Kanadaja siguron mbi 8 milionë dollarë për refugjatët Rohingya

Autoritetet e Kanadasë kanë dhuruar një ndihmë humanitare në vlerë prej 8.15 milionë dollarë e cila i dedikohet pjestarëve të pakicës muslimane Rohingya, të cilët braktisën Mianmarin për të gjetur strehim në Bangladesh, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja kanadeze për Zhvillim Marie-Claude Bibeau deklaroi se Kanadaja është e shqetësuar për situatën në të cilën ndodhen rreth 700.000 refugjatë arakanas të Mianmarit.

Bashkë me shqetësimin e saj se refugjatët do të përballen me vështirësi tjera gjatë sezonit të shirave monsun, Bibeau tha se qeveria e Kanadasë ka siguruar 8.15 milionë dollarë si ndihmë humanitare për refugjatët Rohingya.

“Ndihma do të përdoret për ushqime, ilaçe, produkte higjienike dhe pajisje mjekësore për refugjatët të cilët ndodhen në kampet në Bangladesh dhe Mianmar. Kriza e Mianmarit është një nga krizat me rritje më të shpejtë në botë”, deklaroi Bibeau.

Nga fillimi i vitit 2017, Kanadaja ka ndarë 45.6 milionë dollarë, ndihma humanitare për komunitetin Rohingya.

Muslimanët Rohingya të Arakanit për vite janë pakica etnike më e rrezikuar në botë, ndërsa nga 25 gushti i vitit të kaluar po përballen me një valë të re të dhunës në rajonin Arakan të Mianmarit.

Nën pretekstin e luftës kundër grupeve militante, ushtria e Mianmarit ka shkatërruar disa qindra fshatra muslimane nga të cilat të paktën 700 mijë banorë u detyruan të ikin në Bangladesh.

Sipas shifrave zyrtare në Arakan në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar kanë jetuar rreth dy milionë muslimanë kurse aktualisht në këtë rajon jetojnë më pak se 300 mijë muslimanë Rohingya.

Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat tjera ndërkombëtare shpesh paralajmërojnë se dhuna kundër muslimanëve të Arakanit ka të gjitha elementet e spastrimit etnik, madje edhe gjenocidit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button