Gostivar, Investime të shumta në infrastrukturë

Programi investues në infrastrukturë i paraparë për realizim gjatë këtij viti fiskal nga ana e Komunës së Gostivarit, aktualisht është fokusuar në pjesën qendrore të qytetit të Gostivarit.

Ndërmarrjet e kontraktuara si fituese të tenderëve të shpallura nga drejtuesit e Komunës së Gostivarit, vazhdojnë punimet e parapara në bulevardin kryesor të qytetit, rrugën për rreth lumit Vardar, lagjen e Romëve, rrugën e Tregut të madh dhe në lagjen Zona VII. 

Në Bulevardin “Vëllezërit Gjinoski” paralelisht është duke u bërë zgjerimi i rrugëve si dhe ndërtimi i trotuareve te reja në të dyja anët e bulevardit. Me përfundimin e tyre, do të bëhet edhe asfaltimi i ri i të dyja anëve të rrugëve, rregullimi hortikulturor i shtegut ndarës duke përfshirë edhe mbjelljen e drunjve të rinj për gjatë bulevardit si dhe instalimin e ri të ndriçimit publik.

Pakoja e investimeve në Bulevardin “Vëllezërit Gjinoski”, komunës do t’i kushtojë rreth 150 mijë euro, bëri me dije kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani.

“Projeksionet tona fillestare parashikonin një investim prej 5 milion denarësh në zgjerimin e dy drejtimeve të bulevardit si dhe ndërtimin e trotuareve të reja. Duke pasur parasysh vjetërsinë e asfaltit, vendosëm që të bëhet edhe riasfaltimi i kësaj pjese të bulevardit. Po ashtu, do të kemi edhe instalim të ri të ndriçimit publik me led dioda që do të ketë kosto më të lirë harxhimi dhe mirëmbajtjeje dhe në anën tjetër efekt më të madh ndriçues. Po ashtu rëndësi do t’i kushtohet edhe aspektit ekologjik duke mbjellë kështu drunj të rinj përgjatë gjithë bulevardit. Zgjerimi i rrugëve synon shtimin e hapësirave për parkim legal në të dyja drejtimet. Me punimet shtesë, investimi do të kap një vlerë prej 9 milion denarësh apo rreth 150 mijë euro”, potencoi mes tjerash Osmani./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button