Aksidenti, Topi: I gjithë shteti në këmbë

Presidenti i Republikes Bamir Topi vizitoi Spitalin Ushtarak, ku tashme kanë mbërritur disa prej të plagosurve nga tragjedia e rëndë që ndodhi pasditen e së hënës në Qafën e Vishës. 

Topi shprehu ngushellimet për familjarët e viktimave, ndërkohe që u uroi shërim të shpejtë të lënduarve. “I gjithë shteti është në këmbë, të gjithë strukturat po përpiqen në maksimum për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve”, tha Topi. 

Më vonë në Spital ishte edhe kryetari socialist Edi Rama, i cili dhuroi gjak në ndihmë të të plagosurve dhe bëri thirrje që të gjithë të shkojnë të bëjnë të njëjtën gjë pasi ndihma e tyre sot është jetike. Më herët përmes një komunikate për shtyp, Rama shprehu hidhërimin e tij për jetët e humbura. 

Gjithashtu, përmes mesazhit, Rama ka njoftuar se ka vënë në lëvizje bashkitë socialiste në jug të vendit për të ndihmuar në lehtësimin e situatës. 

“Një tragjedi e tmerrshme ka mbajtur pezull frymën e mbarë kombit. Janë orë solidariteti e përpjekjesh për të shpëtuar çdo jetë njerëzore të përfshirë në këtë aksident tragjik. Jam i bindur se personeli i Spitalit Ushtarak do të bëjë çdo gjë që është e mundur për të shpëtuar jetën e atyre që mund të shpëtohen. Bashkitë socialiste të Himarës, Orikumit dhe Vlorës të bëjnë të pamundurën për të ndihmuar”, thuhet në mesazhin e zotit Rama.  

Kryeministri Berisha shpreh ngushëllimet

Ndërkohë, nga Samiti i NATO-s në Chicago kryeministri Berisha shprehu ngushëllimin e tij për familjarët dhe të afërmit e viktimave dhe apeloi për të bërë të pamundurën që të shpëtohet jeta e të plagosurve. 

“Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Samitin e NATO-s në Çikago, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përgjegjëse në Tiranë, për operacionin e ndihmës emergjente ndaj të aksidentuarve, për të cilët po kërkon të bëhet çdo gjë, për të shpëtuar jetën e tyre”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë. 

Në të thuhet gjithashtu se, kryeministri shpreh dhimbjen dhe pikëllimin e tij më të thellë për viktimat dhe u shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave. 

Topi: Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve

Edhe presidenti i Republikës, Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të studentëve të Universitetit Aleksandër Xhuvani në Elbasan, që humbën jetën si pasojë e një aksidenti tragjik. 

Zoti Topi shpreh trishtimin e tij për këtë aksident fatkeq, i cili mori përmasa fatale duke shkaktuar këtë tragjedi të madhe. 

Ngushëllime familjarëve për humbjen e të afërmve të tyre, ka dërguar edhe Fryma e Re Demokratike. Fryma e Re Demokratike, thuhet në mesazh, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, që humbën jetën si pasojë e aksidentit rrugor pranë Urës së Vishës në Himarë. Njëkohësisht, FRD u uron shërim sa më të shpejtë studentëve të plagosur. /Topchannel

Lajme të ngjashme

Back to top button