Zbehja e gjasave për NATO si vazhdimësi e dështimeve

Pas Samitit të Bukureshtit në vitin 2008, zyrtarët e Maqedonisë, pa dallim përkatësisë politike dhe etnike vazhdimisht e kanë theksuar orientimin për anëtarësim në NATO. Ky përkushtim është demonstruar edhe në terren, përmes trupave paqeruajtëse të Maqedonisë në Irak dhe Afganistan, që vazhdimisht është cekur si argumenti kryesor me të cilin dëshmohet orientimi i vendit. Njëherazi, të gjithë zyrtarët shtetërorë pothuajse pa përjashtim e kanë cekur pjesëmarrjen ushtarake si vlerë të përbashkët me Aleancën, që tashmë ka dhënë kontribut real në sigurinë e këtyre dy vendeve të rrezikut të lartë. Por, me përmbylljen e misionit ushtarak amerikan në Irak dhe me zvogëlimin gradual të trupave ushtarake në Afganistan, Maqedonia në një periudhë afatmesme do ta humb argumentin e saj kryesor për anëtarësim. Largimi i misioneve ushtarake nga këto dy vende do ta rrezikon pozitën e Maqedonisë, në kuptim që shteti nuk do të ketë mundësi për kontribut praktik ndaj misioneve të NATO-së në zonat luftarake. Paralajmërimi i Kryetarit të SHBA-ve për tërheqjen e trupave nga Afganistani deri në vitin 2014, do të shkaktojë sfidë reale të natyrës së përshkruar dhe strukturat e politikës së jashtme dhe mbrojtjes duhet të angazhohen drejt identifikimit të alternativave të kontributit ndaj NATO-së si  jo anëtar. 

Duke shikuar në perspektivë, në mënyrë të paevitueshme do të parashtrohet pyetja se si do të demonstrohet orientimi pro-NATO i Maqedonisë, prej momentit kur trupat e koalicionit do të tërhiqen nga Afganistani. Kuptohet, situata e këtillë kërkon shumë më tepër kreativitet se deklaratat e ripërsëritura që përfundimisht u demistifikuan edhe nga Kryeministri Nikolla Gruevski, ndërkohë që faktori politik shqiptar assesi nuk tërhiqej nga shpresa që diçka mund të ndryshojë në momentin e fundit – madje edhe atëherë kur kjo dukej absolutisht e pamundur. Ajo që kërkon edhe më tepër kreativitet, është që retorika e platformave partiake duhet të ballafaqohet me realitetin dhe vitet e humbura pas Samitit të Bukureshtit.    

Si edhe në fushën e integrimit në BE, Maqedonia e ka humbur avantazhin ndaj shteteve të rajonit, duke marrë parasysh që Partneriteti për paqe është nënshkruar para 17 viteve. Tashmë kur pothuajse të gjitha shtetet post-komuniste janë anëtarësuar në grupe, Maqedonia ngeli si shteti i vetëm pa anëtarësim prej grupit të Adriatikut, të cilin e bashkë-themeloi në vitin 2003. Me rekordin më të gjatë të pritjes për anëtarësim, ky Samit mbase ishte mundësia e fundit për Maqedoninë. Brenda dhjetë viteve, vendi është shndërruar nga udhëheqës rajonal i shteteve-kandidate në pjesëtar të grupit ku bëjnë pjesë Serbia e cila e ka shprehur mos-interesimin e saj për anëtarësim në NATO, Bosnjë dhe Hercegovina që është larg anëtarësimit, Kosova që është konsumatore e sigurisë dhe Mali i Zi, që ndonëse ka gjasa për anëtarësim në NATO – nuk ekzistonte si shtet kur Maqedonia shihej si favorit rajonal nga administrata amerikane.

Në periudhën e ngritjes së saj, Maqedonia dhe shtetet tjera të grupit të Adriatikut janë mbështetur në masë praktike përmes tetë stërvitjeve të realizuara nën patronazhin e Shtetet e Bashkuara si partner strategjik. Pikërisht këtu qëndron edhe çmimi për kohën e humbur të Maqedonisë. Duke e marrë parasysh rifokusimin e politikës së jashtme të SHBA-ve ndaj Azisë dhe rajonit të Oqeanit paqësor, Grup i Adriatikut me kalimin e kohës rrezikon të humb nga rëndësia dhe atraktiviteti, duke i vështirësuar kështu gjasat për përsëritjen e suksesit të zgjerimit 2008. Për më tepër, grupi i rikomponuar tani përbëhet nga dy shtete me probleme të dukshme: Maqedonia me çështjen e pazgjidhur të emrit dhe Bosnjë dhe Hercegovina me strukturën e mbrojtjes që është në pritje të konsolidimit si forcë unike. Së këndejmi, gjasat për pranimin e këtij grupi ku dy prej tre shteteve kanë probleme të thella, mbetet e largët, duke rrezikuar që Maqedonia ta lëshojë mundësinë e integrimit në NATO si pjesë e pakos. 

Në aspektin e brendshëm, pozita e Maqedonisë është e vështirësuar me ngjarjet e fundit, që e kanë rritur tensionin ndër-etnik dhe e kanë theksuar dilemën e pasigurisë, ku zhvillimet në Maqedoni mund të kenë ndikim mbi sigurinë e vendeve tjera të rajonit, njëjtë si që edhe pasiguria në rajon pasqyrohet në zhvillimet brenda vendit. Ndërlidhja e natyrshme e stabilitetit të Maqedonisë me gjendjen në rajon, detyrimisht do ta ndryshojë percepcionin e krijuar për Maqedoninë si shtet stabil që kontribon ndaj sigurisë rajonale. Në rast të vazhdimit të tendencës së këtillë, vendi mund të ballafaqohet me rivlerësimin e kontributit që e jep Maqedonia ndaj Kartës së Adriatikut, në pjesën e përforcimit të stabilitetit dhe sigurisë rajonale. 

Katër vitet e humbura pas Samitit të Bukureshtit nuk mund të kompensohen, po aq sa është e pamundur të arrihet ndonjë rezultat tjetër me përsëritjen e veprimeve të natyrës populiste të periudhës së kaluar. Letrat zinxhirore që i drejtohen liderëve të huaj nën kërcënim prej tensioneve të brendshme, rrëfimet për rreziqe terroriste për shkak të kontributit të Maqedonisë dhe milionat e kilometrave të kaluar për fushata dhe lobime dështuan në masë të madhe. Tani duhet diçka ndryshe, në qoftë se anëtarësimi në NATO është interes dhe synim i sinqertë, si që deklarohet në nivelet udhëheqëse shtetërore dhe partiake. Duke e parë epilogun e viteve të humbura, e kemi kuptuar se cilat veprime nuk e arrijnë qëllimin tonë. Përsëritja e tyre nuk sjell asgjë tjetër pos dështimeve tjera dhe ri konfirmim të mungesës së vullnetit të qartë për orientim euro-atlantik.     

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button