POETËT NGA KALKANDELENI

Në kristobulat e hershme mesjetare serbe Tetova fillimisht përmendet si katund dhe më vonë si qytet, kurse nga shekulli XVI përmendet si qendër e rëndësishme kulturore në Perandorinë Osmane.

Poeti Ashik Çelebiu (1520—1572), nga Prizreni, shkruante se Kalkandeleni (Tetova) ishte qendër e rëndësishme kulturore me poetë të talentuar, që shkruanin poema të bukura.

Studiuesja Sherife Ördek ka evidentuar shumë poetë nga qytetet në kufijtë e Maqedonisë së sotme, që jetuan ndërmjet shekujve XV dhe XIX. Gjegjësisht: nga Tetova 11 poetë, Shkupi 26, nga Manastiri 35, Dibra 2, Shtipi 8, Strumica 3 dhe Velesi 1, të cilët, sipas saj, kontribuuan edhe në krijimin e qytetërimit osman të përbërë nga grupe të ndryshme etnike dhe kulturore.

Poetët nga Tetova, që i përmend, janë: Bali Çelebiu (shekulli XV), Fakiri, Muidi, Saidi, Suxhudi, Tului (shekulli XVI), Kashifi (shekulli XVIII), Said (shekulli XVIII/XIX), Nali, Remzi dhe Rashid Akif Pasha (shekulli XIX).

Edhe studiuesi Filiz Kiliç përmend disa poetë nga Tetova, gjegjësisht: Tuluin, Fakirin, Muidin dhe Suxhudin. Ky studiues evidenton 22 poetë të lindur dhe të rritur në kufijtë e Maqedonisë së sotme, gjegjësisht nga Shkupi, Manastiri, Tetova dhe Kratova. Në këtë numër nuk janë përfshirë poetët me funksione në vendet e përmendura (zakonisht ishin “kadi”); ata që kishin jetuar aty vetëm në një periudhë të caktuar ose ata që kishin vdekur. “Nëse do të shtoheshin këta poetë, atëherë numri i tyre do të ishte shumë më i madh”, shkruan ai.

Këtyre poetëve duhet shtuar edhe emrat e Sersem Ali Dedesë, Anonimit të Tetovës, Muhamed Mehdi Baba boemit, Turabit dhe Sabri Kalkandelenit.

Ne do të ofrojmë disa të dhëna për poetët nga Tetova, që krijuan në periudhën e Perandorisë Osmane, duke u bazuar në burime të ndryshme, me frikën se mund të ketë ndonjë pasaktësi. U jemi mirënjohës studiuesve që do të na përmirësonin apo do t’i plotësonin të dhënat tona…

BALI ÇELEBI ishte poet i shekullit XV nga Kalkandeleni (Tetova). Bali, sipas Latifit (Abdüllatif Çelebi, 1491 – 1582, kronist dhe biograf osman), ishte i arsimuar dhe e njihte gjuhën perse. Bali jetoi në kohën e Sulltan Selimit I (1512 – 1520). Thuhet se poezitë e tij adhuroheshin nga lexuesit.

FAKIRI ishte poet i shekullit XVI. Emri i vërtetë dhe ditëlindja e tij nuk dihen, por thuhet se ishte nga Kalkandeleni (Qalqandelen) dhe jetoi në Stamboll. Latifi ka shënuar se poeti kishte punuar edhe si imam.

SERSEM ALI DEDE ishte poet dhe teolog nga Tetova, i lindur në shekullin XV. Ishte vezir në kohën e Sulltan Sulejmanit. Ai e harxhoi gjithë pasurinë për ndërtimin e Teqesë Harabati në Tetovë. Ka shkruar poezi mistike, disa prej të cilave janë përkthyer në gjuhën shqipe. Njihet si vëllai i Sulltaneshës Mahi Devran ose Rozë Pranverës, gruas së Sulltan Sulejmanit. Mendohet se kishte vdekur në vitin 1569.

SAIDI ishte poet i shekullit XVI, po ashtu nga Tetova. Emri i tij është Mehmedi. Një kohë jetoi në Egjipt. Vdiq më 1533.

SUXHUDI ishte poet i shekullit XVI nga Tetova. Sipas Hasan Kaleshit ai kishte qenë regjistrues dokumentesh në kohën e Sulltan Selimit dhe të Sulltan Sulejmanit, por edhe kadi në Prizren. Thuhet se kishte qenë pjesë e ekspeditave ushtarake në vendet arabe dhe perse. Ishte autor edhe i disa kronikave që përmenden nga Ashik Çelebi. Për të thuhet se kishte stil të veçantë poetik, të qartë dhe të kapshëm. Vdiq ndërmjet viteve  1520 dhe 1566.

TULUI ishte poet i shekullit XVI, i lindur në Tetovë. Emri i tij është Ibrahim (quhej edhe Dahhak). Kishte arsimim solid. Ashik Çelebi kishte shkruar se Tului ishte lënë në gjendje të mjerë. Ai shërbeu si kadi në një qytet të Arnavudit (Shqipërisë), ku e humbi jetën tragjikisht “në lumin Eshkum” (Shkumbin). “Paşaname” është një dorëshkrim i rëndësishëm me miniatura, i gjysmës së parë të shekullit XVII, që gjendet në Muzeun Britanik në Londër (British Museum, 3584) dhe përfshin poezi të Tului Ibrahim Efendiut.

MUIDI ishte poet i shekullit XVI nga Tetova. Pas shkuarjes në Haxh u vendos në Egjipt, ku shërbeu si teolog. Besohet se atje edhe vdiq në vitin 1585/86. Është vlerësuar si autor veprash të thjeshta e të qarta. Ai ishte sufist.

KASHIFI ishte poet i shekullit XVIII nga Tetova. Emri i tij është Mehmed. Ai vishej si dervish dhe çmohej si njeri i mençur.

SAID ishte nga Tetova dhe ka jetuar nga gjysma e dytë e shekullit XVIII ose në fillim të shekullit XIX. Na mungojnë të dhënat për biografinë e tij. Janë disa vende në Pollog që përmenden edhe si vendlindja e tij, sikurse: Tetova, Gostivari ose Palçishti. Nuk ka të dhëna për vitin e vdekjes së tij.

NALI ishte poet nga Tetova i shekullit XIX. Emri i tij është Nili Numan Efendi. Ishte shkolluar në vendlindje, kurse në Stamboll mësoi në një medrese pranë Xhamisë së Fatihut. Më pas shërbeu në disa medrese. Një kohë jetoi në Egjipt dhe më pas u kthye në vendlindje ku vdiq më 1849.

REMZIU ishte poet i shekullit XIX. Ka pak të dhëna për biografinë e tij. Besohet se gjatë kohë jetoi në Tetovë. Sipas disa burimeve ishte gjallë deri në vitin 1843.

MEHMET AKIF PASHA (1822 – 1893), ishte i biri i Veli beut dhe nipi i Rexhep Pashës, administruesit të Pashallëkut të Tetovës. Në Stamboll e kreu Akademinë Ushtarake, ku fitoi gradat e pashait, valiut, vezirit dhe ministrit. Ai shkroi në gjuhën osmane, arabe dhe perse, por e njihte greqishten dhe frëngjishten. Drejtoi disa vilajete.

RESHID AKIF PASHA (1863-1920), ishte poet dhe i biri i Mehmet Akif Pashës. Ishte në funksione të rëndësishme shtetërore në Perandorinë Osmane, madje edhe ministër i Punëve të Brendshme. Njihej si njeri i ndershëm, fisnik dhe i nderuar. Ai e kishte ndihmuar edhe Normalen e Elbasanit. “Ndihmën që i bëri Reshid Aqif Pasha, (ministror i vjetër i punërave të brendshme), prej 20 lirash për shkollën Normale të Elbasanit, shoqëria “Përparimi” e priti me gaz të madh”, thuhet në një shkrim të gazetës “Korça” të vitit 1909.

SABRI KALKANDELEN (1862 – 1943), ishte poet i respektuar dhe drejtor i Bibliotekës Perandorake të Stambollit. Është djali i Ruhi Efendiut ose Sheh Mustafë Tetovës (1800 – 1893), pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit. Është varrosur në Stamboll.

Profesori Ali Vishko, në librin për Teqenë Harabati, nuk i përmend poetët e lartpërmendur, përveç Sersem Ali Dedesë, por flet për poetët: Anonimi i Tetovës, Muhamed Mehdi Baba bohemi dhe Turabi, të cilët shkruanin në gjuhët osmane, arabe e perse. Njihet shumë pak veprimtaria e tyre letrare.

Ka edhe shumë poetë prej qyteteve të tjera. Studimi dhe përkthimi i poezive të tyre është shumë i rëndësishëm edhe për faktin se aty përmenden viset tona.

(Referencat janë hequr)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button