“Ekstradimi i turqve mund të ketë pasoja për Kosovën”

Mes synimeve për të forcuar lidhjet me Bashkimin Europian, Kosova detyrohet tashmë të hetojë ekstradimin e 6 të dyshuarve si “gylenistë” drejt Turqisë, operacion ky që mund të sjellë pasoja për vendin, transmeton Top Channel. 

Kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj urdhëroi një ditë më parë hetimin e ngjarjes, që trazoi vendin gjatë ditëve të fundit, operacion që është urdhëruar pa dijeninë e tij, siç shprehet vet.

Ankaraja zyrtare pretendon se 6 të dyshuarit janë anëtarë të lëvizjes së klerikut turk që jeton në SHBA, Fethullah Gulen, dikur aleat i ngushtë i Erdoganit, sot armiku i betuar i tij që akuzohet për përpjekjen e dështuar për grusht shteti korrikun e vitit 2016.

Por, presidenti turk reagoi në mënyrë të çuditshme të shtunën, kur shprehu “pikëllimin” e tij me veprimet e Haradinajt për shkarkimin e ministrit të Brendshëm dhe shefit të shërbimeve sekrete, për arrestimin dhe deportimin e 6 shtetasve turq, pa lejen e tij.

Erdogani tha se Haradinaj do të paguajë për veprimet e tij, teksa i drejtoi pyetjen: Që kur keni filluar të mbroni ata që punuan për të bërë një grusht shteti kundër Republikës së Turqisë?

Agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi, “Anadolu Agency” i përshkroi burrat si persona të lartë në lëvizjen “Gulen”, lëvizje e konsideruar si organizatë terroriste prej Turqisë.

Florian Bieber, ekspert i Ballkanit në Universitetin e Grazit në Austri, i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se incidenti mund të ishte i dëmshëm për Kosovën, një vend që po përpiqet të ndërtojë lidhje më të ngushta me Bashkimin Europian.

“Sigurisht që do të dëmtojë Kosovën, si për të hedhur dyshime mbi sundimin e ligjit dhe autoritetin politik, edhe për bashkëpunimin me një regjim që është autoritar dhe gjithnjë e më antagonist ndaj BE-së”, tha Bieber për “Reuters”-in.

Ndaj arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq ka reaguar edhe organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Human Right Watch” (HRW). “Përveç arrestimeve të diskutueshme, ata u dërguan në një vend ku përballen me rrezikun serioz të torturës”, tha “HRW” në një deklaratë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button