IMORALITETI “AKADEMIK”

I zhubritur në fjalë

i habitur për lumturi

i lirë në vetmi

i harxhuar në nder

eh mor, shpuzë-njeri

(perifrazim, nga Maide Bardhi)

“O profi, miku, i shumërespektuari, një Fjalor (të sociologjisë) të lutem, më duhet se pa të s’bëj me studentët, kuptohet, me firmën tuaj!” Kështu më drejtohej një nga shkollarët tanë që shet dije e kulturë elitare, që mban ligjërata -më bashkëkohorçe – leksione, që bën shkencë, që interpreton e transferon kulturë dhe  moral, që tregton qytetërim, modernitet, frymë të shekullit XXI. Natyrisht dhurimi, falja e librave është kod jetik i yni, i erdhi radha që në një event specifik të kemi një takim special. Një ditë para, hoqa fjalorin nga biblioteka personale, mendova fjalinë e shkurtër dhe e nënshkrova: “…….., kolegut, bashkëudhëtarit të dijes, me shumë respekt, nga autori.” Kjo ishte e tëra, shtërnguam duart, u falënderua, “me nder qofsh”,  ia ktheva. U ndamë. Një ritual rutinë, si qindra libra të falur me zemër e qejf, as më pak e as më shumë.

Shikur nga prizmi i sociologjisë, një nga bazamentet e qeniesimit të kulturave është vazhdimësia e shkëmbimit të gjërave që shtyt ndërveprimin social. Pjesë e shkëmbimit, përtej atij ekonomik, një element i ndërveprimit të njerëzve, është edhe dhurata që përkufizohet si “një gjë e falur dikujt për ta gëzuar, lumturuar, respektuar, uruar tjetrin”. Tradita e dhuratës, që nënkupton dhënien e diçkaje pa pritur një kundërvlerë, me forma dhe përmbajtje të ndryshme, ekziston në të gjitha kulturat, është fenomen universal, gjithëbotëror që përcjell kuptim dhe ndjenja. Bhannan ve Glazer (1988) pohojnë se dhurata në shoqëritë parake nuk është dëshirë, është pjesë e tërësisë së detyrimeve sociale. Të japësh dhe të marrësh një dhuratë përfaqëson domosdoshmërinë e ngulitur në strukturën sociale; shkëmbimi nxit afrimin mes njerëzve, solidaritetin social. Dhurata është metodë për t’i kënaqur njerëzit që i çmojmë, për t’i treguar ndjenjat tona ndaj tyre, për t’i mbajtur marrdhënëniet ndërnjerëzore të gjalla, dinamike dhe me ndikim. Është një mjet komunikimi, me efekt, funksional. Si shenjë e dashurisë, respektit, afërsisë dhe miqësisë, nënkupton një gjë që në bazë të bontonit ia japim tjetrit pa pritur të na e kthejë, pra gjë e kaluar tjetrit pa kurrfarë interesi, gratis. Ajo i forcon lidhjet sociale, tolerancën, e integron shoqërinë. Sipas Clarke (2007: 9), veprimi i marrjes dhe dhënies së dhuratës te njeriu ngjall ndikim mendor dhe emocional, është reagim motorik që siguron shpërfaqjen e përjetimeve nga bota e brendshme e njeriut. Aq peshë ka dhurata saqë, sipas M. Maussit (1995), në disa kultura refuzimi i pranimit të dhuratës nënkupton shpalljen e luftës.

Edhe kultura jonë shqiptare e njeh dhe e afirmon dhuratën. Çohen dhurata kur gërryhen themelet e shtëpisë së re, pas daljes shtëpi a banesë të re, në dasëm, në rastet e lindjes së fëmijës, në ditëlindje, për 8 mars, për kryerje të shkollës, diplomim, arritje të gradës së caktuar shkencore, me rastin e pensionimit. Jepen dhurata a vakte ushqimi me rastin e blerjes së veturës, pasi të merret paga e parë, ndonjëherë edhe në rrogat e tjera. Fëmijët më së shumti iu gëzohen dhuratave të festave, të bajramit. Diplomacia i njeh dhuratat përgjatë gjithë historisë së shtetit: karrocë, luan, elefant, deve, gurë të çmuar, pjata, parfumë, libra, lapsa. Shtetet i dhurojnë gjëra njëri-tjetrit për qëllime të ndryshme, humanitare, strategjike: makina, vetura, ndërtojnë spitale, shtëpi jetimësh, bëjnë donacione në ura, rrugë, kanalizime, shkolla etj. Nisen dhurata për njerëzit në kurbet dhe e kundërta, prej kurbetqarëve për familjarët, miqtë etj. Gjyshet tona e kanë pasur zakon që të jepnin atë që kishin, një palë çorapë, një shami, një kulaç të nxehtë, një grusht arra, një kavanoz reçeli, një pako llokumi, ç’ju gjendej pranë. Mbaj mend si sot që kur dikush nisej të shkonte jashtë, familjarëve apo miqve, u nisnin një pako cigaresh, kur s’kishim diç tjetër, një cigare të vetme me përkushtimin “prej filanit me gjithë zemër”. Personalisht kurrë s’e harroj sixhadenë e ditëve studentore të falur nga plaku i shpërngulur në Stamboll me prejardhje nga Çegrani (familja Pehlivan) që shpesh na dilte në ndihmë në punët e hidraulikës shtëpiake, pinte çaj dhe ‘kënaqej shqip’ në banesën tonë modeste . Kaluan mbi 20 vite, “hedija” u vjetërua tepër, e humbi ngjyrën, i dolën penjtë, megjithatë s’arrija ta bind as veten as bashkëshorten që ta hidhnim. Kujtim, i shoqëruar me lotët e tij për vendlindjen, pishmallëkun që kishte ardhur në vend të huaj, nostalgjinë e shprehur me fjalë që s’i nxënë shkronjat, fjalët, librat.

Dhe një nga ditët e fundit të marsit mësova se protagonisti i fillimit të kësaj kolumne, fjalorin dhuratë (833 faqe), të falur me përkushtim, me ndjesi, ia paska shitur një studenteje për 50 njësi monetare te BE-së. I pezmatuar jashtëzakonisht, i trazuar nga ky akt antietik, jonjerëzor, antiakademik, mendoja a duhet shkruar për këtë individ ‘anonim’ për opinionin lexues që ka thyer një normë kulturore globale. Dhurata nuk dhurohet siç e dimë, e lëre më të shitet.  Edhe më keq, një kërkuesi të dijes që është në pozitë inferiore, me buxhet studentor. T’ia kishte falur, do i kisha duartrokitur. Ndihmon brezin e ri të dijekërkuesve, ia shtrin dorën pasardhësit tonë. Por të bësh ekonomi me librin që nuk është vetëm libër por edhe respekt e shumë më tepër, është tradhti si ndaj autorit, ashtu edhe ndaj vokacionit të mësimdhënësit. Ku mbeten fjalët rol-model, shembëlltyrë, pishtar. Së paku me gërshërë ta kishte prerë faqen e përkushtimit (nënshkrimit). Përderisa njerëz të këtillë të kemi nëpër katedra s’ka bereqet as një 3 as nga 5 as nga njëmijë universitete shqiptare. Profeti Muhamed ka një fjalë që përkon me këtë rast: “Nëse nuk ke turp, vepro si të duash!” Autorja e poezisë së cituar në fillim, veprën e vet të vitit 2000 e kishte pagëzuar Phuu!, ku gjejmë edhe tituj si “Mashtrim i gëzuar”, “Ngulfatja e nderit”, “Delirium I, II, III”. E zotëri Panxhar Sheqeri, ‘dhaskall’ Perçe Kollomoqi, një gjë ta dish: Njeriu i kamur që shet dhuratën është i pacipë, mishërim i antietikës, maskarai vetë. Pikë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button