Materialet për rastin “Monstra” në Prokurorinë Speciale

Materialet për rastin “Monstra” janë dërguar në Prokurorinë Speciale Publike (PSP). Këtë e konfirmojnë për Portalb.mk, nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, pasi që më 12 mars të këtij viti, Katica Janeva ka dorëzuar kërkesë që t’i marrë kompetencat për këtë lëndë, shkruan Portalb.mk.

“Lënda “Monstra” është dorëzuar deri te Prokuroria Speciale Publike, gjatë javës së kaluar”, thonë shkurt për Portalb.mk, nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.

Nga PSP na deklaruan se materialet po shqyrtohen dhe do të vendoset nëse do të deklarohen për të njëjtën.

Nuk dihet nëse Prokuroria Speciale disponon me materiale të përgjuara edhe pse në opinion shpesh është përfolur se ka përgjime të cilat dëshmojnë se personat që janë burgosur kanë qenë të pafajshëm. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryeministri aktual, duke dëshmuar se vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës nuk e kanë bërë personat që janë vendosur prapa grilave.

Ndryshe, Halil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët si dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri përkohësisht është liruar nga burgu (për shkaqe shëndetësore) pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Maqedoni nuk mbajnë. Zyra e Besnik Berishës, avokati i dy shqiptarëve nga Shkupi, ka njoftuar asokohe se vendimi përfundimtar për pafajësinë e Ismailoviqit dhe Demirit është shqiptuar ditë më parë, pas përfundimit të dënimit me nga 2.5 vjet në burgun e Dubravës për armëmbajtje pa leje.

 

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Te të arratisurit nga drejtësia e Maqedonisë, policia kosovare kishte gjetur një arsenal të tërë armësh, të cilat Afrim Ismailoviqi i kishte arsyetuar me nevojën që të dy kishin për t’u mbrojtur, pasi siç kishte thënë ai në Prokurori, ndiqeshin nga shërbimet sekrete të Maqedonisë.

LEXO NË LIDHJE ME TEMËN:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button