Nuk ka rëndësi se kush e organizon protestën, por të dalim në protestë

Në këtë kolaps të sistemit gjygjësor në Maqedoni, nuk ka fare rëndësi se kush e organizon protestën e ditës së mërkurë, në emër të drejtësisë për Almirin e vogël. Aq më shumë, nuk ka nevojë të glorifikohen individë të caktuar në media dhe rrjetet sociale për iniciativat që ndërmarrin, për guximin virtual që tregojnë, ose për fjalët e dhimbjen që shprehin për Almir Aliun.  Po ashtu, në këto rrethana nuk ka nevojë të ndërtoni emër dhe të vendosni veten në epiqendër, ndërsa Almirin e vogël ta lini në periferi të vëmendjes publike, për shquarje egoiste, qoftë në nivel individual, partiak, mediatik ose institucional. Më konkretisht, mos i vishni vetes merita të rrejshme, mos u vetshpallni faktor aty ku nuk u pyet njeri dhe mjaft u imponuat dhe shfrytëzuat të gjitha mënyrat për të arritur popullaritet dhe për t’i dhënë pompozitet personalitetit tuaj në emër të fatkeqësisë së Almirit. Në këtë moment, kaq dëshpërues dhe johuman, nuk kemi hapsirë për të ushqyer egot, as për të shfaqur hipokrizi publike, aq më pak  për të treguar se unë, ti, ai/ajo, dhe ne, ju, ata/ato, qenkan arsyeja që populli u vetëdijesua ose u sensibilizua, për të rregulluar vajtjen e punëve në institucione dhe njëkohësisht, për të çuar drejtësinë në vend. Në lidhje me këtë, amerikanët e kanë një shprehje të përshtatshme që thotë: “It’s not about you, it’s about justice” që në gjuhën shqipe do të thotë: “Nuk ka të bëj me ty, por ka të bëj me drejtësinë”. Andaj, mos e trajtoni rastin e Almirit si një çështje që i përket  atij ose asaj, por çështja e Almirit është çështje që u përket gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

Për më shumë, kur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndodhur krime të rënda, në veçanti ndaj fëmijëve, çdo qytetar i thjeshtë, përpos që kanë organizuar protesta masive, përpos që kanë ndihmuar institucionet në gjetjen e fajtorit, ata edhe në nivel individual kanë bërë presion të vazhdueshëm mbi policinë, gjygjësorin dhe shtetin, me qëllim që të sigurohen se drejtësia ka shkuar ne vend. Që kjo është kështu, mund ta vërtetoni duke parë në internet gjithë emisionet dokumentare mbi krimet e kryera në Amerikë dhe do të kuptoni që shumica e deklaratave të policisë dhe gjygjësorit flasin mbi atë se sa presion të madh kanë ata nga opinioni publik në përgjithësi dhe në nivel individual në veçanti, ku individë të caktuar i thërrasin në telefon ose i vizitojnë nëpër zyra, për t’u kërkuar llogari se deri ku ka arritur drejtësia. Mund të thoni: “Mos e merr për shembull Amerikën, se ne jemi shumë larg tyre”, por unë do të kisha thënë se pse mos e marr për shembull modelin më të mirë si pikëreferimi, si një mënyrë konkrete se çka do të thotë vetëdije dhe sensibilizim i lartë qytetar, ku qartë tregohet se si materializohen tendencat qytetare për drejtësi dhe se si shndërrohen fjalët  dhe veprimet në zgjidhje konkrete. Sidoqoftë, ju përsëri mund të thoni se, Amerika ka një shtet ligjor që funksionon në mënyrë më të përgjegjshme, ndërsa ne kemi një shtet ku përfaqësuesit tonë po përvetësojnë institucionet si prona private. Eshtë e vërtetë që ne, mbase nuk mund të bëjmë shumë për të dërtuar një shtet ligjor të barabartë për të gjithë; ne mbase nuk mundemi të bëjmë shumë për të çrrënjosur fuksionalitetin degjenerues të sistemit gjygjësor, por ne kemi zërin, kemi penën, kemi vullnetin dhe guximin që së paku të ushtrojmë presion verbal mbi ata që kanë ligjin dhe pushtetin në dorë, përmes këmbënguljes demokratike.

Andaj, rastin e Almir Aliut mos e shfrytëzoni si arenë ku ju do të mund të ndërtoni karrierë si aktivistë të të drejtave të njeriut në çdo nivel të organizimit shoqëror. Rastin e tij, shfrytëzojeni si një mundësi për të protestuar dinjitetshëm në emër të Almirit, jo në emrin tuaj. Kjo çështje nuk është për mua, ti ai/ajo, as për ne, ju, ata/ato; kjo protestë demokratike duhet të jetë një arenë për ta sjellë në vend të vërtetën, drejtësinë dhe për të përmbys një sistem gjygjësor që vendimet i sjell në bazë të preferencave individuale dhe etnike, duke u tallur me sistemin ligjor si një lodër të veten; duke anashkaluar faktet përpara një populli të tërë; duke nënvlerësuar dhimbjet dhe vuajtjet e nënave shqiptare dhe duke mos treguar një fije ndërgjegjeje ndaj qytetarëve shqiptarë në këtë shtet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button