Ish-spiuni rus dhe vajza e tij u sulmuan në pragun e derës së shtëpisë

Sipas hetuesve të rastit, ish-spiuni rus Sergei Skripal dhe vajza e tij Julia Skripal besohet se kanë rënë në kontakt me agjentin nervor që i solli ato në gjendje kritike, në fillim të këtij muaji në pragun e derës së shtëpisë së tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të lëshuar nga Policia Metropolitane thuhet se pas ekzaminimit të detajuar mjeko-ligjor dhe shkencor “detektivët besojnë se Skripal dhe vajza e tij së pari erdhën në kontakt me agjentin nervor në adresën e shtëpisë së tyre”.

“Specialistët kanë identifikuar përqendrim më të lartë të agjentit nervor, nga analizat e deri tashme në derën e hyrjes”, thotë deklarata.

Skripal 66 vjeçar dhe vajza e tij 33 vjeçare Yulia, u shtruan në një spital më 4 mars, pasi u gjetën pa vetëdije në qytetin Salisbury të Anglisë.

Skripal-it iu dha strehim në Mbretërinë e Bashkuar pas një shkëmbimi spiunësh të vitit 2010 midis SHBA-ve dhe Rusisë. Para shkëmbimit, ai ishte në vuajtje të dënimit me 13 vite burg për rrjedhje të informacioneve ndaj inteligjencës britanike.

Policia Metropolitane bëri të ditur se detektivët “do të vazhdojnë të përqendrojnë hetimet e tyre rreth adresës së shtëpisë për javët e ardhshme dhe ndoshta me muaj, pasi hetimi është duke vazhduar”.

Ata poashtu “do të zhvillojnë kërkime të plota në zonat që rrethojnë këtë adresë si pjesë e hetimit në vazhdim dhe si një masë parandaluese”.

“Gjurmët e agjentit nervor janë gjetur në disa prej skenave tjera, ku detektivët kanë punuar gjatë javëve të fundit, por në përqendrime më të ulëta ndaj asaj që gjendet në adresën e shtëpisë”, thuhet në deklaratë.

Një koordinator i lartë për policinë anti-terroriste tha se detektivët do të fokusohen brenda dhe rreth adresës së viktimave.

“Rreth 250 detektivë kundër-terrorizmit do të vazhdojnë të punojnë mbi hetimin, të mbështetur nga një gamë e plotë e ekspertëve dhe partnerëve”, theksohet në deklaratë.

Policia tha se hetuesit do të kalojnë më shumë se 5.000 orë filmimesh CCRV dhe do të shqyrtojnë mbi 1.350 ekspozita.

– Dëbime

Qeveria britanike ka akuzuar Rusinë për sulmin në të cilin “është përdorur një agjent nervor ushtarak rus (Novichok)”.

Mbretëria e Bashkuar dëboi 23 diplomatë rusë pas sulmit.

Poashtu edhe 26 vende perëndimore kanë dëbuar 140 rusë në një reagim të orkestruar këtë javë, në dëbimin më të madh ndonjëherë në masë në të gjithë botën.

Rusia ka mohuar ndonjë përfshirje në sulmin në qytetin Salisbury duke i quajtur dëbimet “një gjest antipatik provokues”.

Të mërkurën, një deklaratë e Ministrisë së Jashtme tha se sjellja nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar “na shpie në idenë e përfshirjes së mundshme të shërbimeve speciale britanike”.

“Nëse pala ruse nuk është e pajisur me dëshmi bindëse për të kundërtën, ne do të supozojmë se kemi të bëjmë me një përpjekje për jetën e bashkëqytetarëve tanë si rezultat i një provokimi të madh politik”, u tha në deklaratë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button