Maqedonia nuk ia var veshin BE-së, politika “luan” me gjykatësit

Maqedonia ka perspektiva për marrjen e rekomandimit për fillim e negociatave me BE-në, por Komisioni Evropian vazhdimisht i përsërit kërkesat dhe kushtet për anëtarësim. Kjo u tha sot në prezantimin e hulumtimit të efektivitetit të mekanizmit të kritereve të Bashkimit Evropian në Maqedoni, e cila është zbatuar në korniza të projektit “BENCHER”, raporton Portalb.mk.

“Ajo çfarë u përmend në shumë intervista është se përfundimisht sa e kemi mbyllur një temë dhe Komisioni Evropian thjeshtë nuk di çfarë të bëjë dhe kthehet prej fillimit dhe jep kritere të reja për atë që kemi menduar se e kemi mbaruar. Komisioni Evropian vazhdimisht jep kushte për Maqedoninë, pra nëse kemi pasur kushte vetëm për hyrje në BE, tani ka kushte për kushte që të fitohet rekomandimi për hapjen e bisedimeve.  Është proces që presim që të ketë përfundim dhe arrijmë deri aty ku prapë lexojmë hyrje të re, e cila ka përmbajtje të ndryshme nga parapraku. Në rastin e Maqedonisë, rekomandimet shumë herë janë të përsëritura dhe janë të njëjta. Kemi mangësi, megjithatë na mungon model konkret nga BE-ja, ajo nuk disponon me modele në pjesën e sundimit të ligjit dhe këtu krijohet hapësirë ku Qeveritë munden të analizojnë lirshëm dhe të thonë se i kanë plotësuar kriteret, i plotësojnë kërkesat e Bashkimit Evropian dhe në fund nuk kuptohemi, këtu është mangësia”, deklaroi Ardita Abazi nga Instituti për Politikë Evropiane.

Ashtu siç shkruhet në hulumtim, burimet akademike thonë se nxitja kryesore për reformat e BE-së në vendet kandidate është anëtarësimi.

“Ulja e nxitjes për anëtarësim në BE e ngadalëson procesin e reformave, kështu që paraqiten madhe edhe trende të kundërta. Kredibiliteti i ofertës për anëtarësim ka ndikim vendimtar ndaj tempos së reformave të cilat ndjeshëm intensifikohen me fillimin e bisedimeve. Në mungesë të stimulimit, “reformat janë të përkufizuara, të pabarabarta dhe të ngadalshme. Siç është rasti me Maqedoninë”, thuhet në hulumtim.

Sipas hulumtimit që e ka bërë Instituti për Politika Evropiane, në Maqedoni gjithashtu nuk ka avancim meritor të gjykatësve sipas kualitetit, por vetëm sipas kuantitetit.

“Një ndër problemet kyçe është sistemi për vlerësimin e gjykatësve sipas meritave dhe si ashtu çdokush e interpreton ashtu siç do. Në Maqedonia ka vlerësim kuantitativ të gjykatësve, na mungon elementi kualitativ, problemin e njëjtë e kemi edhe te administratorët, na duhen kritere më specifike, por të mos shkojmë në rrezikun që shumë t’i specifikojmë dhe pastaj të mos mundet të implementohet”, tha Abazi, transmeton Portalb.mk.

Sistemi meritor për avancimin e gjykatësve për herë të parë u përmend në vitin 2005 në BE, ndërkaq  u gjet si pjesë e rekomandimit për reforma urgjente në vitin 2015. KE-ja të njëjtën kërkesë e përsëriti edhe në raportin e vitit 2016, ndërkaq u përmend edhe nga grupi i lartë i ekspertëve në lidhje me çështjet sistematike për sundimin e ligjit në vitin 2017.

Sipas hulumtimit, ky kriter është zbatuar nëpërmjet kornizës ligjore dhe amendamentet pasues gjatë viteve. Megjithatë siç thuhet në hulumtim ekzistojnë indikacione për ndikim të fuqishëm të politikës në gjyqësor e cila e vuri në pikëpyetje pavarësinë e sistemit gjyqësor.

“Këto shqetësime janë thënë edhe nga shoqëria civile, por edhe nga opinioni i gjerë në disa raste dhe në një mënyrë u konfirmua me skandalin e përgjimeve. Ekzistojnë lëshime dhe vërejtje në lidhje me zbatimin, megjithatë gjetjet tregojnë se sistemi meritor te gjykatësit është zhvilluar në drejtim pozitiv, edhe pse ka pasur nevojë për sjelljen e kritereve kualitative për vlerësimin e gjykatësve dhe rritjen e kualitetit të vendimeve”, thuhet në hulumtimin e Institutit për Politika Evropiane.

Ndryshe, hulumtimin për efektivitetin e kritereve Instituti e ka bërë në 8 fusha të kapitujve 23 dhe 24.

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni: KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button