Teoria e zhvillimit ekonomik: aftësia për të tretur qumështin mund të shpjegojë si u bë Europa e pasur

Qëniet njerëzore mund ta tresin laktozën, karbohidratin kryesor të qumështit, vetëm me ndihmën e një enzime të quajtur laktazë. Por dy të tretat e foshnjeve ndalojnë së prodhuari këtë enzimë pasi iu ndërpritet qumështi i gjirit. Një e treta fatlume – ata me “laktazë në prodhim” – vijojnë ta kenë atë deri në moshë të rritur. Një studim më i fundit botuar në një revistë prestigjioze argumenton se kjo “hile” gjenetike shpjegon përse disa vende janë të pasura dhe të tjera janë të varfëra, shkruan Tesheshi.

Justin Cook nga U niversiteti i Kalifornisë përdori të dhëna për flukset historike të migrimit për të vlerësuar përbërjen etnike të 108 vendeve në Afrikë, Azi dhe Europë në vitet 1500. Më pas ai nxori prej këtyre të dhënave porcionin e njerëzve që do të kenë qenë në gjendje të tresin qumështin, duke përdorur të dhëna për tolerancën ndaj laktozës sipas grupeve të ndryshme etnike (që ai supozon se nuk ka ndryshuar shumë përgjatë shekujve). Vendet para-koloniale në Europën perëndimore kishin prirjen për të pasur tolerancë më të mirë ndaj laktozës, vlerësoi Cook. Për shembull, 96 për qind e suedezëve e kishin këtë cilësi. Nivelet më të ulëta u vunë re në Afrikën sub-sahariane dhe në Azinë jug-lindore.

Po ashtu, të dhënat sugjerojnë se një rritje në tolerancën ndaj laktozës, shoqërohej në këmbim, edhe me rritje me 40 për qind të dendësisë së popullsisë. Popujt që mund të tresnin qumështin, sipas kësaj teorie, përdornin burimet natyrore në mënyrë më efikase sesa ata që nuk mundeshin. Ata mund të merrnin ushqim të lëngshëm nga bagëtitë, përveç leshit, plehut, fuqisë së plugimit të tokës dhe mishit, për të cilat edhe i mbanin kafshët.

Qumështi mund të ketë qenë ndihmë edhe në mënyra të tjera: yndyrat e tij, proteinat dhe mineralet shtonin ballancë në dietën para-koloniale, duke reduktuar shkallën e sëmundshmërisë. Nëse përdorej si zëvendësues për qumështin e gjirit, qumështi i kafshëve mund të ketë zvogëluar kohën e lënies së gjirit nga foshnjat, duke zvogëluar në këtë mënyrë edhe kohën nga njëra shtatzani në tjetrën. Të gjitha këto sugjerojnë se shoqëritë që ushqeheshin me qumësht mund të mbanin popullsi më të dendura (mbetet një mister që toleranca e laktozës nisi në disa pjesë të Afrikës, por nuk u përhap).

Kur njerëzit jetojnë të mbledhur së bashku, thotë teoria, ka rritje ekonomike. Sundimtarët e kishin më të lehtë të ndërtonin infrastrukturë dhe të administronin përmes ligjeve, përfshirë dhe të drejtën e pronës. Qytetet mund të zhvilloheshin, gjë që lejonte punonjësit të specializoheshin. Inovacioni teknologjik shpërthen, ushtri më të mëdha mund të mbrojnë atë që prodhohet. Pak habi, atëherë, që vendet me dendësi të lartë të popullsisë në kohët para-koloniale kanë tendencën të jenë relativisht të pasura sot. Asnjë faktor i vetëm nuk mund të shpjegojë rezultatet afatgjata ekonomike, sigurisht, por ideja e studiuesit Cook mund t’ia vlejë “të milet”.

Përgatiti: Juli Prifti

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button