Letër të hapur z. Menduh Thaçi

z. Thaçi, pikë së pari ju përshëndes dhe uroj të jeni mirë në këtë situatë të stërngarkuar që po përjetojmë neve si popull, dhe ju si politikan që keni në dorë çelësin e së ardhmes sonë. E them këtë pasi që ju jeni ata që vendosni për të ardhmen tonë, ju jeni ata që do të na i hapni dyert ose që do të na i betononi ato ashtu siç duhet, krejt kjo varet nga “potezat” që do t’i bëni ditët dhe muajt në vijim, uroj që të mos gaboni si herat tjera.

Unë jam nga Tetova, jam një ish student i Universitetit Shtetëror të Tetovës, drejtimi juridik, kam qenë i regullt në çdo ligjeratë, kam mësuar shumë, dhe tani shumë po shëtis dhe po endem rrugëve, por pak me frikë.  Për shembull, natën, kohëve të fundit nuk dal e sidomos nga ana e maqedonasve, e në Shkup kam kohë pa dalë, sidomos natën kur ka lezet, jo që nuk kam se me çka të shkoj, po nuk edi se si dhe a do të mund të kthehem shëndosh e mirë. Me anë të kësaj letre vendosa t`u drejtohem juve, të qaj pak hall me juve dhe ti nxjerr këto të këqija që i kam në bark.

Situata është “berbat” themi nga Tetova,  situatë e rëndë për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhën në trojet shqiptare, por më duket se epiqendra e këtij sikleti është këtu tek ne në Maqedoni. Unë, familja ime dhe shokët, bashkëmoshatarët e mi dhe shumë fytyra të lodhura që shoh jemi të zhgënjyer deri në palcë me situatat që po përjetojmë, ju garantoj që përveç atyre që i kanë prindërit nëpër funksione të larta shtetërore të tjerët të gjithë e shprehin pakënaqësinë dhe dëshpërimin, flas për gjeneratën time që i takojmë moshës 25 vjeçare.

Mirëpo, ne do të presim që të ndërmerrni masa dhe hapa Ju, ose ne si rini dhe si gjeneratë e re do të organizohemi me protesta për t’ia hapur vetes rrugët dhe të gjitha perspektivat që na i keni hedhur në baltë.

Kemi shpresuar aq shumë unë dhe familja ime saqë dy anëtarë të familjes time desh e flijuan edhe veten në konfliktin e armatosur të 2001, për një jetë më të mirë dhe më të lirë, por jo si kjo që po e jetojmë që me anë të deklaratave politikë të më bindin se unë po jetoj në një shtet “multietnik” ku gati se çdo ditë arrestohet ose vritet ndonjë shqiptarë, po tash është bërë edhe më keq, kanë filluar të na i marrin gratë dhe motrat nga shtëpitë, ndërsa këta “tonit” atje lartë e lavdërojnë kryeministrin, ose nuk e lavdërojnë por e shikojnë me katër sy kur ai ua bën me sy, hiç nuk edi pse, më duket se janë të përlyer me diçka e fshihen pas kryeministrit, Zoti hajrin, për tu çuditur, ende mundohen që të na bindin se punët janë mirë. 

Punët u panë qartë, gjithçka e paskan bërë për pushtet, e gjithë ajo që ndodhi para 11 viteve paska qenë që sot unë dhe çdo shqiptarë të bindemi me anë të deklaratave politike se “çdo gjë është mirë” dhe se në shumë raste duhet të kemi durim. Megjithatë, nuk dua të mendoni Ju por edhe lexuesit që un jam ndonjë simpatizues i partisë tuaj, ajo që më shtyu të ju shkruaj juve është se më është kujtuar një deklaratë e vjetër e juaja ku keni thënë: “Shqiptarët e Maqedonisë këto të drejta që i kanë tash kanë mundur t’i kenë edhe pa luftë”, pra unë tash po e kuptoj se ne nuk paskemi fituar asgjë përpos punësimeve, gjë që është fakt se punësime do të bëheshin gradualisht edhe pa luftë në cilin do sektor qofshin ato punësime.

Nuk dua t’i numëroj të gjitha ato që kemi përjetuar neve si popull që nga viti 2006 e deri më sot, edhe pse situatat e fundit që vijnë nga data “12 Maj 2010”  janë aq shumë të dhimbshme sa që nuk i lanë as “Vardari”. Edhe  ju keni gabuar shumë i nderuar, për shkak të inatit që kishit me z. Ali Ahmeti, duke mos e kontrolluar egon tuaj ju e humbët pushtetin dhe besimin ndaj qytetarëve, na morët në qafë duke na lënë në gojë të shokëve të “Pollatit”! Mirëpo, për një gjë jam i bindur dhe atë shumë fuqishëm, Ju jeni i vetmi që mund të më shpëtoni mua dhe familjen time, popullin tim dhe bashkëmoshatarët e mi, ju mund të na nxirrni nga ky hendek i thellë që kemi hyrë, por me punë jo me deklarata, të paktën tash që Maqedonia nuk e morri ftesën për në NATO të mos rrimë e ti presim këta që po mundohen t’i ngjesin “Gumat e plasura të trenit”, por të ecim para, sinqerisht po ju them, ne duhet të ecim para, para se fëmijët e mij të vijnë në jetë të shohin diçka të mirë, dua të shoh diçka edhe unë, jo si babi im që edhe sa ishte i ri në moshë nuk pa dritë me sy e tash që është plakur nuk e sheh dritën se ia kanë zënë pamjen këta të “mëdhenjt”.

Kur unë isha fëmijë shkoja e luaja me shokë nëpër klubet e mahallës video loja të ashtuquajtura “Flipernica”, dhe çdo herë kur ndodhte që të humb në  lojëra shpresën e fundit e kisha tek “Zhetoni” i fundit, ashtu siç tani shpresën e fundit e kam tek Ju për sa i përket të ardhmes  time që për momentin është e errët dhe nuk edi se kjo rrugë që jam nisur ku do të më përplas,  flas për veten dhe familjen time, shokët e afërm që kam dhe njerzit e lagjes ku jetoj me të cilët më herët nuk i kemi pasur këto mendime për juve z. Thaçi, ju jeni të vetmit që do të mund të bëni diçka për të ardhmen e gjeneratës time, unë besoj se do t’ia dilni, përndryshe nëse inatet nuk i keni haruar do të hyni në histori si tradhtarë! 
Shkruan: Valmir Shabani

Lajme të ngjashme

Back to top button