Bejli: Maqedonia ka mundësi reale që së shpejti të bëhet pjesë e NATO-s

“Ka mundësi reale që Maqedoni së shpejti të bëhet pjesë e NATO-s, për dallim nga e kaluara”, kështu ka porositur ambasadori i SHBA-së në Maqedoni, Xhes Bejli, në tribunën “NATO dhe ti”, të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes, Këshilli Euroatlantik (ATA – Maqedoni) Zyra NATO për Lidhje dhe Ambasada e Kroacisë me rastin e 4 prillit – Ditës së Aleancës, njofton Portalb.mk.

“Çfarë do të thotë anëtarësimi në NATO për Maqedoninë dhe qytetarët e saj? Ajo do të thotë se do të jenë aleatë, dhe jo partnerë, miq, fqinj me vendet tjera anëtare. Sot kur e shënojmë 69 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit Aleanca është aleat që bazohet në respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e së drejtës”, tha Bejli.

Sipas ambasadorit amerikan, niveli i ulët i sundimit të së drejtës, vendin e bën të prekshëm nga korrupsioni, por edhe nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm.

Ai shtoi se hyrja në NATO do të ndihmojë që të tejkalohen ndarjet e brendshme politike. Sipas tij, është e nevojshme që të ketë reforma sistematike të cilat do të zbatohen dhe jo të ngelen vetëm ne letër, gjegjësisht ligjet që miratohen në Kuvend, më tej duhet që të praktikohen.

Në tribunë ka folur edhe ministrja e Mbrojtjes së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, e cila theksoi se anëtarësimi në NATO është e rëndësisë së veçantë, pasi që vendi do të bëhet pjesë e aleatit më të fuqishëm botëror ekonomik që kujdeset për demokracinë dhe është garanci për siguri të vendeve anëtare. Ajo gjithashtu theksoi se në listën e 10-të vendeve me jetë më kualitative në botë, 8-të të parat janë anëtare të NATO-s, transmeton Portalb.mk.

Shekerinska shtoi se hyrja në NATO do të mundësojë zhvillim të papenguar ekonomik, ndërkaq do të jetë garancë për demokratizimin e mëtutjeshëm.

“10-të muajtë e kaluar kemi treguar se indi demokratik në Maqedoni nuk ka humbur. Nëse i ndizni televizorët më nuk do të shihni propagandë. Qeveria nuk ik nga debatet dhe transparenca”, tha Shekerinska.

Me rastin e Ditës së NATO-s, ambasadori i Britanisë së Madhe në Maqedoni, Çarls Garent, në rrjetin social Twitter, ka shkruar se mezi e pret ditën kur do të munden që t’i dëshirojmë Maqedonisë mirëseardhje në Aleancë, me rastin e 4 prillit – Ditës së NATO-s.

Garet: Mezi e presim ditën kur do të mundemi që t’i themi Maqedonisë, mirë se erdhe në NATO

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button