Kundër Juves, Gattuso: Na duhet ndeshja perfekte

Milani do të udhëtojë në Torino, ku të shtunën në mbrëmje do të përballet me Juventusin në ‘Allianza Stadium’, me synimin për t’i dhënë vazhdimësi rezultateve dhe për të qëndruar në valle për një vend në zonën Champions, transmeton Top Channel. 

Trajneri i kuqezinjve, Genaro Gattuso e pranon se ndaj bardhezinjve do të jetë një sfidë e vështirë, por thekson se nëse luhet ndeshja perfekte, Milani mund të dalë ballëlartë nga kjo transfertë.

Sa e vështirë është kjo transfertë? A besoni në një rezultat pozitiv?
Ndaj Juventusit do të jetë një sfidë jashtëzakonisht e vështirë, pasi ata janë një skuadër e konsoliduar dhe mjaft e fortë. Prej vitesh është kampione në Serinë A dhe jo më kot ndodh kjo. Gjithsesi, ne e dimë mirë se mund t’ia dalim në Torino, por për të marrë pikë, duhet të luajmë ndeshjen perfekte.

Andre Silva ku ka vënë në pozita të vështira në takimet e fundit…
Jo vetëm ai, por edhe Cutrone e Kaliniç, janë duke dhënë maksimumin dhe meritojnë të luajnë në formacion. Gjithsesi më pëlqen më shumë të zgjedh mes, sesa të më mungojnë alternativat.

Për këtë takim rikthehet Romagnoli dhe Calabria…
Është shumë i rëndësishëm rikthimi i tyre. Natyrisht që gabimet nuk janë asnjëherë individuale, por është shumë e rëndësishme kur luan me futbollistë të rolit, ndonëse vlerësoj edhe gatishmërinë e Borinit për të mbuluar pozicionin e mbrojtësit të krahut.

Cilin lojtar do të donit t’i hiqnit Juventusit?
Do të doja t’i hiqja kolektivin. Kanë një grup të jashtëzakonshëm dhe marrin shumë pak gola. Luajnë në bllok dhe të gjithë futbollistët i kanë cilësorë.

A ju favorizon fakti që Juventusi do të përballet me Realin në mesjavë dhe mund të rezervohet ndaj jush?
Nuk besoj se ndikon kjo, pasi Juventusi ka lojtarë të shumtë dhe mund të përballojë edhe ndeshje me këtë intensitet. Për më tepër, deri te ndeshja me Realin, Allegri do të ketë kohë të rikuperojë lojtarët e tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button