Limaj: Ndryshimet në PDK janë të nevojshme

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj ka vlerësuar se reformimi i brendshëm i subjektit të tij politik është i domosdoshëm dhe se për këtë arsye pranë organeve drejtuese të partisë do t’i paraqes idetë që ka për realizimin e këtij procesi.

Në një takim me gazetarët dhe intelektualët e Prizrenit, Limaj nuk ka komentuar nëse ka çarje në marrëdhëniet personale me kreun e partisë dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe as që ka precizuar nëse synon marrjen e udhëheqjes së partisë, por ka pranuar se ndryshimet në PDK janë të nevojshme, së paku në mënyrën e shpërndarjes së përgjegjësisë për postet politike, transmeton Koha.net.

“PDK-ja duhet me e ndal trendin e shpërblimit me poste apo dhënien e tyre falas”, ka thënë Limaj.

Sipas tij ka ardhur koha që “PDK-ja ta rishikojë dhe rifreskojë veten, të rigjenerojë forcat dhe energjitë, në mënyrë që të ec përpara”.

Deputeti Limaj, i cili javë më parë u shpall i pafajshëm nga akuzat për krime lufte si ish-komandant i UÇK-së, ka theksuar se subjekti i tij politik duhet të merr parasysh kriteret profesionale dhe meritokracinë gjatë emërimit të kuadrove të veta në postet e rëndësishme politike.

“Nuk duhet të ketë më shpërblime me poste. Por, secili duhet të dal dhe të matet me vota, ngase vota sjell me vete edhe përgjegjësinë për tu përballur me qytetarët. Ka ministra që janë të pa votuar dhe ata njerëz nuk kanë përgjegjësi para votuesve. Mendoj se këto gjëra duhet të qartësohen brenda PDK-së, sepse unë dua me e pa PDK-së të fortë, që me i shërbye vendit në mënyrën e duhur”, ka deklaruar Limaj. /Telegrafi

 

Lajme të ngjashme

Back to top button