Zbulohet origjina e celulitit

Të gjitha ato femra që u janë nënshtruar trajtimeve pafund për të hequr makthin e celulitit, tanimë do kenë një studim të ri ku të bazohen për të pasur një trup më të bukur dhe më të shëndetshëm.

Agjenca italiane e lajmeve “Ansa” bën të ditur se më në fund është zbuluar origjina e celulitit. Ajo nuk është mos furnizimi i sistemit venoz, siç ishte konsideruar deri më tani por shkak kryesor janë indet dhjamore.

Lajmi, i cili u bë publik në konventën kombëtare të Shoqërisë italiane të Mjekësisë estetike të mbajtur në Romë, do të ndryshojë edhe strategjitë e kurimit.

“Deri tani kemi konsideruar mungesën e furnizimit venoz si shkak kryesor, por shumë studime të reja italiane dhe ndërkombëtare tregojnë se shkaku janë indet dhjamore, të cilat veprojnë si një organ endokrin, për të irrituar indet duke shkaktuar transformimin e lëkurës si një lëvozhgë portokalli”, thotë Emanuele Bartoletti, sekretar i Shoqërisë italiane të Mjekësisë estetike.

Tashmë do të ndryshojë edhe mënyra e trajtimit anti-celulit. Pjesë e  terapisë tani do të jetë dieta acidifikante: “Qelizat e yndyrës shkaktojnë një gjendje inflamatore me të cilat është i lidhur një proces acidifikimi i indeve”, thotë Pier Antonio Bacci, profesor i mjekësisë estetike në Universitetin e Sienës.

“Dieta acidifikante” është e bazuar në ushqime alkaline të tilla si fruta, perime bishtajore, të cilat rrisin pH e ushqimeve dhe ulin inflamacionin e indeve të përfshira”.

Në Italinë fqinje janë rreth 24 milion persona që vuajnë nga celuliti, ndërsa në vendin tonë nuk ka një shifër zyrtare. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button