Dokumentar: si u zhvillua lufta perfide e Gruevskit me OJQ-të dhe ata që ia prishnin hesapet (VIDEO)

I përballur me rrezikun e humbjes së zgjedhjeve për herë të parë pas më shumë se një dekade në pushet si dhe me rritjen e rezistencës së qytetarëve ndaj politikave të gabuara, ish kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski vendosi të bllokojë punën e organizatave civile (OJQ) për të ulur ndikimin e tyre në popullatë dhe politikë.
Përndjekja dhe kërcënimi disavjeçar ndaj organizatave qytetare në vend, kulmoi posaçërisht në periudhën nga dhjetori i vitit 2016 deri në maj të vitit 2017, kur dhe kishin filluar bisedimet e partive politike për Qeverinë e re të Maqedonisë.

“Gjuetia ndaj shtrigave” është dokumentari i publikuar nga TV 24 Vesti i cili më detajisht përshkruan golgotën e përjetuar nga 23 organizata joqeveritare të Maqedonisë, pjesë e së cilës është edhe Fondacioni Metamorfozis, projekt i së cilit është edhe Portalb.mk, kur regjimi i Nikolla Gruevskit vendosi të shfrytëzojë institucionet shtetërore për qëllime të tyre, për frikësim dhe dëmtim të OJQ-ve.

Së bashku me uzurpimin e mediave në Maqedoni, qeveria e Gruevskit demonstroi dhunë ndaj qytetarëve dhe shkelje të ligjeve.

E gjithë procedura për të shënjestruar OJQ-të kishte filluar nga Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit duke përfshirë kështu edhe institucionet si: Policia e Maqedonisë, Drejtoria për të Ardhura Publike si dhe Policia Financiare.

“Ata u munduan edhe përmes mediave të tyre, edhe përmes institucioneve të krijojnë një huti dhe imazh se OJQ-të janë armiku i shtetit” shprehet drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari, njofton Portalb.mk

“Na tregonin si terroristë dhe persona që merremi me krim të organizuar” shprehet drejtoresha e Fondacionit Shoqëri e Hapur Maqedoni, Fani Karanfillova Panovska.

“Ishte shumë keq sepse e dinim që ato nuk ishin kontrolle rutine por se përballeshim me sulm armiqësor nga institucionet me qëllim që të na mbyllin” shprehet kryetarja e Forumit Rinor Arsimor, Dona Kosturanova.

“Desorosoizimi” i famshëm, pallavra koti

“Desorosoizimi” u bë fjalë që përsëritej në çdo medium megafon i VMRO-DPMNE-së, pasi këtë “gjueti të shtrigave” zyrtarisht e lajmëroi edhe vetë Gruevski në protestën para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, natën e 17 dhjetorit kur përfundimisht ndjeu se po humb pushtetin, njofton Portalb.mk.

Madje, më pas lindi dhe iniciativa “Stop Opercioni Soros” me qëllim që regjimi të arsyetonte këtë kërcënim dhe shantazh përmes institucioneve, të drejtuar nga OJQ-të.

“Kërkohej me çdo kusht një armik i shtetit, të nxihej dikush, e ata ishim ne si dhe madje vet personaliteti i Xhorxh Sorosit, që më pas Qeveria të del si mbrojtëse e shtetit” thotë Bardhyl Jashari. Ai theksoi se propaganda ishte aq e fuqishme sa që me të madhe kanë filluar ta pyesin “mos vallë ka punë me shërbimet e huaja sekrete pasi që udhëton shpesh apo mos ka marrë miliona para”.

“Prezantuan një raport të mbushur me rrena dhe manipulime gjoja se kemi bërë keqpërdorim të financave, madje alarmuan dhe Kongresin Amerikan dhe bënë dëm” thotë Fani Karanfillova Panovska.

“Thanë se unë personalisht si drejtor kam marrë para nga Sorosi për të punuar në fushatë partiake si dhe miliona ua kam shpërndarë aktivistëve partiak” shprehet Zekir Abdulov, drejtor në OJQ KHAM Dellçevë.

Inspektorët nuk dinin se çfarë kërkojnë!

Në kërkesat e inspektorëve ndaj OJQ-ve nuk shkruhej asgjë pos “analizë të rrezikut” apo vetëm fjala hetim.

“Me ne bëhej një luftë mentale dhe kishim terror psikologjik. Çdo ditë për inspektorët kemi kopjuar qindra dokumente që shkonin deri më pesë vite më pas dhe u shpjegonim se çfarë kemi bërë atëherë, ishte një punë që nuk sosej” shprehet kryetarja e Forumit Rionor Arsimor, Dona Kosturanova, njofton Portalb.mk.

“Ishin aq analfabet dhe aq të papërgatitur për hetim sa që sa herë që parashtronin pyetje dilnin jashtë dhe pyesnin shefat e tyre për instruksione të mëtejmë” shprehet drejtori i KHAM Dellçevë, Zekir Abdullov.

“Ata as që dinin se çfarë kërkonin por e kishin një qëllim të vetëm, të kontrollojnë dhe të bëjnë rrëmujë në gjithçka mos po gjejnë diçka që s’është në rregull” thotë Fani Karanfillova Panovska, drejtoreshë e Fondacionit Shoqëri e Hapur Maqedoni.

“Ata prisnin të gjejnë atë që e kishin dëgjuar nëpër mediat pro-qeveritare, kinse kemi paguar persona nga partia opozitare, por kur e panë se ne këtë gjë nuk e kemi bërë atëherë iu prish skema e paramenduar” deklaroi Jashari.

Hetimi është mbyllur, kërkohet përgjegjësi, DAP do të përballet me gjykatën!

Bardhyl Jashari thotë që OJQ Metamorfozis është detyruar nda Drejtoria për të Hyra Publike (DAP) të paguajë dënim për një gjë që nuk ekziston në ligj, njofton Portalb.mk.

“Thanë se është dashur të paguajmë tatim personal për folësit nga jashtë në konferencat tona, gjë që askund nuk e shkruan në ligji. Dhe na detyruan të paguajmë dënim për këtë. Janë duke u përballur me padi penale” shprehet Jashari.

“Na dënuan pse nuk kemi paguar tatim personal për teshat që ua kemi dërguar të varfërve” tha Abdulov.

“Kërkojmë përgjegjësi për ata inspektorë që na erdhëm te dera, të kontrollohet puna e tyre, a kanë vepruar sipas rregullave, etikës dhe profesionalitetit” shprehet Kosturanova.

“Ky veprim na ka dëmtuar si materialisht ashtu edhe jo-materialisht, insistojmë që për këtë përndjekje të jepet llogari nga institucionet dhe personat që e bënë këtë rrëmujë” thotë Karanfillovska-Panova.

LEXO: “Desorosoizimi”, Spasovski: Të gjitha hetimet kundër organizatave qytetare zyrtarisht janë mbyllur 

Ndryshe, kur filloi procesi i përfshirje së OJQ-ve në realizim-plotësimin e Planit 3-6-9 i Qeverisë së re të Maqedonisë, te pjesa e reformave që përshijnë edhe sektorin civil u kërkua që të hetohet procesi i desorosoizmit. Madje edhe eurokomesari Johanes Han ka porositur që të ndryshohet edhe qëndrimi dhe raporti ndaj organizatave jo-qeveritare.

OJQ-të kanë qenë cak i sulmeve të shumta dhe të shpeshta si nga Drejtoria e të Ardhurave Publike po ashtu edhe nga Policia Financiare. 13 prej tyre u kontrolluan nga Policia Financiare për të kuptuar se sa para kanë marrë nga USAID-i gjatë realizimit të aktiviteteve të tyre.
Me një linjë me Gruevskin ka qenë edhe bashkëpartiaku dhe presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i cili gjatë qëndrimit të tij në Hungari, shtet i cili gjithashtu i sulmon OJQ-të, tha se “patjetër të përforcohet kontrolli dhe transparenca në financimin e punës së OJQ-ve, patjetër të hiqen të gjitha dyshimet dhe të bëhet dallimi mes organizatave që me të vërtetë punojnë në interes të popullit dhe ata që fshihen pas emrit OJQ”.

LEXO MË SHUMË:

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button