ROMACTED, programi për forcimin e pozitës së romëve në nivel lokal

 Në Shkup u prezantua programi ROMACTED me temë “Promovimi i qeverisjes së mirë dhe përforcimi i romëve në nivel lokal” i financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Këshilli i Evropës, raporton Anadolu Agency (AA).

Qëllimi i programit është që romëve t’u ofrojë mundësi duke qenë faktorë dhe pjesëmarrës në procesin e vendimmarrjes në nivel lokal. Lidhur me këtë, do të formohen grupe pune të cilat do të jenë të përbëra nga përfaqësues të komunitetit rom dhe nga komuna.

Ministri pa Resor i Maqedonisë, Axel Ahmedovski, tha se nisma ka për qëllim që përfaqësuesit e komunitetit rom të takohen në ambientet e komunës dhe të mos ndjejnë se komuna është e mbyllur për romët.

Sipas tij, një nga detyrat do të jetë që komuniteti rom të jetë i përfaqësuar në nivel lokal dhe ndërkombëtar duke gjetur financa për disa nga problematikat të cilat prekin këtë komunitet.

“Pa një koordinim siç është ky, janë të pamundura politikat publike për përmirësimin e gjendjes së romëve. Në këtë drejtim, unë rekomandoj forcimin e angazhimit politik të autoriteteve lokale, që do të shërbejnë si një qasje demokratike përmes pjesëmarrjes aktive të komunitetit rom në procesin e planifikimit, krijimit, vendosjes dhe monitorimit të aktiviteteve dhe planeve që synojnë përmirësimin e komunave të tyre”, tha ai.

Ministrja për Punë dhe Politikë Sociale e Maqedonisë, Milla Carovska, tha se bashkëpunimi me Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian në këtë projekt ka kuptimin e një partneriteti i cili na çon drejtë një Maqedonie inkluzive si shtet evropian.

“Besoj se këto 12 komuna të cilat tashmë komunikojnë përmes këtij projekti, do të japin rezultate të mira në vitet e ardhshme, sepse përmes kësaj do të mund të mësojmë bashkë se çfarë në fakt është përfshirja e cila si e tillë jep rezultate në përmirësimin e cilësisë së jetës”, tha Carovska.

Kreu i sektorit për bashkëpunim në delegacionin e BE-së në Shkup, Nikolla Bertolini, tha se me aksione të tilla stimulohen pushtetet lokale që është një sfidë serioze.

“Forcimi i bashkësive lokale është i një rëndësie të veçantë. Përkundër ndërhyrjeve të shumta në vitet e kaluara, diskriminimi dhe përjashtimi i romëve ende ekziston në komunat tuaja”, tha ai për të sqaruar se diskriminimi luftohet përmes përfshirjes së romëve në pushtetin lokal ku jetojnë, pastaj përmes zbatimit të strategjisë kombëtare.

Programi në fjalë zbatohet që nga viti 2011 dhe deri më sot ka përfshirë 12 komuna. Bëhet fjalë për një program rajonal të Këshillit të Evropës.

Për realizimin e tij qeveria ka ndarë tre milionë denarë në kuadër të buxhetit të Ministrisë së Pushtetit Lokal për vitin 2018.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button