Egjipt, rezultatet jozyrtare shpallin Sisin fitues të zgjedhjeve

Abdelfatah el-Sisi ka dalë fitues sipas rezultateve jozyrtare në zgjedhjet presidenciale në Egjipt, të cilat u bojkotuan nga opozitarët dhe në të cilat kandidatët potencialë ishin mënjanuar para procesit zgjedhor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një lajmi të gazetës El-Ahram, 23 milionë qytetarë të Egjiptit kanë marrë pjesë në votim, ndërsa Sisi ka fituar një mandat të dytë duke siguruar 92 për qind të votave.

Ndërkaq, Musa Mustafa Musa, i cili është cilësuar si kandidat i parëndësishëm të cilin struktura egjiptiane në pushtet e ka instaluar për të krijuar përshtypjen e garës në procesin zgjedhor, ka marrë vetëm tre për qind të votave.

Në zgjedhjet që filluan më 26 mars dhe përfunduan dje, elektorati egjiptian votoi në 13.687 qendra zgjedhore, ndërsa të angazhuar ishin 103 mijë nëpunës.

Pjesëmarrja në zgjedhje ka rezultuar më e vogël se pritjet, për shkak të bojkotimit të tyre nga ana e thuajse të gjitha partive dhe grupeve opozitare në vend, me në krye Vëllazërinë Muslimane (Ihvan).

Zgjedhjet në diasporë u zhvilluan më 16, 17 dhe 18 mars.

Rezultatet zyrtare pritet të shpallen më 2 prill.

Kandidatët e mënjanuar

Ahmet Shefik, kryeministri i fundit i periudhës së Mubarakut, në nëntor të vitit 2017 kishte shpallur synimin për të kandiduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ishte duke jetuar. Megjithatë, ai ndryshoi mendje pas kthimit në Egjipt. Opozitarët kanë pretenduar se ndaj tij është ushtruar presion.

Ndërkaq, ish-shefi i shtatmadhorisë Sami Anan u arrestua tri ditë pasi deklaroi se do të kandidonte në zgjedhje.

Me arrest para zgjedhjeve u përball edhe Hisham Xhinia, ish-kreu i Zyrës së Auditimit, i cili ishte nga ekipi i Ananit dhe kishte deklaruar se mund të garonte në vend të tij.

Kandidati liberal Halid Ali, nga ana tjetër, hoqi dorë nga kandidatura pas arrestimit të Ananit.

Po ashtu, Abdulmunim Ebul Futuh, kryetar i Partisë së Egjiptit të Fortë, kandidat në zgjedhjet presidencial te vitit 2012, u arrestua pas ardhjes në Egjipt për shkak të një deklarate në Londër, ndërsa emri i tij u shtua në listën e terrorizmit para zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button