Koxias: Greqia është e fuqishme, nuk duhet të frikësohet nga kompromisi me një shtet të vogël

Emri nuk duhet të ketë elemente iredentike, duhet të jetë i përbërë me përcaktim gjeografik, me mbiemër dhe të kufizojë se nuk bëhet fjalë për Maqedoninë greke, tha shefi i diplomacisë greke, Nikos Koxias në fjalimin e tij në promovimin e librit “Çështja Maqedonase” të Nikos Mersoc, transmeton Portalb.mk.

“Duhet të gjejmë emër të përbërë që do ta shpreh veçantinë dhe pozitën gjeografike të këtij shteti dhe në të njëjtën kohë nuk do ta cenojë asnjërin shtet”, konsideron Koxias.

Shefi i diplomacisë greke duke iu referuar patriotizmit tha se patriotizëm nuk është që ta mohosh të drejtën e palës tjetër të jetë krenare me historinë e saj “nëse është e vërtetë, ndërsa jo e falsifikuar”.

“Patriotizëm për mua do të thotë emër i përbërë. Ky emër i përbërë duhet të vlejë për të gjithë sepse në bisedimet në vitet e kaluara ka pasur huti se a duhet të vlejë vetëm për organizatat ndërkombëtare, që shumica e quajnë erga omnes. Por, erga omnes është emër që të vlejë për të gjithë dhe për të gjitha marrëdhëniet, gjegjësisht edhe për brendësinë. Të vlejë dhe të shprehet me marrëveshjen ndërkombëtare që do ta nënshkruajmë në Kombet e Bashkuara dhe me ndryshimet që duhet të bëjnë në kushtetutën e tyre”, tha Koxias.

Duke folur për ndryshimin e kushtetutës, ai tha se është e nevojshme jo vetëm pse e kërkon pala greke dhe se është garanci për Athinën, por është e domosdoshme edhe për garancinë e brendshme dhe për ndonjë Qeveri të ardhshme, sepse “Gruevski 2 i ardhshëm” do të dalë me akuza.

Në lidhje me emrin erga omnes dhe pse është i nevojshëm, Koxias tha se nuk duhet të lihet hapësirë që në të ardhmen të lindin probleme të reja mes dy palëve.

Koxias shtoi se kur i ka filluar bisedimet i ka thënë ndërmjetësuesit, Metju Nimic se “me dorë në zemër dëshiron zgjidhje të ndershme” as ta imponojë e as ta imponojnë, zgjidhje me përkatësi gjeografike para fjalës Maqedoni.

Sipas shefit të diplomacisë greke, marrëveshja duhet të jetë stabile dhe e përmbajtur dhe ta zhvillojë besimin në të dy palët. Ai porositi se është e nevojshme të bëhet kompromis, sepse Greqia nuk duhet të frikësohet.

“Ne nuk mund të frikësohemi, Greqia është e fortë me histori të lashtë, Greqia e Aleksandërit të Madh, me histori të madhe, e filozofit, Aristotelit e kështu me radhë, nuk duhet të frikësohet të bëjë kompromis me një shtet të vogël që akoma nuk e ka gjetur identitetin e saj”, shtoi Koxias dhe shpjegoi se “njerëzit e vendit fqinj, pranojnë se fjalët Maqedoni dhe gjuha maqedonase nuk kanë të bëjnë me Aleksandërin e Madh.

Kontesti 25 vjeçar

Ndryshe, Greqia dhe Maqedonia kanë çështje të hapur për emrin që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991. Në vitin 1995, Kombet e Bashkuara u bënë ndërmjetës në zgjidhjen e emrit duke dërguar person special si mediator. Deri më sot, ndërmjetësimi nuk ka sukses. Greqia pretendon se shteti i Maqedonisë është duke e përdorur emrin e regjionit verior grek i cili mban emrin Maqedoni, përcjellë Portalb.mk.

Greqi-Maqedoni

Greqi – Maqedoni

Megjithatë, pas ardhjes në pushtet të Zoran Zaevit, kjo çështje është riaktualizuar duke rifilluar bisedimet për kontest. Pas një takimi të kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në Davos të Zvicrës, Zaev, njoftoi se Maqedonia ka vendosur që t’i ndryshojë emrat e autostradës dhe aeroportit të cilët e mbajnë emrin e figurës së kontestuar nga pala greke – Aleksandri i Maqedonisë. Me vendim të Qeverisë, autostrada u riemërua në “Miqësia”, ndërkaq aeroporti në “Aeroporti i Shkupit”, transmeton Portalb.mk.

Greqia kërkon që Maqedonia ta ndryshojë emrin, me një emër pa përkthim, por edhe ta ndryshojë Kushtetutën, ndërkaq nga ana tjetër, Maqedonia kërkon që emrit aktual t’i shtojë mbiemër të përkthyeshëm, dhe të mos e ndërrojë Kushtetutën. Prej 5 propozimeve që u përfolën në opinionin, tre prej propozimeve më serioze për emrin e Maqedonisë janë: Maqedonia e Epërme, Maqedonia Veriore dhe Maqedonia e Vardarit.

Bisedimet vazhdojnë, në nivel ministrash, me ndërmjetësim të të dërguarit special të OKB-së, Methju Nimic.

Shpresat për integrim të Maqedonisë në NATO dhe BE, janë gjithnjë më të fuqishme, duke pasur parasysh se sinjalet e Komisionit Evropian janë se Maqedonia do ta rimerr rekomandimin për fillimin e bisedimeve hyrëse për anëtarësim në BE. Kjo u vërtetua edhe me publikimin e Strategjisë së KE-së për anëtarësimin e vendeve ballkanike në BE, por edhe nga kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, i cili në javën e fundit të shkurtit ishte për vizitë në Shkup. Edhe pse, Junker tha se nuk mund të japë datë për fillimin e bisedimeve, megjithatë, shtoi se Maqedonia është në rrugë të drejtë. Megjithatë, përveç menjanimit të kontestit për emrin me Greqinë, që të anëtarësohet në BE, Maqedonia duhet të punojë edhe në sundimin e ligjit, rritjen e ekonomisë dhe konkurrencës, zhvillimin e arsimit dhe sigurisë si dhe komunikimin digjital.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button