën e ekonomisë, ku sipas tij, ka potencial të madh për t’u përmirësuar edhe më tej.

“Sot edhe kryeministri Cerar, por edhe përfaqësuesit tanë, prezantuan shifrën prej diçka më pak se 300 milionë euro shkëmbim tregtar. Miqësia që e kemi, është e vërtetë se jemi dy vende të vogla, por besoj se ai bashkëpunim mund të jetë shumë më i madh. Çdo vit rritet nga 10 në 15 për qind, përmirësohet edhe importi maqedonas drejt Sllovenisë, por besoj se ekzistojnë potenciale shumë serioze”, deklaroi Zaev.

Zaev u bëri thirrje kompanive sllovene t’i shfrytëzojnë lidhjet tradicionale, që siç tha ai, mund të kontribuojnë në zhvillimin dhe përmirësimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.

Ndërkaq kryeministri Cerar tha se me rëndësi është që miqësia midis Maqedonisë dhe Sllovenisë të ndërtohet çdo ditë përmes marrëdhënieve politike, të biznesit, kulturës, si dhe përmes të gjitha fushave tjera në të cilat këto dy vende bashkëpunojnë.

“Më gëzon fakti që Maqedonia ka zgjedhur rrugën euro-atlantike dhe se dëshiron që pasi të zgjidh çështjen e emrit, për të cilën besoj se është afër zgjidhjes do të drejtohet në kuadrin e integrimeve në Bashkimin Evropian edhe më intensivisht. Ajo Maqedonisë i siguron stabilitet ekonomik afatgjatë. Nëse pyetni çfarë mund të bëj një qeveri për ekonominë, pjesa më e rëndësishme është sigurimi i stabilitetit ekonomik”, deklaroi Cerar, duke e vlerësuar stabilitetin politik si çështje shumë të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor, por edhe për tërë Evropën.

Biznes forumi, ku ministrat e Ekonomisë të të dy vendeve poashtu prezantuan mundësitë për investime dhe bashkëpunim, ka për qëllim përmirësimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP