Putin edhe gjashtë vjet në krye të Rusisë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do ta udhëheqë këtë vend edhe për gjashtë vjet, pasi ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet presidenciale të së dielës.

Me gati të gjitha votat e numëruara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se Putin ka fituar 76.67 përqind të tyre, ndërsa pjesëmarrja në votime ka qenë 67.47 përqind, përcjell REL.

Sipas Komisionit Zgjedhor, kandidati i Partisë Komuniste, Pavel Grudinin, ka dalë i dyti me 11.82 përqind, i ndjekur nga ultranacionalisti Vladimir Zhirinovsky me 5.68 përqind dhe gazetarja Ksenia Sobchak me 1.66 përqind.

Katër kandidatët e tjerë kanë pasur 1 përqind ose më pak.

Putin, 65 vjeç, i është adresuar masës përpara Kremlinit, një orë para mesnatës së shkuar, duke i falënderuar votuesit për mbështetjen.

“Ne jemi patjetër të destinuar për të arritur sukses, apo jo? Faleminderit shumë. Së bashku do të bëjmë punë të madhe, në emër të Rusisë”, ka thënë Putin.

Duke folur për gazetarët, Putin ka thënë se nuk planifikon të ndryshojë Kushtetutën e Rusisë tash për tash.

Kufizimi ekzistues i dy mandatave të njëpasnjëshme presidenciale nënkupton që Putin nuk do të mund të garojë sërish për president në vitin 2024, pa e ndryshuar Kushtetutën, por do të mund ta bënte një gjë të tillë në vitin 2030.

“Tani për tani nuk po planifikoj ndonjë reformë kushtetuese”, ka thënë Putin.

Putin gëzon popullaritet të madh në kohën kur po bëhen katër vjet prejse Moska ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë. Ky veprim dhe ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Siri shihen si suksese patriotike.

Videot e postuara në mediat sociale kanë treguar parregullsi gjatë zgjedhjeve në disa qytete në Rusi. Sipas disa pamjeve, zyrtarët zgjedhorë i kanë mbushur kutitë me fletëvotime.

Por, sipas agjencisë ruse të lajmeve Interfax, shefja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ella Pamfilova, ka thënë se nuk ka pasur shkelje të rënda.

Me vlerësime të larta dhe me kontroll në të gjitha nivelet e pushtetit, Putin është pritur t’i fitojë zgjedhjet.

Ai është zgjedhur për herë të parë president i Rusisë në vitin 2000, pasi presidenti Boris Yeltsin ka dhënë dorëheqje në ditën e fundit të vitit 1999 dhe e ka bërë atë ushtrues detyre.

Që nga ajo kohë, Putin ka qenë në pushtet herë si president, herë si kryeministër.​

Në zgjedhjet e 18 marsit, udhëheqësi kryesor i opozitës, Alexei Navalny, nuk është lejuar të garojë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button