Haxhiu flet për qëndrimin e Vetëvendosjes lidhur me seancën e nesërme për Demarkacionin

Vetëvendosje, ka ripërsëritur qëndrimin se nuk do ta votojnë marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, e cila pritet që nesër të marrë epilog përfundimtar.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se VV-ja, nuk ka ndryshuar qasje sa i përket ratifikimit të marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, transmeton Telegrafi.

“Votë të Vetëvendosjes për versionin aktual të demarkacionit, nuk ka dhe nuk do të këtë asnjëherë. Qëndrimi i ynë lidhur me demarkacionin, nuk ka ndryshuar, pasi që nuk ka ndryshuar as marrëveshja. Në fakt i vetmi person që ka ndryshuar tashmë është kryeministri Haradinaj”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka përmendur kohën kur Haradinaj ishte në opozitë dhe kundërshtonte marrëveshjen aktuale, për të cilin ka thënë se ka ndryshuar qëndrim për të ruajtur karrigen e tij.

“Duhet të kemi parasysh vendimin e Haradinajt kundër kësaj marrëveshje, kur ishte ne opozitë, dhe sigurisht qasja e tij për ne është e pa pranueshme. Ne i kemi dërguar letër publike përmes kryetarit Albin Kurti, po ashtu në deklarimet tona publike i kemi bërë thirrje dhe kem dhënë angazhimin tonë, duke deklaruar se do të kontribuojmë nëse ka gatishmëri që të tërhiqet nga versioni aktual, mirëpo nuk ka pasur tërheqje. Siç duket, Haradinaj e do më tepër karrigen e tij  se vendin”, ka thënë Haxhiu.

E pyetur për seancën e nesërme, ku pritet të votohet marrëveshja, Haxhiu ka thënë se nuk beson se Qeveria i ka votat për ratifikim.

“Qeveria nuk i ka numrat për ta kaluar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Edhe sikur të ishte marrëveshja mirë kur diskutohet për territorin, duhet menduar disa herë sepse është një çështje elementare për Kosovën. Deputetët duhet të i thërrasin mendjes”, tha ajo.

Sa i përket rrëzimi të Qeverisë Haradinaj, Haxhiu ka theksuar se, Qeveria aktuale duhet rrezuar, jo për shkak të mos votimit të marrëveshjes,  por, për shkak të  votimit të saj, pasi ka thënë është krejtësisht në dëm të Kosovës.

Haxhiu ka folur edhe për vendimet e fundit të Qeverisë Haradinaj, për të cilat ka thënë se janë të kundërligjshme…

“Vetëvendosje nuk ka parë ndonjë qasje ndryshe sa i përket çështjeve të tjera, ekonomike, sociale, pra nuk kemi parë një Qeveri ndryshe në të mirë të qytetarëve. Në fakt, çfarë kemi parë është një angazhim maksimal për pasurim të vetvetes për privilegje dhe vendime të kundërligjshme për pagat, numrin e këshilltarëve… pra kemi shumë arsye për ta rrëzuar këtë qeveri. Ne duhet të angazhohemi në këtë drejtim, pikërisht për shkak të keqqeverisjes dhe dëmeve që po i bëhen vendit me qeverinë Haradinaj”, tha në fund Haxhiu.

Ndërkaq kujtojmë se kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ditë më parë u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit jenë nesër në seancë dhe të votojnë pro marrëveshjes së demarkacionit, pasi sipas tij, nuk ka arsye të mos votohet Demarkacioni.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Si e tillë, kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës.

Komisioni Evropian e ka bërë të qartë se pa ratifikimin e demarkacionit, Kosova nuk do të mund të përfshihet në zonën e lëvizjes së lirë, brenda BE-së, pa viza. Zyrtarë nga Bashkimi Evropian në vazhdimësi janë duke kërkuar që institucionet të mos vonojnë me përmbushjen e kritereve, nëse synojnë liberalizimin e vizave në një afat më të shpejtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button