Honekeri, Boksieri  dhe ndërgjegjja

Duke shikuar në televizion mbledhjen e kuvendit, në lidhje me ligjin e gjuhëve dhe teatrin e  Gruevskit, m’u kujtua gjermani Erih Honeker, ideatori i Murrit të Berlinit, i cili pak para rrëzimit të tij, ishte kërcënuar me fjalët: “Muri do të mbetet edhe për 50 apo 100 vite të tjera…”. Ai “ndoshta” ishte shumë i bindur në këtë! Por jo, për fatin e tij të keq, murri u rrëzua vetëm pas disa muajsh.

Nga mllefi i madh që ishte krijuar në popull, qarkullonin mendime të shumta,  për atë se si duhej ndëshkuar ky tiran. Disa ishin të mendimit që të pushkatohej, disa të tjerë që të varej, disa dëshironin burg të përjetshëm e kështu me radhë!

Kur në vitin 1993, nën akuzat për krime lufte, zyrtarisht u hap gjyqi i tij, pas shumë ideve, debateve, diskutimeve dhe analizave, në pyetjen se si duhej dënuar ky diktator, një juriste e njohur gjermane kishte deklaruar: “Ai nuk duhet të dënohet, atij duhet caktuar një fëmijë, detyra e vetme e të cilit do të jetë që atë ta shëtisë çdo ditë përreth murrit tashmë të rrëzuar të Berlinit. Ky do të ishte dënimi më i madh për Honekerin. Fundi i tij do të jetë atëherë, kur nuk do të shohë më atë që përjetësisht e ka dëshiruar. Këtu, ndërgjegjja do të jetë vdekjeprurëse, sepse ai megjithatë është gjerman!

Dhe tani, derisa po analizoja këtë situatë, rastësisht m’u kujtua Gruevski, pastaj Kumanova, 27 Prilli, m’u kujtua edhe largimi i bustit të kasapit “Qose”, më vonë ndryshimi i emrit të aeroportit “Aleksandri i Madh” dhe i autostradës “Aleksandri i Maqedonisë”. Në këtë gjendje heshtjeje, dikush bërtiti në dhomë: “I paskan liruar ata të Sopotit”, një tjetër reagoi me fjalët: “Mostrën e paska marrë Prokuroria speciale”, dikush tjetër tregonte Gruevskin duke u ngjitur shkallëve të gjykatës… Pështjellim i madh!

Tani e lashë Honekerin, tani po studioja Gruevskin dhe ndërgjegjen e tij! Mendoja në vete, se a do të vlenin fjalët e juristes gjermane për këtë boksier? Sepse, kur bëhet fjalë për ne si popull, nuk mund as për së afërmi të krahasohemi me gjermanët. Ne nuk jemi aktorë, por thjesht spektatorë! A do të duhej të shoqërohej ky nga ndonjë fëmijë? Kjo nuk do të ishte e mundur! Këtu nuk është në pyetje “Murri”, këtu ekziston një varrezë e pafund me përmendore gjigante, të cilën nuk do të mund ta përballonte një fëmijë!

Më vonë m’u kujtua, se më i përshtatshëm do të ishte “Mercedesi” gjysmë milionësh? Ndoshta nuk do të prishte punë edhe pse gjendet në ankand! Ndoshta…!

Të gjitha variantet janë të mundshme, vetëm ndërgjegjja te ky nuk është vdekjeprurëse, sepse ajo, megjithatë mbetet ballkanase!

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button