Maqedoni, filloristët në afat të pacaktuar do të vazhdojnë të mësojnë me librat me gabime skandaloze!

Nxënësit e shkollave fillore do të vazhdojnë të mësojnë me librat e Kembrixhit, të cilat janë të stërmbushura me gabime drejtshkrimore, por edhe kontekstuale. Ministria e Arsimit dhe Shkencës thotë se po kryhet revizion, megjithatë nuk jep detaje nëse deri në fillim të vitit të ri shkollor do të largohen gabimet e shumta të cilat kryesisht janë bërë gjatë përkthimit dhe adaptimit të librave, shkruan Portalb.mk.

“Revizioni nuk ka afat të caktuar se kur do të duhet të përfundojë. Është duke u bërë revizion së pari i planprogramit mësimor ku normalisht përcaktohen edhe me cilat tekste do të punojnë mësimdhënësit dhe do të kontrollohen të njëjtat për gabime të natyrave të ndryshme që më pas të përmirësohen ose nëse cilësohen jo adekuate të tërhiqen nga përdorimi dhe të ndryshohet planprogrami”, tha për Portalb, zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), Vladimir Dellov.

Iniciativat e Ministrisë së Arsimit, për evidentimin dhe përmirësimin e gabimeve në tekstet shkollore, për Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë, janë të pa mjaftueshme, pasi që sipas tyre, arsimit shqip i nevojiten tërësisht tekste të reja dhe strategji e re arsimore, sepse strategjia e mëparshme nuk ka treguar rezultat.

“Kërkojmë strategji të re, kërkojmë tekste të reja, duhet të ndryshojnë të gjitha programet sidomos problemi i shqiptarëve është programi nëntë vjeçar sepse ne mësojmë Abetaren në klasën e dytë fillore ndërsa në të gjitha trojet shqiptare dhe shtetin amë, mësohet nga klasa e parë. Problemi kryesor me mospranimin e Abetares është për shkak të strategjisë në programet mësimore”, tha për Portalb.mk kryetari i LASH-it, Nuhi Dardhishta.

Ndryshe, si rezultat i kritikave të shumtaQeveria vitin e kaluar mori vendimin që nxënësit e shkollave të mesme të mos mësojnë me programin e Kembrixhit, por nuk e bëri një gjë të tillë edhe për shkollat fillore.

Në janar të këtij viti Kuvendi miratoi propozim ligjin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për tekstet shkollore në arsimin fillorë dhe të mesëm. Siç deklaroi zëvendësministri për arsim, Arbër Ademi, me ndryshimet e reja i hapet rrugë korrigjimit të shpejtë të gabimeve në tekstet shkollore.

“Në qoftë se konstatohet se në një tekst shkollor të miratuar ka nevojë për korrigjim ose plotësim të tekstit shkollor, nga aspekti profesional, nga aspekti metodologjik, teknik, por ç’është e rëndësishme edhe aspekti i përkthimit dhe i adaptimit, atëherë shërbimi pedagogjik do të kërkojë nga botuesit, respektivisht nga autorët që të bëjnë plotësime dhe korrigjim të tekstit shkollor”, tha Arbër Ademi, zv/ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Në qoftë se botuesit dhe autorët nuk i përmbahen kërkesave për ndryshimet e teksteve shkollore, atëherë Ministria do t’u marrë lejen për përdorim të atij teksti shkollor.

LEXO MË SHUMË:

Dy dekada “reformim” të pasuksesshëm të sistemit arsimor, shqiptarët mbeten në vendnumëro

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button