Shqipëri, prodhohet raki hashashi!

Rrugët e trafikimit të kanabisit nga Shqipëria në Europën Perëndimore duket se përherë e më shumë po ngushtohen. Kjo i ka detyruar shqiptarët të krijojnë mënyra të reja dhe alternative të përdorimit të kësaj bime.

Kështu, në zonat e thella të Përmetit, kultivuesit e lëndës narkotike kanë bërë një shpikje të veçantë. Bëhet fjalë për prodhimin e rakisë së hashashit, e cila, siç raporton Engjëll Serjani, ka pasur mjaft sukses edhe pse është ende në fazë eksperimentale.

Procesi teknologjik i përftimit të produktit alkoolik është i thjeshtë dhe tërësisht i ngjashëm me atë të rakisë së rrushit. Kultivuesit e hashashit paraprakisht përziejnë mushtin e rrushit të shtrydhur me sasi gjethesh dhe boçesh të hashashit.

Prodhuesit e teknologjisë novatore nuk e tregojnë raportin e përzierjes së lëngut të rrushit me masën e lëndës narkotike. Pas përfundimit të procesit të fermentimit të mushtit të përzier, lëngu i fermentuar vendoset për zierje në kazanët e bakrit.

Pas përfundimit të procesit të distilimit në kazanët prej bakri, përftohet një lëng i bardhë me aromë dhe shije hashashi. Sipas prodhuesve të saj, rakia e hashashit vjen më e butë, ka shije më të mirë dhe efekte më të ndryshme nga ajo e rrushit.
Prodhuesit klandestin e kanë më të lehtë të shmangin kontrollet e policisë duke trafikuar lëngun e rakisë, se vetë hashashin.

Disa emigrantë përmetarë kanë filluar ta eksportojnë rakinë e hashashit në Greqi. Një litër raki hashashi në tregun ilegal grek kushton 25 Euro. Pritet që shumë shpejt ky produkt i ri të gjejë shtrirje edhe në zona të tjera ku hashashi është depozituar e fshehur.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP