Organizatë kriminale pa krye!

Pas disa muajsh hetime, Prokuroria Publike për Krim të Organizuar ngriti aktakuzë për Rrezikim Terrorist të Rendit Kushtetues kundër 28 personave dhe për ndihmë të kryerjes së kësaj vepre kundër 2 personave. Tani më është e qartë që rikualifikim i kësaj lënde nuk do të bëhet dhe se vepra për të cilën u filluan hetimet, do të ndiqet si e tillë edhe në fazën e akuzës. Ky është një fakt shumë i rëndësishëm, sepse vërtet neni 313 i Kodit Penal të RM është ai që e përshkruan më së miri atë që ndodhi me 27 Prill të vitit të kaluar. Terrorizimi i personave që ishin në Kuvend atë ditë, si dhe i të gjithë qytetarëve që në mënyrë direkte i ndiqnin ato ngjarje, nuk mund të përshkruhet ndryshe.

Disa fjalë për karakteristikat e kësaj vepre penale. Mbrojtësit e personave të involvuar në ngjarjet e 27 Prillit thonë që terrorizmi është vepër e cila kryhet ndaj popullatës civile dhe jo ndaj një institucioni shtetëror. Por në fakt, vepra penale që ndiqet në këtë rast është vepër penale kundër shtetit dhe jo kundër popullatës civile. Terrorizmi në Kodin Penal të RM rregullohet në tri vende dhe përmes tri veprave të ndryshme penale.
Rregullohet në nenin 313, si vepër kundër shtetit, ku përmes përdorimit të dhunës dhe përhapjes së frikës kërkohet që të rrezikohet rendi kushtetues i vendit.
Përveç kësaj, terrorizmi rregullohet si vepër kundër rendit publik në nenin 394-b, ku në fakt dënohet terrorizmi i drejtuar drejt popullatës civile. Së fundi, terrorizmi rregullohet edhe në nenin 419 si terrorizëm ndërkombëtar ku theksi vendoset në organizmin ndërkombëtar të kësaj vepre të rëndë penale. Pra, duhet bërë dallim adekuat mes këtyre tri veprave sepse secila prej tyre ka figurën e vetë ligjore, karakteristikat e saja dhe qëllimet për të cilat kryhet.

Në nenin 313 përshkruhet akti i përdorimit të dhunës e cila si pasojë ka shkaktimin e frikës dhe pasigurisë tek qytetarët. A kishte dhunë me 27 Prill? Sigurisht që të gjithë ishim dëshmitarë të akteve të rënda të dhunës që ndodhën atë ditë në Kuvend. Deputetëve të caktuar iu rrezikua edhe jeta në ato momente shumë të paqarta dhe të tensionuara. A shkaktoi kjo pasiguri dhe frikë tek qytetarët? Sigurisht që po. Më së shumti u traumatizuan deputetët, gazetarët dhe personat tjerë që ishin në Kuvend atë ditë. Por u traumatizua edhe secili person që i ndiqte ngjarjet përmes ekraneve televizive.
Të gjithë e mbajmë mend pikërisht ndjenjën e frikës dhe pasigurisë që u krijua atë ditë. Karakteristika tjetër e kësaj vepre është qëllimi i kryerjes së saj. Pra në aspektin e elementit subjektiv të veprës penale, faji në këtë rast duhet të përfshijë dashjen për të kryer këtë vepër si dhe qëllimin specifik që të rrezikohet rendi kushtetues i vendit.

Personat e involvuar në këtë rast e që tani janë të akuzuar, shumë mire e dinin atë ditë se çka janë duke bërë. Qëllimi ishte i qartë, pengimi i shumicës parlamentare të zgjedhë Kryetarin e Kuvendit. Kushtetuta e RM përcakton që shumica parlamentare e zgjedh Kryetarin e Kuvendit në seancën konstitutive. Ky është rendi kushtetues, të cilin të akuzuarit atë ditë kërkuan ta rrezikojnë duke dashur të pengojnë zgjedhjen e krye-parlamentarit. Kështu, mund të përfundojmë që të gjitha elementet e veprës penale në fjalë gjenden në ngjarjet e 27 Prillit.

Ajo që e karakterizon këtë vepër është organizimi i saj. Ka shumë njerëz të involvuar me role të veçanta. Shumicën e këtyre roleve i shpjegoi Prokuroria gjatë konferencës për shtyp ku e shpalli aktakuzën. Në fakt, mungesa më e madhe e kësaj aktakuze është mos-përfshirja e organizatorit kryesor dhe e nxitësit të këtyre ngjarjeve në akuzë. Mos-përfshirja e Gruevskit dhe Ivanovit tek organizatorët dhe nxitësit e këtyre ngjarjeve flet shumë për atë se çfarë kahje do të mare ky rast penal. Si gjithmonë në Maqedoni, edhe në këtë rast do të përgjigjen vetëm ekzekutuesit dhe jo urdhërdhënësit. Fakti që Prokuroria përmendi që ngjarjet kanë filluar pas bisedës telefonike të njërit nga truprojat e një lideri partiak flet shumë, por jo aq sa duhet. Sepse lideri partiak nuk është përfshirë në aktakuzë, kështu që organizata që e ka kryer aktin në këtë rast mbetet pa kokë.

Deri sa nuk mësohemi ti dënojmë gjërat nga burimi i tyre, nga koka, drejtësia, sado e vështirë të jetë për tu vendosur do të mbetet pikërisht e tillë, pa krye.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button