“Deti” me grekët, Ilir Meta jep autorizimin…edhe për Tsiprasin në Korçë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë,  Ilir Meta firmosi autorizimin për lëshimin e plotfuqisë për nisjen e negociatave për marrëveshjen e re të kufirit detar me Greqinë. Autorizimi është gati për të shkuar në tryezën e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, moment pas të cilit lëshohet plotfuqia dhe dy grupet e punës ulen në tryezën e negociatave me dosje dhe harta në dorë, transmeton TCH.

Bushati dhe Meta patën një korrespondencë prej dy raundesh me pyetje-përgjigje pa të cilat kreu i shtetit pat deklaruar se nuk do të bindej për dhënien e autorizimit.

Lajmi vjen në një kohë kur dy ministrat e jashtëm të të dy vendeve Bushati dhe Kotzias po takohen në Bruksel dhe dhënia e autorizimit të kreut të shtetit i jep zgjidhje ngërçit që u krijua javët e fundit e që fillimisht reflektoi tension mes dy institucioneve shqiptare.

Dhënia e autorizimit të plotfuqisë për marrëveshjen e ndarjes së kufirit detar është një shenjë pozitive për avancimin e bisedimeve të bllokuara me Greqinë dhe zhbllokon dhe vizitën e kryeministrit grek Aleksis Tsipras për pashkë në Korçë më 8 prill.

“Presidenti autorizoi nisjen e negociatave Shqipëri-Greqi për kufizimin e zonave te tyre detare nëe përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, akteve ndërkombëtare, kuadrit të brendshëm ligjor në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit teritorial juridiksionit kombëtar, garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit”, thotë Presidenca.

Pas mbërritjes më 7 mars të dosjes voluminoze me përgjigje nga Ministria e Jashtme në drejtim të Presidencës, garancitë se gjërat do të ecnin me mirëkuptim i përforcoi dhe Kryeministri Rama, i cili i shkoi në zyrë Presidentit Meta.

Si Presidenti, edhe kreu i Qeverisë kanë premtuar publikisht se negociatat për një marrëveshje të tillë do të bëhen vetëm sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo marrëveshje është pjesë e rëndësishme e paketës së diskutimeve dypalëshe Bushati-Kotzias në Kretë dhe Korçë, me të cilën Shqipëria dhe Greqia synojnë të mbyllin kapitullin e çështjeve që herë pas here kanë tensionuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

Pritet abrogimi i ligjit të luftës, është arritur marrëveshja për ndërtimin e varrezës së ushtarëve grekë në Shqipëri, marrëveshja për vulën apostile dhe së shpejti pritet dhe ajo për lejet e drejtimit të automjeve.

Të gjitha këto do të diskutohen në Korçë gjatë takimit Rama-Tsipras, takim i cili duket se pas autorizimit do të zhbllohet. Ndërkohë në një takim tjetër zyrtar dy kryeministrat pritet të firmosin dokumentin e ri strategjik të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka pranuar ftesën e Edi Ramës për të kaluar Pashkët Ortodokse së bashku me familjet e tyre, por edhe në shoqërinë e ministrave Bushati dhe Kotzias, në datën 6-8 prill, ndërsa mbetet ende e pakonfirmuar data e vizitës zyrtare të tij në Tiranë, ku më e mundshme është përcaktimi i saj në 10-12 prill, ose diku rreth fundit të prillit, nëse do të vendoset për firmosje të të gjithë marrëveshjeve të dakortësuara.

Një ditë më parë, përmes një interviste për gazetën greke “To Vima”, Ilir Meta tha se marrëveshja e re për kufirin detar nuk duhet të kalojë “vijën e kuqe”, që ai tha se është vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, kur argumentoi rrëzimin e marrëveshjes Berisha-Karamanlis të 2009.

“Shqipëria dhe Greqia janë të interesuara që marrëveshja për detin të jetë ligjërisht e përkryer, praktikisht e zbatueshme dhe përfundimisht e pakthyeshme”, ka thënë ai.

Ilir Meta refuzoi të japë më herët autorizimin për plotfuqishmërinë e Bushatit duke kërkuar që të saktësohet objekti i qartë për autorizimin e plotfuqisë, si dhe të plotësohen emrat, funksionet dhe profesionet e atyre që do të jetë pjesë e grupit negociator.

“Presidenti s’mund të anashkalojë asnjë moment. Nuk mund të bëhem pjesë e asnjë cenimi të Kushtetutës, të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të asnjë bashkëfajësie, qoftë edhe padashje”, deklaronte Meta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button