Jahjaga e Thaçi ngushëllojnë për tragjedinë te Himara

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka ngushëlluar Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, pas aksidentit të rëndë të trafikut që ndodhi në aksin rrugor Sarandë-Himarë, në të cilin humbën jetën dhe u plagosën një numër studentesh të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.

Në telegramin e ngushëllimit të Presidentes Jahjaga, thuhet:
Me dhimbje të thellë morëm lajmin mbi vdekjen tragjike, si dhe plagosjen e studenteve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani’ të Elbasanit, në aksidentin e trafikut që ndodhi në aksin rrugor Sarandë – Himarë. Pranoni ngushëllimet e sinqerta të qytetarëve, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të miat personalisht, për humbjen tragjike të jetëve të studenteve Në këto çaste të rënda për familjarët e viktimave dhe për tërë Republikën e Shqipërisë jemi pranë jush për të ndarë dhimbjen e madhe për këtë tragjedi. Zotëri president, ju shpreh solidaritetin e qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ju ofrojmë përkrahjen e plotë.

Ndërkohë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ngushëllon kryeministrin shqiptar Sali Berisha dhe familjarët e të aksidentuarve në tragjedinë e Himarës.

Në telegramin e ngushëllimit shkruan:
“Lajmi për tragjedinë e rrokullisjes së autobusit me student, afër Himarës, ku humbën jetën 12 prej tyre, na tronditi të gjithëve. Vrulli i rinisë studentore, që po bëhej gati të bashkohej në përpjekjet për të zhvilluar vendin e tyre, u ndërpre nga një shmangie tragjike nga rruga e autobusit me të cilin po udhëtonin ata. Më lejoni që në këtë moment pikëllimi dhe dhimbjeje, të ju shpreh Juve, Qeverisë  së Shqipërisë dhe gjithë familjeve të studentëve që humbën  jetën në këtë tragjedi, ngushëllimet e mija të sinqerta. Populli i Kosovës dhe qeveria e tij, ndiejnë dhembje dhe dëshirojnë të jenë pranë jush dhe familjeve që humbën më të dashurit e tyre në këtë tragjedi. Kjo dhimbje duhet të na forcojë kujtimin për ata që humbën jetën, dhe për idealet e tyre për lirinë dhe perspektivën për një  jetë më të mirë.” 

Lajme të ngjashme

Back to top button