Poezitë antishqiptare, me vonesë deklarohet edhe zv.drejtor i Agjencisë, Gazmend Ristemi: kritikon Izet Zeqirin

Tre ditë pas përhapjes të skandalit me poezitë anti-shqiptare dhe seksiste të financuara nga Agjencia për rini dhe sport, u lajmërua edhe zv.drejtor i Agjencisë, Gazmend Ristemi. Në shkrimin e tij dërguar në Portalb.mk ai ankohet se agjencia nuk ka shqiptarë.
Më tej, ai ka ndjerë përgjegjësi dhe obligim moral që opinionin e gjerë ta njoftojë me rolin, peshën, dhe rëndësinë e kësaj Agjencie. Më në fund ai merret me akuzat e akademikut Izet Zeqiri drejtuar tij.

Lexojeni të plotë shkrimin e tij:

Unë Gazmend Ristemi, zv.drejtor i Agjencisë për rini dhe sport, i ngarkuar në këtë detyrë nga data 03.08.2017 si përfaqësues i RDK-së në ndarjen e drejtorive, shfrytëzoj rastin që ta njoftoj opinionin e gjerë shqiptar, dhe qytetarët e Maqedonisë, me rastin e publikimit të një lajmi, të kualifikuar si skandal në këtë Agjenci.

Së pari, përshëndes të gjithë të interesuarit, po ashtu edhe hulumtuesit e dobësive të ndryshme në institucionet shtetërore dhe agjencitë qeveritare. Më vjen mirë që dikush interesohet dhe merret me zbulimin e dobësive, dhe me kuadrot e partive të ndryshme që përfaqësojnë qeverinë reformatore.

Ndjej obligim moral që opinionin e gjerë ta njoftoj me rolin, peshën, dhe rëndësinë e kësaj Agjencie, me qëllim që lexuesit e nderuar të jenë drejt të informuar për Agjencinë në fjalë, Agjencinë për rini dhe sport, që është në kuadër të qeverisë.

Prej momentit që u emërova si zëvendës drejtor, mundohem të bëj identifikimin e formës dhe mënyrës së funksionimit të kësaj Agjencie, në të gjitha të mirat dhe të këqijat që ia sjell rinisë dhe qytetarëve të Maqedonisë për të cilën është i themeluar. Sa për njohuri të lexuesve, ju informoj se kjo Agjenci ka 54 të punësuar që ndahet në katër sektorë, dhe merret me aktivitete të ndryshme në disa fusha të ndryshme që nënkupton ofrim të shërbimeve në dobi të rinisë. Financimi i Agjencisë bëhet direkt nga fondet e caktuara paraprakisht të qeverisë.

Përfaqësimi nacional në këtë Agjenci nuk është i kënaqshëm, me vet faktin që nga numri i të punësuarve në këtë Agjenci janë vetëm gjashtë shqiptarë, të cilët të gjithë janë bashkëpunëtorë te ri, pa ndonjë pozicion me rëndësi të posteve udhëheqëse. Komisionet janë pastër një-nacionale, pa asnjë përfaqësues shqiptar, dhe kjo është gjendja faktike brenda këtij Agjencie.

Përpjekjet e mia prej fillimit janë tentim që me udhëheqësinë e re, të përfaqësuar nga drejtori i cili është kuadër i LSDM-së, të bëjmë një kontakt më të afërt, më të besueshëm mes veti, për të ndryshuar politikën e vjetër, e cila me siguri nuk ka çarë kokën aq shumë për një përfaqësim të drejtë dhe për një përfshirje për të gjithë rininë e Maqedonisë, pa dallime nacionale, fetare, apo kulturore.

Prandaj përpjekjet e mia janë në drejtim pozitiv, që kam bindjen që me bashkëpunim më të thellë, dhe një kuptim më të madh brenda kësaj Agjencie të ndryshojmë shumë gjëra në interes të rinisë, dhe ky është preokupimi im dhe preokupimi i RDK, që e përfaqësoj në këtë institucion. Andaj, e lus rininë shqiptare të të gjitha qyteteve ku gjenden dhe jetojnë, që me idetë dhe sugjerimet e tyre, të më ndihmojnë, që brenda kësaj Agjencie të jenë të përfaqësuar në mënyrë adekuate, dhe të realizojnë të drejtat e tyre të barabarta.

Brenda këtyre 3 ditëve, pata rastin të lexoj lloj lloj komente, kritika, ofendime, të cilat shkuan aq larg, sa që në paraqitjet e tyre publike u lajmëruan edhe akademik, si Izet Zeqiri, të shprehin mllefin e tyre personal ndaj meje, aq të ulët, që nuk i takon një njeriu, një akademiku, që përpos që nuk ka analizuar ende rolin dhe kontributin e vet për përfaqësimin e shqiptarëve në mënyrë adekuate brenda akademisë së shkencave, dhe të analizon përfaqësimin dhe rolin e shqiptarëve brenda kësaj akademie që ka rënë aq ulët, dhe që nuk është në gjendje të heq nga përdorimi Enciklopedinë e famshme antishqiptare, saqë publikisht në një medium, Alsat, të merret me rolin dhe pozitën time si një zëvendës drejtor brenda Agjencisë.

Besoj që lexuesit e nderuar, do të kuptojnë drejt qëllimin dhe tentimin e një akademiku që s’ka bërë asgjë brenda Akademisë së shkencave, që është truri i shtetit nga pamundësia dhe paaftësia e tij personale për të ndikuar atje ku duhet, ai merret me emrin tim dhe me rolin tim.

Kësaj radhe, do e përfundoj me kaq, me një informim të opinionit për rolin e Agjencisë për rini dhe sport, dhe me një përgjigje të interesuarve për të kërkuar fatin e tyre mbi fatkeqësitë të përfaqësuara nga RDK.

LEXO MË SHUMË:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button