Panucci: Mësova më shumë nga humbja, sesa nga fitorja me Turqinë

Trajneri i Kombëtares kuqezi, në konferencën për shtyp pas ndeshjes miqësore të humbur ndaj Norvegjisë, është përpjekur të mos justifikohet por të marrë përsipër fajin. Gjithsesi, ai u shpreh se ishte një ndeshje miqësore nga e cila mësoi më shumë sesa nga fitorja me Turqinë, transmeton TCH.

“Nëse do të ishte kualifikuese nuk do të luaja kështu. E dinim rrezikun e një performance të tillë. Jo sepse nuk mund të luajmë kështu. Mua nuk më pëlqen të kërkoj falje, jam realist dhe fajin e marr përsipër unë. Por kemi lojtarë si Ajeti, Mavraj dhe Sadiku që nuk luajnë me ekipet e tyre. Rrezikova duke vendosur një përzierje mes lojtarëve me përvojë dhe atyre të rinj”, tha ndër të tjera Panucci.

Sa i përket çështjes së kapitenit, shiriti i të cilit kaloi nga Roshi te Mavraj, italiani u përgjigj:

“Kapiten? Vendosa atë që ka më shumë ndeshje. Nuk e di kush mund të quhet tjetër lider në fushën e lojës”.

Më tej, Panucci deklaroi se nga sot e deri në ndeshjen e parë kualifikuese ka ende kohë për të bërë gjëra të mira.

“Ishte thjesht një miqësore dhe bëmë eksperimente. Mësova më shumë nga kjo humbje, sesa nga fitorja në Turqi. Nga lojtarët që aktivizova më pëlqeu Ramadani dhe Bare. Lika sigurisht që mund të jetë pjesë e grupit”.

Për të hyrë më në detaje, Panucci shpjegoi vështirësitë me të cilat u has përpara ndeshjes.

“Kombëtarja është një nder dhe detyrë. Nëse dikush mendon se nuk ka dëshirë, është më mirë që ta thotë më mua në konferencë. Por nuk ka për ta thënë. Prania në Kombëtare është maksimumi i krenarisë. Skuadra është maksimumi, skuadra e parë. Unë isha në kontakt me lojtarët, sepse dy lojtarë mungonin për shkak dëmtimi. Vlerësova Abazajn që po bënte shumë mirë. Ramadani luajti me Shpresat dhe erdhi në Turqi. Unë do ta ndihmoj Bushin, por nëse Kombëtarja ka nevojë do t’ia marr lojtarët, sepse është më e rëndësishme. Futbolli është një sport që edhe mund të dëmtohesh, por nëse një futbollist nuk do të luante për shkak të pamundësisë më të vogël, nuk do të luante. Grezda nuk e kishte një gjë të tillë. E treguam me Berishën, apo nëse do të dëmtohej Strakosha, atëherë do të luante Hoxha”, tha tekniku italian.

Ndoshta për Panuccin ishte mirë që përfundoi kështu, pasi sipas tij:

“Nuk ishim në gjendje të mirë disa futbollistë. Mund të luanim edhe dy ditë dhe mund të mos bënim gol. Ishim shumë dobët fizikisht nga ndeshja e fundit ndaj Turqisë. Lëviznim topin, por ata ishin shumë më të shpejtë. Sadiku ishte me problem sepse nuk kishte minuta. I vetmi që lëvizi diçka ishte Grezda, që dha disa sinjale. Kjo më shqetëson jo pak, sepse kemi shumë futbollistë që luajnë pak dhe shumë futbollistë, që me skuadrat e tyre janë në pozititë të vështirë në kampionat. Unë kam nevojë që ata të nxjerrin më të mirën, të punës, krenarisë dhe dëshirës, sepse ka një sforco shumë të madhe më pas kur vijnë në ekipin kombëtar”.

Përse munguan disa titullarë, e disa të tjerë nuk u aktivizuan?

“Nëse themi që plani B është Kukeli, ka dy muaj që nuk luan. Abrashi është i vrarë. Në mbrojtje kemi pak alternativa. Veseli është vrarë, por ai është një futbollist që besojmë shumë. Kur dy lojtarët e mbrojtjes luajnë pak, s’kam ç’të them. Ndoshta mund të kishte më shumë minuta për Gjimshitin, po bën mirë te Benevento. Mund të luante edhe Çikalleshi, por edhe ai ka pak minuta në lojë. Më thoni ju kë të marr të tjerë? Jam i bindur nëse të gjithë kanë gjendjen fizike që kishim në Turqi, jemi një skuadër shumë e mirë. Ritmi i ndeshjes është i tillë dhe, nëse nuk ke minuta, nuk ke garanci. Nuk mjaton vetëm të stërvitesh. Për mua kjo është shumë e rëndësishme”, tha Panucci.

Në fund u kap me një prej gazetarëve.

Panucci: Më bëj një pyetje të keqe? Nuk të kanë thënë të më bësh një pyetje të vështirë?

Pyetja në fakt kishte të bënte me çështjen “Zhegrova”.

“Nuk dua t’iu përgjigjem gjërave të tilla. Them që kemi qenë në të njëjtin restorant me Zhegrovën. Nuk kam asgjë kundër Kosovës, përkundrazi respekt maksimal. Ne kërkuam të sjelim një lojtar që donte të vinte te skuadra, por shkoi te Kosova. Është çështje e mbyllur dhe kemi shumë respekt për Kosovën”, mbylli konferencën trajneri i Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button