Xhaferi: Gruevski s’mund të dënohet për sjelljet në Kuvend, dënimin e ka marrë në zgjedhje

Kryetari i parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se ligji i gjuhëve pritet të hyjë në fuqi dhe se ai përmbyll ligjvënien që buron nga Marrëveshja e Ohrit. Xhaferi thotë se ligji përafron statusin e qytetarëve në kuptim të të drejtave të tyre kolektive në Maqedoni.

Kryetari i parlamentit të Maqedonisë thotë se në kontekstin e ligjvënies të gjitha procedurat janë përmbyllur për ligjin e gjuhëve dhe ligji i miratuar duhet të zbatohet. Ndërsa paralajmërimin e presidentit Ivanov për të mos e dekretuar ligjin, e vlerëson si moszbatim të detyrimit kushtetues dhe çështje të përgjegjësisë së presidentit.

“Unë nuk dua të komentoj çështjet e përgjegjësisë për faktin që kushtetuta nuk lë hapësirë alternative për të zgjedhur se a do ta nënshkruajë ose jo ligjin. Ai është i obliguar konform nenit 75 të kushtetutës. Për momentin, unë jam duke pritur kohën e paraparë me kushtetutë dhe ligjet përcjellëse; Nëse në rastin e parë afati është shtatë ditor, me analogji edhe në këtë rast duhet të ketë atë përkufizim, për faktin që është detyrim dhe detyrimi nuk ka afat dhe kushtetuta nuk parasheh afate për zbatimin e saj. D.m.th. është obligim i prerë i tij. Në këtë drejtim, janë çështje të zbatimit dhe të ekzekutimit të normave ligjore, që është kompetencë e pushtetit ekzekutiv”, tha ai.

I pyetur lidhur me incidentin e nxitur nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski gjatë votimit të ligjit për gjuhët dhe sjelljet e tij të dhunshme, kryetari i parlamentit tha se rregullorja e parlamentit nuk parasheh ndonjë lloj sanksionimi.

“Ligjet tona nuk parashikojnë norma ndëshkuese për sjelljet e deputetëve brenda sallës plenare dhe për këtë arsye mendoj se nuk duhet as të mendohet në atë drejtim, për faktin që deputetët të vetmen përgjegjësi që kanë është ajo morale dhe politike dhe përgjegjësia politike shprehet në zgjedhje parlamentare. Është fotografi e qartë se çfarë ndëshkimi ka marrë vetë Nikolla Gruevski në zgjedhjet parlamentare të 2016-ës dhe në ato lokale të 2017-ës”.

Në lidhje me njoftimet e VMRO-DPMNE-së se do të ngrejë një mocion votëbesimi për Xhaferi për shkak të mënyrës së votimit të ligjit për gjuhët, Xhaferi tha se VMRO-ja ka zgjedhur rrugën mediatike të komunikimit dhe se në parlament nuk ka një material të dorëzuar për këtë çështje.

Sa i përket tubimeve kërcënuese të përkrahësve të VMRO-DPMNE-së para shtëpive të ligjvënëse të Lidhjes Social Demokrate, Xhaferi theksoi se kjo mënyrë nuk ka të bëjë me të drejtën e protestës apo të shprehjes së pakënaqësisë të caktuar me ligj.

“Në momentin kur ajo e drejtë shndërrohet në dhunë apo cenim të jetës dhe pronës së tjetërkujt, ajo nuk është më protestë dhe nuk është mendim ndryshe. Ajo është akt i dënueshëm dhe për atë kanë përgjegjësi institucionet përkatëse, të cilat duhet ta sigurojnë jetën dhe pronën, jo vetëm të deputetëve por edhe të çdo qytetari në Republikën e Maqedonisë. Është e patolerushme që në bazë të mendimit ndryshe, dikush të marrë drejtësinë në duart e veta. Këto veprime e rëndojnë edhe më tepër peshën e asaj që nënkupton kryerjen e një vepre të dhunshme”.

Xhaferi vlerëson se zhvillimet që ndërlidhen me mënyrën e dhunshme të protestave mund të kenë ndikime negative mbi vendimet e Brukselit për fillimin e bisedimeve të Shkupit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Ndërkaq, akti i miratimit të ligjit nuk mund të ketë ndikim negativ në vendimet e Komisionit Evropian, në aspektin e progres-raportit që pritet në prill të këtij viti, për faktin që nevoja për ligjin buron nga Marrëveshja e Ohrit, gjegjësisht nga kushtetuta e Republikës së Maqedonisë dhe me këtë përmbyllet edhe një çështje e ligjvënies në kuptimin e atij që është përcaktim legjislativ i Marrëveshes së Ohrit. Dhe, përkundrazi, miratimi i ligjit do të ndikojë pozitivisht në marrëdhëniet ndëretnike brenda Maqedonisë sepse përafron statusin e qytetarëve në kuptimin e të drejtave kolektive”, shprehet kryetari i Parlamentit të Maqedonisë.

Me shumë tensione në Kuvend, u miratua ligji për përdorimin e gjuhëve (VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button