Mjegull e zezë rreth nesh

Në fillim të shekullit të kaluar, do alpinistë skocezë kishin përhapur fjalën se në malin më të lartë skocez Kerngorms, në majën e tij Ben Mekdui, kishin parë një krijesë gjigante të çuditshme dhe të frikshme në formë të njeriut, të lartë dhjetëra metra! Ndokush këtë e tallte, të tjerë thonin se ai mund të jetë ndonjë iluzion, të tretët mendonin se bëhej fjalë për ndonjë fenomen të pasqaruar, Por kishte mjafë nga ata që besonin. Kurse frika te të gjithë ishte e pranishme. Pak më vonë pasoi një letër nga tridhjetë alpinistë të cilët thonin se e kishin parë përbindëshin dhe se frika u kishte hyrë deri në palcë. Në vitin 1925, një shkencëtar dhe alpinist i famshëm deshi të merrej seriozisht me të. Për muaj të tërë hulumtoi që më në fund ta sheh krijesën e tmerrshme. Ia mbathi sa nuk shifte ku i shkel këmba. Në vitin 1994, madje u botua një libër nga një autor me emrin Affleck Grey me titull “The Big Grey Man of Ben MacDhui“ (Njeriu i Përhimt Gjigant nga Ben Makdui). Por, pas hulumtimeve të bëra nga një grup shkencëtarësh u arrit në përfundim se megjithatë bëhej fjalë për një fenomen natyror që krijohej nga mjegulla, kur fryente era nga të tria anët e majës së malit në drejtimtë një pike të përbashkët, ndërkaq dielli gjindej para perëndimit. Atëherë krijohej një figurë gjigante në formë të njeriut e cila dukej sikur lëviz për shkak të lëvizjes së mjegullës, por që e ruante formën e saj të njeriut.

Pra, gjithë ajo kishte qenë erë e mjegull, ashtu siç e kemi edhe ne këtu me bollëk. Shitës të mjegullave në çdo hap. Më shumë mjegulla na shitën do “patriot”, pasi që mjegulla e bënte të padukshme grabitjen e parave të popullit. E ja tani jeta e njerëzve është shndërrua në mjegull. Pra, qindra mijëra të rinj u zhdukën në mjegull. Politika, demokracia, sundimi i ligjit, ekonomia, shëndetësia, arsimi, kultura dhe profesionalizmi për dekada të tëra janë vetëm mjegull. Edhe letra muaj më parë e shkruar nga 200 intelektualë ishtë një mjegull. Biznesi me shitjen e mjegullave na është bërë dega më fitimprurëse në shtet, sepse akoma ka blerës të mjegullave. Emërimi i atij mullit të erës Elenovski, i cili gjithmonë kthehet kah fryn era, dhe teatri me atë që parkon kudo që të shëroj komplekset – është vetëm një mjegull e zezë. Nuk mund të shohim dritë nga mjegulla të errëta. Jo rastësisht sot çelësi i suksesit na blokohet Brenda dyerve të ndryshkura të ndërtuara nga mendjet mesjetare akoma më të ndryshkura. Nuk bëhet reformim me mendje aq të deformuara, ndërkaq koha ecë ngadalë për ata që presin, kurse shpejtë për ata që duhet ta bëjnë punën.

Patriotë shkatërrimtarë!

Mjegulla e errët është e pranishme në të gjitha fushat. Shohim protesta, reklama, letra kolektive – për të ndaluar negociatat me Greqinë. Disa nga ta kanë zemër, por s’kanë mend. Të tjerët kanë mend, por s’kanë zemër. Do të tretë s’kanë as njërën e as tjetrën. Por, le të shohim se çfarë do të ndodhte apo çfarë ka ndodhur në historinë e kohës së re për shkak mendjeve të këtilla!? Ja disa shembuj. Në vitin 1962, rusët kishin instaluar fshehurazi raketa me rreze të mesme veprimi dhe me mbushje atomike (SS-4) në Kubë. Amerikanët, sapo kishin zbuluar, kishin krijuar një bllokadë detare rreth Kubës. Bota u soll në prag të një lufte totale bërthamore. Kenedi temperamnet ishte i rrethuar nga njerëz që ishin të gatshëm për gjithçka! Por, Hrushçovi në moment të fundit lëshoi pe dhe bota u shpëtua. Ç’farë do të kishte ndodhur sikur edhe ai t’i dëgjonte do “patriotë” rreth tij? Bota do të ishte kthyer në kohën e amebave. Shembulli i dytë është Çeçenia, e cila e fitoi pavarësinë faktike në kohën e Jelcinit (me Traktatin e Hasvjurtit në vitin 1997). Udhëheqësi i tyre i atëhershëm Asllan Mushadov filloi të ndërtonte një shtet sekular pro-perëndimor. Por, kur kundërshtarët e tij e futën në lojë “islamin” populist, në pushtet erdhi udhëheqësi fetar Jardanbijev. Kjo çoi në brutalitet politik, vrasje masive, rrëmbime dhe krime të pashembullta. Njerëzit e zakonshëm filluan sërisht t’i  kërkojnë rusët si shpëtimtarë. Pas kësaj, për më pak se dy vjet pavarësia e Çeçenisë përfundoi në pus. Shembull i tretë është Ukraina. Pas fitores së aleancës pro-perëndimore mbi koalicionin e presidentit ukrainas pro-rus Viktor Janukoviç,  “patriotët” e rinj revolucionarë në vend që të lejojnë që Janukoviç ta përfundonte mandatin (për disa muaj) siç kërkoi, ata shkuan ta rrëzojnë me forcë dhe ta nënçmojnë. Ai iku në Rusi dhe me ndihmën e  Putinit ngritën kryengritje të armatosur të popullatës ruse në Ukrainë. Kjo përfundoi me shumë viktima dhe shkatërrime, kurse Ukraina e humbi Krimenë dhe Sevastopolin, dhe akoma nuk ka kontroll mbi rajonet pro-ruse të Donjeckut dhe Lluganskut.  Shembull i katërt është ai i serbëve nga krahina Serbe në Kroaci, të cilëve iu pat ofruar zgjidhje “shtet në shtet” (Plani “Z-4” – 1995). Krahina do t’i kishte të gjitha organet si një shtet, madje edhe valutën dhe ushtrinë e saj. Por, “patriotët” e atëhershëm të tyre kundërshtuan,  pas së cilës pasoj operacioni “Stuhia”. Ndodhën shumë viktima dhe mbi 200 mijë serbë braktisën përgjithmonë shtëpitë e tyre. Madje edhe shpërthimet bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki janë si rezultat i “patriotizmave” të disa, komandantë ushtarakë rreth mbretit japonez, të cilët nuk lejonin kapitulimin. Dhe prap ndodhi kapitulimi, por tani me një gjysmë milioni viktima plus për Japoninë!

Tani patriotizëm i vërtetë për Maqedoninë është gjetja e një zgjidhje për emrin dhe antarsimi në NATO dhe UE. Për derisa Serbia udhëhiqte politikë jonormale, kurse ne relativisht normale, paga mesatare te ne ishte katër herë më e lartë. Por, me një politikë të mençur në kompromise me Kosovën, Serbia jo vetëm që ka arritur pagën mesatare prej 459 euro (te ne 377 euro), por edhe është bërë lojtari kryesor në rajon. Assesi do njerëz të kuptojnë se sa më i lartë që është  patriotizmi i rremë aq më e ulët është jeta reale! Me përpjekjet e qeverisë aktuale, pozicionet dukshëm janë forcuar në bashkësinë ndërkombëtare, por asaj i nevoitet edhe mbështetje morale nga të gjithë ne. Ekzistojnë gabime në planin e brendshëm dhe këto janë të dukshëm, por akoma janë të vegjël po ta krahasojmë me vijën gjenerale.

Putin nxiton drejt Ballkanit Perëndimor!

Ditëve të fundit, komandanti i forcave amerikane në Evropë, gjenerali Curtis Scaparrotti, para Komitetit të Forcave të Armatosura të Senatit amerikan tha se SHBA-të dhe NATO janë duke punuar së bashku për t’iu përballur kërcënimet e mëdha për sigurinë në Evropë, dhe përmendi ekstremizmin e dhunshëm dhe tendencat ruse për ta destabilizuar Ballkanin. “Moska, e cila nuk i sheh mirë integrimet e vendeve të Ballkanit në UE dhe në veçanti në NATO, i rriti përpjekjet e saj për të zgjeruar ndikimin e saj në rajon, veçanërisht duke e manipuluar me Serbinë dhe serbët e Bosnjës për shkak të lidhjeve historike. Rusia po përpiqet të nxisë trazirat në Ballkan përmes fushatave dezinformative që synojnë popullatën lokale,”- tha gjenerali para Senatit. Kurse raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, David McAllister vlerëson se “vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përfshihen menjëherë në vendimmarrje në UE dhe sa më shpejt që është e mundur të përgatiten për anëtarësim në UE, sepse përndryshe mund të bien në ndikimin e shteteve tjera.” Madje edhe kryeministri shqiptar Rama akuzoi opozitën shqiptare se kishte marrë financa të dyshimta nga Rusia.

Në rrethana të këtilla, me apo pa vetëdije, te ne do parti politike opozitare (por edhe në pushtet), sikur nuk janë në dijeni për momentin historik andaj duke u lëvdëruar se do ta shpëtojnë spirancën janë duke e përmbytur gjithë anijen. Por, ky është realiteti. Edhe në kopshtin më të bukur do të gjeni ndonjë gjarpër helmues. Tani e shofin do shqiptar se sa u kushton përkrahja perfide e Ivanovit për president. Dhe tani nervozizëm! Por, pushteti nuk duhet të jetë nervoz për shkak të kritikave për gabimet, pasi që miqtë u vënë në dije gabimet, kurse të tjerët të njëjtat ua zbukurojnë. E vërteta është mjeti më i mirë për të aritur deri të mençuria. Pushteti duhet të konsultohet me më shumë ekspertë. Bernard Sho thotë se nëse dy veta këmbejnë nga një mollë, secili prap do të ketë nga një mollë, por nëse ata këmbejnë nga një ide, secili do të kenë nga dy ide. Ndërkaq neve duhet të na frikësojë mjegulla e errët, sepse errësira po përhapet me shpejtësinë e dritës. Kurse njerëzit që na udhëheqin që moti kanë këmbyer moralin për errësirën e nëntokës. Andaj ekzodi i të rijve është kah fundi. Së shpejti ndokush do të duhet ta shuaj dritën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button