TA MBROJMË GJUHËN TONË NGA VETVETJA

Sa sakrificat janë bërë për ruajtjen dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe, sa njerëz e kanë shpenzuar tërë jetën për këtë gjuhë, sa e shenjtë është kjo gjuhë sepse është e vetmja që na mban bashkë. Prandaj duhet ta respektojmë, t’i përkulemi shenjtërisë së saj. Në radhë të parë janë të detyruar ta respektojnë politikanët, gazetarët, arsimtarët. Ata duhet ta mbajnë lartë fjalën shqipe si flamur të bukurisë, muzikalitetit orfejan, ndjeshmërisë, rezistencës dhe lashtësisë …

Kur i dëgjojmë ata që në kolltuk janë rehatuar vetëm në saje të gjuhës shqipe, kur i dëgjojmë gazetarë e moderatorë të ndryshëm, kur i dëgjojmë dhe i ndjekim si e shkruajnë dhe si e flasin nëpunësit këtë gjuhë hyjnore, turpërohemi në vend të tyre, sepse i mundojnë fjalët e fjalitë. Na vjen keq, jo për ministrin, për moderatorin a për deputetin, por për gjuhën, për gjuhën shqipe që gjëmon nën trysninë e një sintakse të çoroditur, të një morfologjie e fonetike bastarde dhe të leksikut të huaj të panevojshëm.

Flasin ata dhe nuk çajnë kokë për rasat, për trajtat, nuk mërziten për muzikalitetin. Nuk lodhet kush që ngjyrën e tingujve ta zbusë, ta çlirojë nga frenat e fshatit të lindjes ose të materialeve të kuvendit me leksik e me sintaksë sllave, italiane ose angleze. Rend me retorikën e tyre të rraskapitur fonetika e ligë.

Këto zonja e këta burra në fjalorin e tyre me të cilën mundohen ta arrnojnë retorikën e politikanit shpesh nuk kanë y-ja, nuk kanë rr-ja. Thonë: ilber (për ylber), ill (për yll), pietje (për pyetje). Ka raste kur q-jat e ç-jat, gj-jat dhe xh-jat i bëjnë lëmsh. Për shembull: Çëllimi ishte çë xhërë e xhatë të elaborohet… (për: Qëllimi ishte që gjerë e gjatë të shtjellohet…). Ndonjëherë xhufka bëhet gjufkë, xhami – gjam, folja çaj bëhet qaj, etj. Gjendet, pastaj, ndonjë, deputet që ka dëshirë, madje, të na shitet si fetar i madh( natyrisht për reklamë) e shkon e t’i dyfishon bashkëtingëlloret në fjalët arabe, “hashsha”, pastaj kur dëshiron ta thotë ndonjë fjalë për haxhillëkun, thotë: haxhxh. Pastaj i bëjnë ukubet emrat e përveçëm myslimanë, të cilët në gjuhën shqipe kanë hyrë përmes turqishtes dhe gjuha shqipe i ka futur në botën e vet si huazime turke dhe si të tilla i ka ruajtur. Prandaj duhet të dihet nuk thuhet Abdilaqim, po Abdylhaqim, nuk thuhet Alil, po Halil, jo Ajrije, po Hajrije, jo Asan, po Hasan, jo Isen, po Hysen. Psataj skajimi: jo Saliji, po Saliu ose Salihu, jo Aliji, po Aliu, jo Shehi, po Shehu, jo Namiki, po Namiku etj. Është e udhës të kujdesemi: edhe emrat e huaj shquhen në gjuhën shqipe, sepse edhe ata duhet

t’u nënshtrohen rrugullave të gjuhës sonë. Prandaj nuk thuhet Tramp tha se do të takohet me Rama, por thuhet Trampi tha se do të takohet me Ramën. Thonë: Erdogan foli ashpër kundër Haradinaj në vend se të thuhet ashtu si e kërkojnë rregullat e gjuhës shqipe: Erdogani foli ashpër kundër Haradinajt. Ose nuk thuhet: Xhenet u martua me Donald. Shqip thuhet: Xheneti u martua me Donaldin.

Të gjithë popujt e Evropës ruhen si prej gjarprit nga leksiku i huaj i panevojshëm, kurse te ne ka: underground (pse ndjehen mirë në semantikën e kësaj fjale), bord (pse ua përkujton atë fjalën që i ka këta tinguj dhe përfundon me el) etj., etj. Pastaj përdorimi i përemrave kush dhe cili… Sa keq kur thonë kush gur, kush njeri, kush ujk.

Mirë e ka vënë re një dukuri Daut Dauti, i cili shkruan:

“Kush janë shkaqet? Kush janë shtetet? Kush janë kafshët? Kush janë faktorët?…. Kështu flasin e shkruajnë Blendi, Dudushi e gjithë moderatorët e gazetarët shqiptarë, Rama, Meta, Luli dhe gjithë politikanët e Shqipërisë. Për fat të mire, jo dhe të Kosovës dhe Maqedonisë, sepse këtu ende nuk ka depërtuar KJO SHMANGIE E PALOGJIKSHME nga rregullat e gjuhës shqipe. Sepse: KUSH përdoret kryesisht për njerëz: Kush është kryetar, Kush punon? Kush flet, Kush është Ai?…

Nuk e di, është kaq e thjeshtë të dallosh se në vend të KUSH, duhet të përdoret CILA(AT,ËT…): CILAT janë shkaqet, cilat janë shtetet, cilat janë kafshët e egra, cilët faktorë shkaktojnë ngrohjen globale, cilat janë parakushtet e një zhvillimi”… etj.

Numërori tri që përdoret për gjininë femërore “është vrarë”. Askush nuk thotë më: tri vajza, tri gra, tri lule, tri dritare, por tre gra, tre vajza, tre lule. Gjuha shqipe ka gjini, nuk është turqishte. Numërori tre përdoret për gjininë mashkullore: tre burra, tre djem.

Po ashtu nuk respektohet as përemri vetor, veta e tretë shumës. Të gjithë thonë: ato burra, ato djem. Mos harroni burra: përemri ato është i gjinisë femërore. Gjinia mashkullore e ka përemrin ata. As ambigjinia, pra ata emra të gjinisë mashkullore që në shumë kalojnë në gjinënë femërore, si për shembull. Ky mal – këto male, ai livadha, ato livadhe. Shpesh thuhet këta male, këta livadhe…

Dhe, në fund mos ta harrojmë theksin dhe muzikalitetin. Duhet ta dimë se rregullave të gjuhës shqipe u nënshtrohen edhe emrat e huaj, qofshin ata emra të përveçëm apo të

përgjithshëm. Nuk thuhet Klíntoni, por Klintóni. Kur i dëgjon debatikët e Tiranës, gazetarë e politikanë kur debatojnë me këtë theks të çoroditur, thua se flasin italisht ose maqedonisht.

Nuk i shpëton dot qortimi as ajo që ndodh në Shkodër ku nuk mërziten për interesin e gjithmbarshëm kombëtar për një gjuhë të pëprbashkët komunikimi, e veçmas në Kosovë, ku duan ta shpikin “gjuhën kosovare”. Mos të harrojnë se “shpikja” e tyre e “kosovarishtes” do të kërkojë edhe një shpikje tjetër që do të ishte “kosovskometohiski jezik”, e cila do të krijonte plot e përplot telashe e do t’u hapte mundësi qeveriatrëve të Beogradit për dallavere të shumta.

Ku janë institutet, ku janë akademitë, ku janë universitetet, ku janë shtetet të cilat duhet ta mbrojnë këtë trashëgimi që na e kanë lënë të parët?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button