Në UT u mbajt Konferenca IV e Asociacionit të Universiteteve Ballkanike

Universiteti i Tetovës e organizoi Konferencën IV shkencore të Asociacionit të Universiteteve Ballkanike. Tema boshte që trajton kjo konferencë këtë vit është  “Bashkëpunimi midis universiteteve dhe bashkëjetesa kulturore – një premisë për një platformë të qëndrueshme në të gjithë Ballkanin”. Këtë konferencë, në të cilën marrin pjesë rektorë dhe studiues të shumtë shkencorë nga të gjitha Universitetet e Ballkanit, e shpalli të hapur zyrtarisht Rektori i Universitetit të Tetovës, njëherit edhe President i Asociacionit të Universiteteve Ballkanike, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili tha se me aktivitetet e këtij niveli akademik, shkencor dhe kulturor, ne e konkretizojmë bashkëpunimin e suksesshëm, që kemi ndërtuar me institucione të arsimit të lartë, me institucionet publike dhe private, me organizatat joqeveritare, si dhe bashkëpunimin e ndërsjellë me shumë universitete nga vendi, rajoni dhe bota, por edhe me studiues e njohës të dëshmuar të çështjeve arsimore, shkencore e kulturore nga vendi ynë, rajoni dhe arena ndërkombëtare, njoftojnë nga pres shërbimi i Universitetit të Tetovës.

“Studimet serioze, hulumtimet shkencore në Universitetin e Tetovës janë kryefjala e veprimtarisë së institucionit tonë, pjesë e rëndësishme dhe e pandashme nga aktiviteti akademik. Me qëllim të përmbushjes së nevojës për kërkime të mirëfillta, Universiteti ynë tashmë, përmes njësive akademike, përkatësisht fakulteteve, organizon aktivitete shkencore dhe kjo e pasuron dukshëm veprimtarinë e përgjithshme të arsimit të lartë. Sot, universitetet me angazhimet dhe iniciativat e tyre, gjithmonë bëjnë përpjekje dhe hapa konkretë për t’i realizuar objektivat institucionale, për edukim dhe arsimim, duke vënë në lëvizje kapacitetet kadrovike dhe për të bërë reforma në përputhje me kohën dhe realitetin bashkëkohor. Temat, debatet, opinionet e ndryshme për  problematika të ngjashme si diskutimi i sotëm dhe shpalosja e tyre para studentëve dhe komunitetit akademik, besoj se kontribuojnë në forcimin e mendimit dhe pikëpamjeve për afirmimin e bashkëjetesës kulturore në këto hapësira” – tha Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Ai po ashtu para auditorit, ku përveç studiuesve shkencorë, të pranishëm ishin edhe mbi 40 rektorë të Universiteteve Ballkanike shtoi se universitetet, studimet e tyre duhet t’i orientojnë në hulumtime të mirëfillta të kulturës së popujve të Ballkanit, që nuk duhet parë vetëm në këndvështrimin e ndikimeve të zakonshme gjuhësore, kulturore dhe letrare që kanë pasur kulturat e ndryshme në rajon, por rëndësi të veçantë duhet t’i kushtojmë studimit të mirëfilltë shkencor të vlerave të këtij qytetërimi dhe kontributit që kanë ofruar këto kultura për gjithë historinë e njerëzimit ndër shekuj.

Hapjen e punimeve të kësaj konference ndëruniversitare ballkanike ishte edhe Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi. Ai para studiuesve shkencorë u shpreh se universitetet janë djepi i dijenisë, djepi i ardhmërisë dhe janë institucionet, në të cilat determinohet vizioni për të ardhmen.

Në emër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, punimet e konferencës i përshëndeti zëvendësministri i këtij dikasteri, Arbër Ademi. Sipas tij, prania e madhe e mysafirëve të huaj në këtë  konferencë jep përshtypjen se ne të gjithë mendojmë dhe besojmë në fuqinë e dijes si një nga shtyllat themelore të zhvillimit shoqëror dhe rajonal dhe në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për popujt e këtyre vendeve.

Në hapjen zyrtare të kësaj konference pikëpamjet e tyre lidhur me  temën e konferencës dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes Universiteteve Ballkanike, i shfaqën edhe Rektori i Universitetit të Trakisë Prof. Dr. Erhan Tabakoglu dhe Prof. Dr. Ivan Ilchev – nga Universiteti i Sofias “St.Kliment Ohridski”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button