Ja kur pritet që Maqedonia përfundimisht të bëjë regjistrim të popullsisë

Edhe pse kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, paralajmëroi se në vitin 2019 në Maqedoni do të ketë regjistrim të popullsisë, megjithatë ky proces nuk do të mbarojë aq shpejtë pasi që duhet të krijohen kushtet, e para se gjithash duhet që të rishikohet ligji aktual për regjistrim. Kështu deklarojnë për Portalb.mk, ish nënkryetari i Komisionit Shtetëror të Regjistrimit, Abdylmenaf Bexheti dhe ish anëtari, Donço Gerasimovski, në lidhje me atë se kur Maqedonia përfundimisht do të ketë regjistrim të popullatës, shkruan Portalb.mk.

Abdylmenaf Bexheti

Abdylmenaf Bexheti

“Nuk mund të presim regjistrim të popullatës së shpejti pasi që nuk janë krijuar kushtet e duhura. Duhet të rishikohet tërësisht në të gjitha aspektet ligji ekzistues, të arrihet një konsensus i gjerë politik dhe jo vetëm mbi bazën e mazhorancës, por edhe të opozitës dhe çështja e tretë është të ketë një proces në një fazë të paqes elektorale, që do të thotë të mos bëhet më afër se një vit apo dy vite zgjedhore. Pra ajo duhet të bëhet menjëherë vitin e parë pas zgjedhjeve. Nuk ka data të përcaktuara, por unë mendoj se regjistrimi mund të bëhet diku menjëherë pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, pasi të kemi një ekuacion më stabël të qeverisjes pasi ky ekuacion tani është shumë i ngushtë për të bë një aksion të tillë kaq të politizuar”, tha për Portalb, Bexheti.

Donço Gerasimovski

Donço Gerasimovski

Edhe ish anëtari i Komisionit Shtetëror për Regjistrim, Donço Gerasimovski thotë për Portalb.mk se ky proces, nuk do të realizohet në vitin e ardhshëm, pasi që fillimisht do të duhet që të miratohet ligji për regjistrim të popullatës, ndërkaq sipas tij, regjistrimin mund ta presim në vitet 2020 ose 2021.

“Nëse shtrohet pyetja për urgjencën e realizimit të këtij procesi atëherë do të thosha që duhej të bëhej dje, por së shpejti po bëhen përgatitje edhe me rekomandimet ndërkombëtare, 2020 ose 2021 do të jetë viti në të cilin medoemos do të duhet të kryhet ky proces, pasi që sipas rekomandimeve të Kombeve të Bashkuara, ai duhet të realizohet në të gjithë botën. Duhet të sillet një ligj i ri, të cilin duhet ta përgatisin ekspertë, më pas i njëjti shkon për diskutim në Qeveri, e më pas në parlament. Ai duhet të jetë në përputhje me kushtetutën dhe shtetin si dhe në pajtim me rekomandimet ndërkombëtare dhe standardet e duhura”, vlerëson për Portalb, Gerasimovski.

Edhe nga Enti Shtetëror për Statistika konfirmojnë se regjistrimi i popullatës ka hyrë në programin për 5 vitet e ardhshme të tyre, megjithatë i njëjti do të zbatohet në vitet 2020 ose 2021.

“Regjistrimi i popullatës zbatohet në vitet të cilat mbarojnë me 0 ose 1, që do të thotë se sipas rendit të gjërave, ajo do të duhej të bëhet në vitin 2020 ose 2021. Që të zbatohet regjistrimi, janë të nevojshme shumë fala, ndërkaq para se gjithash miratimi i ligjit për regjistrim, ndërkaq është e nevojshme edhe regjistrim provë, i cili do të zbatohej vitin e ardhshëm”, thonë për BIRN, nga Enti Shtetëror për Statistika.

Informatat Maqedonia po përgatitet për regjistrim të popullatës i ka konfirmuar edhe deputetja e LSDM-së, Frosina Remenski – Tashevski, e cila në emisionin e TV21 “Click Plus”, tha se në rrjedhë janë përgatitjet për regjistrim të popullatës.

Edhe zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski kanë konfirmuar se LSDM dhe BDI si partnerë koalicionues janë në koordinim për zbatimin e regjistrimit, por tani për tani nuk ka informata rreth aktiviteteve.

Regjistrim i popullsisë në Maqedoni nuk është bërë që nga viti 2002 edhe pse në vitin 2011 u bënë përpjekje. Në vitin 2011, meqë regjistrimi paraprakisht u pa i dështuar dhe i ndikuar, dha dorëheqje nënkryetari i Komisionit për Regjistrim Abdulmenaf Bexheti, dhe në vend të tij erdhi, tash zëdhënësi i BDI-së dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani. Por regjistrimi dështoi pas tre ditëve, si pasojë e ndikimit të politik.

Për këtë dështim, Prokuroria Speciale Publike dhe Prokuroria Themelore Publike kanë hapur dy lëndë për të konstatuar përgjegjësinë penale, megjithatë ende nuk ka asnjë përfundim prej këtyre lëndëve. Sipas njoftimit zyrtar të Komisionit Shtetëror për Regjistrim, arsye për dështimin e regjistrimit ishte se “anëtarët nuk kanë mundur që të pajtohen për metodologjinë për zbatimin e regjistrimit.

Regjistrimi i popullsisë është sistem i të dhënave për qytetarët e një vendi, i cili për qëllim të saktësisë bëhet çdo 10 vjet. Ai përmban të dhëna relevante të nevojshme për planifikim të programeve qeveritare në sfera të ndryshme. Përfshin të dhënat elementare si: data dhe vendi i lindjes, gjinia, data dhe vendi i vdekjes, shtetësia/shtetësitë, statusi martesor; por edhe të dhënat shtesë, siç janë: përkatësia etnike, niveli arsimor, profesioni etj.

Të pyetur pse Maqedonisë i duhet regjistrimi i popullsisë, njohësit e çështjeve sociale kohë më parë deklaruan për Portalb se regjistrimi i popullsisë është parakusht për politikën sociale, respektivisht për planifikim e duhur të shtetit, i cili duhet të intervenojë për t’ua përmirësuar kushtet jetësore qytetarëve të vetë. Ndërsa mungesa e regjistrimit të popullsisë mundëson keqpërdorimin e resurseve.

Zaev: Regjistrimi i popullsisë do të bëhet më vitin 2019

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP