Kocijancic: Presim vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

Maja Koncijancic, zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton ka thënë të hënën në Bruksel se presin vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, duke aluduar kështu vazhdimin e bisedimeve edhe pas zgjedhjes së Tomislav Nikolicit, president i Serbisë.

Duke folur për dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, që ishte lansuar në mars të vitit të kaluar, Kocijancic tha “Mendoj se dialogu (Prishtinë-Beograd) gëzon mbështetjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare, ka mbështetjen e plotë të Këshillit Evropian dhe është futur formalisht në procesin e integrimit evropian të Serbisë. Andaj, presim vazhdimin e dialogut”, tha ajo.

Siç njofton Rel, Bashkimi Evropian vlerësoi se me fitoren e kreut të Partisë Përparimtare Serbe, Tomislav Nikolic, në zgjedhjet për president të Serbisë është fituar “një mandat i fuqishëm për vazhdimin e politikave të integrimit evropian”.

Kocijancic u shpreh se BE-ja inkurajon Nikolicin dhe ekzekutivin e ardhshëm në Beograd të vazhdojnë punën në procesin integrues të vendit për në Bashkimin Evropian.

“Serbia ka hyrë në këto zgjedhje vetëm disa javë pasi mori statusin e vendit kandidat (për anëtarësim në BE). Presidenti i ri dhe qeveria që duhet të formohet kanë marrë një mandat të fuqishëm për të vazhduar zbatimin e politikave për integrim evropian dhe për të lëvizur shpejt në hapat e mëtejmë, veçanërisht, në drejtim të nisjes së negociatave për anëtarësim sapo të jenë plotësuar kushtet”, u shpreh ajo.

Fitorja e Nikolicit në zgjedhjet presidenciale serbe, në Prishtinë, u vlerësua të jetë e parëndësishme për procesin integrues të Kosovës në BE. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button