Sa mund ta ndihmojë drejtësinë për Almirin Komisioni Anketues i BDI-së?

Iniciativa e BDI-së për formimin e Komisionit Anketues për rastin e vdekjes së katërvjeçarit Almir Aliu, mund të ndihmonte procesin gjyqësor, por nuk mund ta ndryshojë vendimin gjyqësor, vlerëson eksperti juridik, Bekim Kadriu, ndërkaq analisti politik Robert Nesimi vlerëson se kjo iniciativë është “hedhje pluhuri” mbi problemin real – shkarkimin e prokurorëve publik dhe gjykatësve se sa të ketë ndonjë sukses, shkruan Portalb.mk.

“Ideja nuk është e keqe, komisionet duke dhënë rekomandime mund ta ndihmojnë procesin, por zgjidhja përfundimtare duhet të kërkohet në institucione gjyqësore, respektivisht në prokurori”, thotë Kadriu.

Nga ana tjetër, Nesimi thotë se formimi i Komisionit Anketues për rastin e Almir Aliut është me qëllim të përfitimit të pikëve politike nga BDI dhe hedhje pluhuri ndaj problemit real – shkarkimin e prokurorit Publik, Lubomir Joveskit dhe ministrit të Drejtësisë, Bilen Saliji.

“Prej përvojës së deritashme të funksionimit të parlamentit në Maqedoni, komisionet për secilin rast gjyqësor që janë hapur, asnjëherë nuk kanë dhënë ndonjë rezultat për atë për çfarë janë krijuar. Dyshoj se edhe ky komision do të ketë ndonjë sukses. Më shumë e shoh si hap për përfitim pikësh politike, nga BDI-ja apo hedhje pluhuri mbi problemin real – shkarkimi i prokurorit publik, Lubomir Joveski”, thotë Nesimi.

Edhe pse me funksion rekomandues, jovendimprurëse dhe historikisht të dështuara, nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se nëse është nevoja ata do të formojnë me dhjetëra Komisione Anketuese sepse shqyrtojnë problemin se pse ndodhin keqpërdorimet në gjyqësor.

“Nëse është e nevojshme ne do të formojmë edhe njëzet komisione. Pjesë e deklaratës së subjekteve politike shqiptare janë të gjitha problemet e gjyqësorit të cilat i ka shkaktuar udhëheqësia deri më sot. Ne nuk përzihemi në gjyqësor. Gjyqësori është i pavarur nga Parlamenti. Është çështje e gjyqësorit, se çfarë vendimi do të marrë. Ne edhe nuk kemi ingerenca por as mundësi. Ne vetëm shqyrtojmë problemin se pse ndodhin të gjitha këto keqpërdorime në gjyqësor”, tha për Portalb.mk, deputeti Rexhail Ismaili.

LEXO: “Drejtësi për Almirin” reagon ndaj iniciativës së BDI-së për formim të Komisionit Anketues!

Formimin e Komisionit Anketues për rastin e Almir Aliut, Iniciativa Qytetare “Drejtësi për Almirin” e ka vlerësuar si  zvarritës të procesit të zbardhjes së të vërtetës dhe vonim të së drejtës. Nga kjo inciativë qytetare thonë se kërkesa e tyre ishte e qartë- shkarkim i prokurorit publik, Lubomir Joveski.

Kur mund të formohet Komision Anketues?

Komision Anketues u paralajmërua edhe për rastin gjyqësor “Lagjja e trimave”. Nga BDI kohë më parë patën thënë se ai do të formohet kur procesi gjyqësor të kalojë në fazën e dytë- në Gjykatën e Apelit ku edhe tashmë është, por edhe pas pesë muajve nga vendimi gjyqësor asnjë iniciativë ndërkohë që dje morën inciativë për formimin e Komisionit Anketues për rastin e Almir Aliut për të cilin ende nuk janë thënë fjalët përfundimtare.

Sipas profesorit të juridikut, Bekim Kadriu: “Nuk ka përcaktues kohor se në çfarë faze duhet të jetë rasti gjyqësor që të mund të formohet komisioni. Ai mund të bëhet në fillim por edhe pas përfundimit të rastit gjyqësor”.

Ndërkaq nga BDI thanë se Komisioni Anketues do të formohet: “Varësisht prej kohës. Ne jemi dëshmitar që Kuvendi është i bllokuar në të gjitha anët. Ne i kemi prioritetet. Deri tash e kishim ligjin e gjuhëve, tash me zgjidhjen e problemit, do të vazhdojmë me pikat tjera të Deklaratës së Përbashkët të Partive Shqiptare rreth gjyqësorit”, tha deputeti Rexhail Ismaili.

Ndryshe, vite më parë u formua Komision Anketues për rastin “Sopoti”, vendimi i atëhershëm ishte që të ripërtërihet procesi gjyqësor, mirëpo ky vendim nuk u mor parasysh nga gjykata. Komisione Anketuese ka pasur edhe për përgjimet e paligjshme, falsifikimin e letërnjoftimeve, për të “Hënën e Zezë” që ndodhi më 24 dhjetor të vitit 2012 dhe për zgjidhjen e problemit me njësitë zgjedhore në Maqedoni, por ato dështuan pa sjellë ndonjë rekomandim për rastet për të cilat u formuan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button