Videoklipi rrëqethës i Thomas Strakoshës dhe këshilla e të atit (VIDEO)

“Bir i babit, që të rrëzohesh në këtë profesion nuk është dobësi, por është shtytje që të ngrihesh edhe më i fortë”.

 Me këtë këshillë nga i ati i tij, legjenda e portës kuqezi Foto Strakosha, dhënë për të birin që aktivizohet në radhët e ekipit bardhekaltër të Lacios, nis edhe një video speciale kushtuar portierit 23-vjeçarit Thomas Strakosha, e gjitha në shqip dhe e titruar italisht, transmeton TCH.

“Që kur isha i vogël kisha vetëm një ëndërr, të bëhem portieri më i fortë në botë! Prandaj jetoj vetëm për futbollin. Stërvitesha tri herë në ditë për të bërë ëndrrën time realitet”, nis rrëfimin talenti i kuadratit të përfaqësueses shqiptare. “Jam lindur e kam jetuar duke admiruar vetëm një njeri në jetën time. Ai është babai im, idhulli im, Fotaq Strakosha”.

Historia vetëm sa ka filluar…

“Më quajnë Thomas Strakosha dhe kjo është historia ime. Kuptova që në fillim se ishte e vështirë të largohesha nga shtëpia për të jetuar vetëm. Por këtë po e bëja për ëndrrën time, ndaj nuk e kisha problem. Sigurisht që kur të tjerët nuk kishin ende besim tek unë, më ngrohte vetëm besimi i familjes sime e më tej besimi që pati tek unë trajneri im (Simone) Inzaghi dhe drejtori sportiv Igli Tare”, rrëfen portieri kuqezi.

Në fund flet edhe mbi numrin 1, atë që mban mbi shpinë, e për rolin që mbulon, të cilin shumë mund edhe ta konsiderojnë si pozicioni më i keq në fushë.

“Numri 1 është diçka më shumë sesa një numër tjetër. Kjo, sepse gjithmonë është portieri ai që paguan i pari për gabimet, por edhe i fundit që përgëzohet nga një ndeshje e mirë. Portieri ka gjithmonë një detyrim: të ndërhyjë ose jo, por duke e bërë këtë shumë shpejt. A është një pozicion i keq portieri? Ndoshta, por a e keni provuar ndonjëherë?”, shprehet Thomas Strakosha.

Videoklipi prezantohet nga kanali zyrtar i Lacios në rrjetin social Facebook, pikërisht në ditën kur Strakosha mbushi 23 vjeç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button