Ligji për gjuhët, ka vetëm një mundësi për reagim

E vetmja mundësi për reagim në lidhje me mosdekretimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve nga ana e presidentit Gjorge Ivanov është që të ngritet kërkesë deri te Gjykata Kushtetuese që e njëjta të deklarohet nëse presidenti Ivanov me këtë veprim e shkel Kushtetutën. Kështu deklarojnë për Portalb.mk, analisti politik Mersel Bilalli dhe ekspertja juridike Besa Arifi, në lidhje me atë se cila do të ishte mundësia që të tejkalohet ngërçi me ligjin për gjuhët, njofton Portalb.mk.

Mersel Bilalli
Mersel Bilalli

“Duhet që të kërkohet mendim i Gjykatës Kushtetuese se a është shkelje e Kushtetutës nëse presidenti për herë të dytë nuk e dekreton ligjin. Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese duhet të sjell vendim, duke mos hyrë në përbërjen dhe brendinë e ligjit, e as në procedurën e sjelljes së ligjit. Thjeshtë duhet të bëhet kërkesë e fokusuar në atë se presidenti a bën shkelje të Kushtetutës me rastin e mosdekretimit për të dytën herë”, vlerëson për Portalb.mk analisti Bilalli.

Edhe ekspertja juridike Arifi, vlerëson se nuk ka zgjidhje tjetër momentale përveç që të dorëzohet kërkesë deri te Gjykata Kushtetuese e cila do të duhej ta shqyrtojë vendimin e Ivanovit, i cili është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Duhet të bëhet kërkesë në lidhje me kompetencat e presidentit të shtetit dhe kryetarit të Parlamentit për shkak se presidenti ndërhyn dukshëm në punën e Kuvendit dhe me këtë e shkel Kushtetutën dhe në këtë drejtim nuk mund të ngrihet për momentin procedurë për impiçment, pasi që mund të ngrihet, por për shkak se nuk ka shumicë nuk mund të shkojë deri në fund, ndërsa nga ana tjetër mund të ngritet një kërkesë deri te Gjykata Kushtetuese që të vendos në lidhje me kohezionin rreth ingerencave. Diçka tjetër nuk mund të bëhet pasi që nuk mund të detyrohet presidenti ta nënshkruajë ligjin, ndërsa, po e nënshkruajti dy herë kryetari i Kuvendit edhe për atë do të jetë problem, pasi që të njëjtën gjë edhe ai nuk mund ta bëje se Kushtetuta është e qartë”, thotë Arifi.

 

Me një “po” të Gjykatës Kushtetuese a do të hynte në fuqi ligji për gjuhët?

Nëse Gjykata Kushtetuese do ta shqyrtonte një kërkesë të këtillë dhe nëse do të vendoste që “po presidenti e ka shkelur kushtetutën me mosdekretimin e ligjit për gjuhët për të dytën herë”, atëherë ka dy variante, ose të hyjë ligji në fuqi me automatizëm, ose të vazhdojë ngërçi derisa të bindet Ivanovi.

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore
Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Bilalli dhe Arifi janë të ndarë për këtë çështje. Për Bilallin vendimi eventual i kushtetueses se Ivanov ka bërë shkelje do të nënkuptonte hyrje në fuqi me automatizëm të ligjin për përdorimin e gjuhëve, ndërkaq për Arifin nuk mund të parashihen gjërat në një situatë të atillë.

“Nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se presidenti është dashur domosdo ta nënshkruaj ligjin, atëherë ligji duhet të dekretohet me automatizëm”, thotë Bilalli për Portalb.mk.

“Nuk e di nëse do të interpretohej një gjë e tillë, mirëpo a do të jetë ajo që do ta përforcojë si vendim edhe njëherë kërkesën legjitime që presidenti ta nënshkruaje ligjin dhe pastaj ta iniciojë procedurën në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo njëherë duhet ta nënshkruajë pasi që nuk ka të drejtë ta bllokoje ligjin. Mirëpo faktikisht nuk ka zgjidhje për atë situatë derisa nuk nënshkruhet nga ana e presidentit. Situata është e paparashikueshme, tamam ngërç, nuk mund të parashihet asgjë”, thotë Arifi.

Portalb.mk, ka kontaktuar me Kuvendin e Maqedonisë për t’i pyetur nëse ka ndonjë aktivitet në lidhje me këtë çështje apo nëse e kanë dorëzuar ligjin në Gazetën Zyrtare për publikim, por ata thanë se kryetari Talat Xhaferi momentalisht ndodhet në Gjenevë dhe se nesër do të kthehet në vend.

Nga Gazeta Zyrtare na thanë se do të na kontaktojnë më vonë pasi që drejtori është në mbledhje.

Ndryshe, ligji për gjuhët u miratuar në Kuvendin e Maqedonisë me 64 vota “për” më 14 mars në atmosferë të tensionuar, pasi që deputetët e VMRO-DPMNE-së në krye me Nikolla Gruevskin kundërshtonin miratimin, pasi që kryetari Xhaferi refuzoi të diskutojë për amendamentet e dorëzuara nga të njëjtët.

Pengesa më e madhe për ligjin është presidenti Ivanov. Ai nuk e dekretoi dy herë radhazi ligjin edhe pse për të dytën herë nuk ka të drejtë kushtetuese të bëjë një gjë të tillë. Me mosdekretimin e ligjit, i njëjti s’mundet të publikohet në Gazetën Zyrtare – pra s’mundet të hyjë në fuqi. Zërat se mund të publikohet edhe pa “aminin” e Ivanovit, VMRO-DPMNE kërcënuar se nëse ndodh një gjë e tillë ata do të dorëzojnë padi penale për kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi dhe për kryetarin e Gazetës Zyrtare.

Tetë skenare të mundshme rreth fatit të ligjit për përdorimin e gjuhëve

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button