PUSHTI

Telefoni celular i Sulë berberit dridhet në tavolinë, pranë pasqyrës, ku jam ulur ta heq mjekrën. Sula e merr telefonin. Thotë:

“Shiko, shiko”!… dhe e kthen telefonin celular kah unë. “Shiko çfarë më shkruan”!…

“Kush o Sulë”? i them, ngase nuk e shoh se kush i shkruan. Telefonin e ka larg.

“Njëra… Shiko, shiko”! vazhdon Sula. “Epo është, bre”!… Telefoni dikur pushon. Pastaj Sula ma shkumon mjekrën. Telefoni përsëri fillon të dridhet. Ai e merr telefonin…

“O Sulë, hajde vëlla, ngutu me ato mesazhe”, i them, “se s’kam shumë kohë”.

“Ja, ja”, thotë, “se i paska punët keq me burrin”.

“Kush, o Sulë”?

“Epo është bre”! e përsërit Sula fjalinë duke e ngritur briskun në ajër e nuk më përgjigjet. E lë briskun mbi tavolinë. I fshin shpejt duart me peshqir, shkruan diçka në telefon, buzëqesh dhe e mbyll telefonin. E lë prapë telefonin aty pranë pasqyrës. Pastaj e merr briskun në dorë, shikohet në pasqyrë e me shpinzën e dorës tjetër i ngre pak flokët prej ballit. Pastaj e nis punën.

S’po të marr vesh, o Sulë. Çka është puna? Kush qenka ajo që unë duhet ta pres këtu ulur para pasqyrës”?! Sula thotë:

“Hajt se bëhet tash… Për pesë minuta jemi gati”, shton. Pastaj i jep bisedës në tjetër anë. “E kam ndërruar zhiletin”… ma bën me dije. Pastaj nis të punojë. Sërish shikohet në pasqyrë. “Është njëra”, thotë. E shoh në pasqyrë, si i qesh fytyra. Pastaj ai i hedh një shikim të shkurtër telefonit që i dridhet për të kushedi të satën herë mbi tavolinë. Bëhet se s’ka ndodhur e s’ndodh asgjë dhe vazhdon t’ia ndërrojë kahen bisedës: “Epo po e prishni lëkurën duke u rruar me zhileta ‘Bic’ ”, thotë. “Nuk duhet kurrë t’i bini fytyrës kontra me ‘Bic’ se dëmtohet rrënja e qimes. Edhe lëkura. Jo kontra”! E shikoj fytyrën time në pasqyrë: ende gjysma është me shkumë, gjysma tjetër e rruar. Sula më pyet:

“A është mirë”?

“Mirë, mirë”, ia kthej, “po ngutu, se kam punë”. Në atë çast kalon dikush pranë dritares. Po edhe telefoni i Sulës dridhet.

“A e njeh këtë ahmak”? më pyet Sula dhe ia hedh një shikim telefonit e buzëqesh.

“Nuk e pashë kush ishte”.

“Eee”, thotë Sula, “ky njeri jeton këtu afër, në një shtëpi si pallat mbreti”. Pastaj i hedh përsëri një sy telefonit që dridhet, e sheh mesazhin, po shtiret se nuk i intereson. E vazhdon muhabetin për njeriun që ka kaluar pranë dritares. “Është diçka në pushtet ky. I madh”, thonë. “I ka edhe tre vëllezër të tjerë. Të gjithë janë të mirë, përveç këtij. Ky është zoti na ruajt”! Ndërkohë në fytyrën time kanë mbetur vetëm disa vija të holla shkume. Përsëri telefoni pranë pasqyrës dridhet. Sula nuk durohet. Më thotë: “Më fal”. Pastaj shton: “Prit ta shoh, mos është dikush tjetër në telefon”. E shikon telefonin. “Ajo qenka”! thotë me gjysmë zëri. I shkruan një mesazh shpejt dhe e lë telefonin aty. Pastaj ma fshin fytyrën me atë peshqir me të cilin para pak çastesh i fshiu duart. Telefoni sërish dridhet. Sula ma hedh peshqirin mbi sup, e merr telefonin, e lexon mesazhin. Kthehet kah unë dhe qesh. Përgjigjet me një mesazh të shkurtër dhe përsëri thotë: “Epo është bre! E di çka më thotë”?… Unë s’ia vari fort, nuk i përgjigjem, s’më bën kureshtar me ato mesazhe. Rri indiferent. Madje ngapak po filloj të nervozohem, sepse më pret puna. Po Sula ka nevojë të më tregojë. “Hej, kjo i ka katër fëmijë… e di çfarë më shkruan?… më thotë: llokum… Kërkon të takohemi… Çka t’i bëj vëlla? Vet e kërkon”! Unë vetëm e dëgjoj. Nuk i flas. Sula e kupton se mua nis të më ngrihet tensioni. Atëherë e kthen rrjedhën e fjalëve në muhabete partish. “Epo, thotë, kurrgjë s’bëjnë këta të partisë! I kanë trashur qafët e veta dhe i kanë mbushur xhepat! Si ai që kaloi pak më parë. E kanë bërë nga një dashnore, u ka dhënë shteti një veturë me shofer, e hajt!… Aq. Dhe, e kanë harruar popullin. Pushta janë këta! Kush mërzitet për të varfrit, kush mërzitet për punëtorët?! Kujt i ha palla për ne?! Për ne do të lodhen këta pushta?!… Çfarë mund të presim prej pushtave”? thotë Sula. “Ata për një dashnore e shesin popullin”.

“O Sulë”, i them.

“O hoja”, ma kthen me një ton shakaje.

“Sa fëmijë i ke, o Sulë”?

“Katër”, thotë.

“Zoti t’i ruajt”!

“Faleminderit”. Pastaj Sula thotë: “Gati! Me shëndet”!

Sapo çohem në këmbë, Sula tregon me gisht kah dritarja: “Shikoje këtë ‘të madhin’! Po kthehet. Tre fëmijë i ka e veç bredh me një dashnore. E këqyr vetëm qejfin e vet. Pusht! Njerëzit si ky na morën në qafë”! thotë Sula. “Pushti i dreqit”!…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button