Hyseni: Nikoliçi apo Tadiçi, për Kosovën janë njësoj

Fitorja e Tomislav Nikoliçit, nga Partia Përparimtare Serbe në garën për president të Serbisë, nga komentet e para në Prishtinë, vlerësohet se nuk do të ndryshojë shumë politikën e këtij vendi në raport me Kosovën. Ish-ministri i jashtëm, Skender Hyseni, thotë se nuk duhet të jetë prioritet dhe as shqetësim i Kosovës se kush është president i Serbisë. Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë s e Kosova nuk ka pasur telashe asnjëherë me liderët e Serbisë, por ajo është ballafaquar me sovranitetin e saj karshi Kosovës.

“Në raport me Kosovën, edhe presidenti i deritashëm Boris Tadiç ka udhëhequr politika të mentalitetit ballkanik, pavarësisht se në opinionin ndërkombëtar mendohej se ai po luante një politikë demokratike”, thotë Hyseni.

“Nuk e besoj që karshi Kosovës do të ketë ndonjë ndryshim substancial në qasje, sepse bindja ime gjithherë ka qenë që presidenti Tadiç ka qenë evropian në Bruksel, por në Beograd dhe në Ballkan ka qenë ka qenë shumë ballkanas. Sidomos karshi Kosovës ka qenë po aq ballkanas sa edhe pararendësi i tij, me një dallim të vogël që ky nuk i ka përdorë armët, ndërkaq ai që ka shkuar i ka përdorur edhe armët kundër Kosovës”.

“Unë nuk dua të paragjykoj që Kosova do ta ketë shumë më vështirë me këtë apo atë president sepse se çfarë do të jenë raportet e Kosovës me Serbinë, varët në rend të parë nga vet Kosova”, tha Hyseni për REL.

“Kosova fatkeqësisht nuk po sillet si shtet, dhe kjo e bën më të lehtë që të manipulohet nga politikat e Serbisë, thotë Hyseni.

Sipas tij, ndonëse nuk mund të jetë indiferente, ‘Kosova nuk duhet ta ketë prioritet udhëheqjen në Beograd”.

Ai, po ashtu thotë se në Evropë ka hezitime të shumta në lidhje me Nikoliçin.

“Ka një paragjykim të skajshëm në Evropë përgjithësisht ndaj presidentit të zgjedhur Nikoliç. Unë megjithatë, një mendje më thotë, se me këtë president edhe Evropa edhe Ballkani do t’i kenë gjërat pak më të qarta. Do ta dinë pak më qartë se ku qëndrojnë”, vlerësoi Hyseni.

Ndërsa zëvendëskryeministri, i Kosovës Hajredin Kuçi, duke komentuar zgjedhjen e Nikoliçit për president të Serbisë, ka thënë s e Kosova nuk ka pasur telashe asnjëherë me liderët e Serbisë, por ajo është ballafaquar me sovranitetin e saj karshi Kosovës.

Ai ka thënë se presidenti i ri i Serbisë, Tomislav Nikoliç, është zgjedhje e qytetarëve serb.

Ndërkaq sipas tij, fati dhe pavarësia e Kosovës nuk varen nga zgjedhjet politike në Serbi. /Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button