Cirkut i hiqet statusi kombëtar? Artistët: Do hyjmë në grevë urie

Ndryshimi i ligjit për Artin do të lërë pa status Cirkun Kombëtar të Shqipërisë. Me miratimin e ndryshimeve në ligj, e ardhmja e cirkut duket e paqartë. Veç kësaj, prej vitesh trualli ku ndodhet Cirku, pranë Qendrës Kulturore ‘Tirana’, është truall me probleme ligjore. Së shpejti ai pritet t’i dorëzohet pronarit dhe dorëzimi është shtyrë prej disa kohësh nga Ministria e Kulturës, me premtimin se për artistët e institucionin do të gjendet një zgjidhje. Dje, artistët e Cirkut janë mbledhur në një konferencë që paralajmëronte protesta dhe shkak për këtë u bë si ligji i artit, edhe një VKM e 7 marsit, transmeton Gazeta Shqiptare.

Një VKM e së mërkurës së 7 marsit, kalon në pronësi të Bashkisë së Tiranës, një pronë që pritet t’i jepet Cirkut Kombëtar. VKM-ja ka për qëllim “transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”. Ajo përcakton “Kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të njësisë administrative Tiranë, të pasurive nr.8/638, me sipërfaqe 2 400 (dy mijë e katërqind) m2, dhe nr.8/637, me sipërfaqe 23 (njëzet e tre) m2, me vendndodhje në zonën kadastrale nr.8270, indeks harte TR-U-10, sipas formularit dhe hartave treguese bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim ushtrimin e aktivitetit social-kulturor të Cirkut të Tiranës”.

Çka do të thotë se Cirkut i jepen 2423 metra katrorë pranë stadiumit “Dinamo”.
Për sa më lart, në dokument, Cirku Kombëtar del me emrin Cirku i Tiranës, edhe pse statusi “kombëtar”, nuk mund të hiqet me një vendim për çështje trualli.

“GSH” ka kërkuar nga Ministria e Kulturës të dijë nëse vendimi në fjalë e heq Cirkun Kombëtar nga qendra për ta dërguar pas stadiumit, por prej asaj dite nuk ka marrë ende përgjigje.

Ndërkaq, përmbaruesit dhe artistët e Cirkut Kombëtar në Tiranë janë përplasur disa herë. Artistët nuk kanë lejuar zbatimin e urdhrit ekzekutiv, sipas të cilit 409 metra katrorë nga hapësira ku është vendosur çadra e cirkut i kalojnë me vendim gjykate një subjekti privat. Nga ana tjetër, përmbaruesit pretendojnë se prej 2 vitesh po bllokohen në ekzekutimin e urdhrit të Gjykatës së Tiranës, që daton në dhjetor të 2014-ës. Ministria e Kulturës pati premtuar zgjidhjen përfundimtare të problemeve të cirkut, që kur në krye të saj erdhi Mirela Kumbaro.

Pas kaq vitesh shtyrje, duke qenë krejtësisht jashtë vëmendjes së Ministrisë së Kulturës në 5 vitet e fundit, e vetmja zgjidhje e gjetur nga ministria për Cirkun, duket se është heqja dorë prej tij. Për sa më lart, dje artistët u mblodhën për ta kundërshtuar hapur. “Nga Cirk Kombëtar (VKM) e quan Cirk të Tiranës, në një kohë kur Cirku Kombëtar e ka marrë këtë status nga dispozita ligjore datë 18.11.2010 dhe është miratuar nga 3 të katërtat e Parlamentit. Dhe nuk ndodh kurrë që një akt nënligjor, siç është VKM të prevalojë mbi dispozitat ligjore”, tha përfaqësuesi i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë, Rudi Sata.

Artistët thanë se, edhe pse kanë kërkuar sqarim nga ana e Ministrisë së Kulturës, nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Pas Satës, kryetari i Sindikatës të Artistëve të Cirkut, Julian Kazazi, paralajmëroi përshkallëzim të protestës. “Si mund ta citojë Këshilli i Ministrave ‘Cirkun e Tiranës’ pa marrë një vendim Parlamenti, për heqjen e këtij statusit kombëtar? Jemi të vendosur të protestojmë e të reagojmë deri në fund, që nga bojkotimi i shfaqjeve e deri në javën që vjen e deri në grevat e urisë. Artistët e Cirkut janë të vendosur që statusin kombëtar nuk e lëshojnë. Ne në ministri na kanë thënë se nuk kanë fonde të na mirëmbajnë”. Megjithëse kërkesën e gazetarëve për një reagim mbi kërkesat e artistëve të Cirkut Kombëtar, Ministria e Kulturës, as ditën e djeshme nuk është shprehur.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button