PDSH kërkon shpërbërje të Parlamentit dhe zgjedhje të reja

Partia Demokratike Shqiptare ka këkruar sot thirrjen e një seance urgjente të Parlamentit lidhur me mosmarrjen e ftesës për anëtarësim në NATO në Samitin e Çikagos. Sipas sekretarit të përgjithshëm Imer Aliu, kjo seancë do të rezultonte me shpërbërje e Parlamentit  dhe zgjedhje të parakohshme, si e vetmja zgjidhje për dalje nga kjo situatë e krijuar.

PDSH është distancuar nga fjalori i përdorur nga kryeministri Nikolla Gruevski kundër NATO-s, vendeve anëtare të Aleancës-s,  si dhe vendeve fqinjë, fjalor që sipas kësaj partie, nuk përkon me kërkesën, pritjet dhe ëndrrën e shqiptarëve për integrim në NATO dhe BE. Aliu kërkoi prononcim për këtë deklaratë edhe nga partneri i koalicionit BDI.

‘Të njëjtën gjë kërkojmë edhe nga BDI, të prononcohen pas mosmarrjes së ftesës për anëtarësim në NATO në samitin e Çikagos dhe deklarimeve publike të kryeministrit të tyre, Nikolla Gruevski, kundër NATO-s se a janë me Gruevskin apo janë me NATO-n dhe shqiptarët’, tha koordinatori i grupit parlamentar të PDSH-së, Imer Aliu. 

PDSH kërkon dorëheqje urgjente nga zëvendëskryeministrja Teuta Arifi dhe ministri i Mbrojtjes Fatmir Besimi, si, siç thonë, eksponent kryesor të dështimit dhe mashtrimit që u është bërë shqiptarëve gjatë këtyre viteve.

 ‘Kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare të ndikojnë që urgjentisht të hapet dialogu politik në mes të katër forcave më të mëdha politike në vend, kërkojmë që të thirret seancë urgjente e Parlamentit lidhur me mosmarjen e ftesës për anëtarësim në NATO në Samitin e Çikagos, seancë kjo që do të rezultonte me shpërbërje të Parlamentit dhe zgjedhje të parakohshme si e vetmja zgjidhje për dalje nga kjo situatë e krijuar’, tha Aliu.

BDI ka thirrur pres konferencë në orën 14.30 minuta, dhe presim edhe prononcim të partisë shqiptare në pushtet lidhur me deklaratën e Gruevskit dhe kërkesën e PDSH, për shpërbërjen e Parlamentit. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button