АNALIZË: Të rinjtë në Maqedoni nuk duan të punojnë në prodhimtari!

Pastrues, shitës, punëtor i përgjithshëm – këto janë profesionet që janë deficitare në tregun e punës. Analiza e Agjencisë për punësim tregon se në listën e sektorëve me numër më të madh të vendeve të lira të punës gjenden edhe ndërtimtaria, tekstili, hoteleria. Sipas matjeve të Entit për statistikë, në tremujorin e fundit të vitit 2017, në tregun e punës ka pasur 6.534 vende të lira të punës, dhe në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2016, numri i tyre është shtuar për 64 vende pune. Përderisa statistikat shënojnë mijëra vende të lira të punës, sipas menaxherëve nga industritë, problemi me mungesën e kuadrit bëhet alarmant. Në fund të vitit 2017, përqindja e papunësisë në nivel të vendit ka qenë 21,9%, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Tregu i punës – çka kërkohet dhe çka ofrohet…

Shpallje të shumta të hapura për punësime në industrinë për përpunimin e ushqimit, mirëpo rrallëkush paraqitet. Ky është vetëm njëri nga komentet e afaristëve nga industria për përpunimin e ushqimit, të cilët vlerësojnë se gjendja me deficitin e kuadrit në tregun e punës është duke u bërë alarmante.

“Problemi me mungesën e kuadrit në tregun e punës në industri, veçanërisht në veprimtaritë me punë të rëndë, është duke u bërë gjithnjë e më i vështirë. Të rinjtë nuk duan të punojnë në prodhimtari. Patjetër duhet të gjendet model që të inkurajohen punësimet në industri. Ne tani kemi një gjendje në të cilën puna në institucionet shtetërore, shpeshherë edhe me çelës partiak, është më e paguar se sa puna në sektorin real” – thotë Marjana Perkovska, kryetare e Kllasterit për tekstil.

Të dhënat e Agjencisë për punësim tregojnë se pas tregtisë, industria për përpunimin e ushqimit është e dyta në listë sipas numrit të vendeve të lira të punës. Në fakt, në tregti ka 2.993 vende të lira të punës, në industrinë për përpunimin e ushqimit 1.620, e pastaj vijnë hoteleria dhe veprimtaritë me ushqim me 785 vende të lira të punës, ndërsa në transport dhe magazinim ka 565 vende të lira të punës. Pesë profesionet që kërkohen më së shumti në tregun e punës janë pikërisht ato nga sektorët e prodhimtarisë dhe të tregtisë, ku kërkohen 1.169 pastrues, 734 shitës, 354 punëtorë të përgjithshëm, 348 kamerierë dhe 266 rrobaqepës. Në bazë të të dhënave të Agjencisë për punësim, në tregun e punës, në fund të vitit të kaluar ka pasur 10.573 vende të lira pune. Edhe përkundër këtyre statistikave, afaristët nga sektori i prodhimtarisë thonë se ballafaqohen me probleme të mëdha për shkak të mungesës së kuadrit.

“Në vend që të bëjmë “kult” nga industria, e cila është shtylla e zhvillimit ekonomik, te ne më e vlerësuar është puna në administratën shtetërore. Domethënë, ne tani kemi situatë kur në vend që të prodhojmë dhe të krijojmë, ne vetëm “thithim”, gjë që është e paqëndrueshme. Duhet të gjendet mënyrë – sistem që njerëzit të orientohen kah prodhimtaria, ndërsa fillimi i këtyre reformave është në arsim, edhe atë jo në arsimin e lartë, por në arsimin fillor. Poashtu, gjendjet në tregun e punës janë përkeqësuar për shkak të shpërnguljes së popullatës së aftë për punë”, thotë afaristja Perkovska.

Rritet numri i vendeve të plotësuara të punës, mirëpo rritet edhe numri i vendeve të lira të punës, që sipas ekonomistëve sqarohet si rezultat i hapjes së vendeve të reja të punës. Sipas të dhënave nga Enti shtetëror për statistikë, në tremujorin e fundit të vitit 2017 ka pasur 485.665 vende të plotësuara të punës dhe 6.534 vende të lira të punës, dhe në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2016, ka rritje në të dyja drejtimet, dhe kështu në tremujorin e katërt të vitit 2016 kanë qenë të plotësuara 483.029 vende pune, ndërsa të lira kanë qenë 6.470, transmeton Portalb.mk.

Sipas sektorëve, fund të vitit 2017 në industrinë për përpunimin e ushqimit ka pasur 2.470 vende të lira të punës, ndërsa në këtë sektor kanë qenë të plotësuara 124.247 vende pune, që do të thotë se mu kjo industri është në vendin e parë sipas numrit të të punësuarve. Sipas statistikës shtetërore, në tregti, ku janë të punësuar 85.565 punëtorë, ka 1.090 vende të lira pune, ndërsa në hoteleri dhe në veprimtaritë shërbyese me ushqim, ku janë të punësuar 19.035 njerëz, ka pasur 558 vende të lira pune. Nga ana tjetër, numër më të vogël të vendeve të lira të punës ka në sektorin energjetik, vetëm nëntë vende pune, pastaj në veprimtaritë me patundshmëri, ku ka pasur trembëdhjetë vende të lira të punës dhe në mbrojtje dhe administratën publike me katërmbëdhjetë vende të lira të punës, edhe pse atje numri i të punësuarve është 38.490, që i vërteton vlerësimet e afaristëve se sektori publik dhe ai shtetëror janë më të preferuarit për punësim.

Ky trend vërtetohet edhe me një informatë – numrin e vendeve të lira të punës sipas profesionit. Kështu, në fund të vitit të kaluar, numër më të madh të vendeve të lira të punës sipas profesionit ka për punëtorët, njerëz që punojnë në makina dhe që i montojnë ato, si dhe në profesionet elementare, ndërsa nga ana tjetër në profesionet ushtarake nuk ka vende të lira, gjegjësisht të gjitha vendet janë të plotësuara. Për anëtarë të organeve ligjdhënëse dhe ekzekutive, funksionarë shtetërorë, nëpunës shtetërorë në pozita udhëheqëse, drejtorë dhe diplomatë ka 20 vende të lira të punës.

Me qëllim që t’i stimulojë punësimet në sektorin privat, qeveria miratoi një pako masash që gjenden në Shtyllën e tretë të masave për zhvillim ekonomik. Para do kohesh është miratuar edhe Plani operativ për punësime, me të cilin ofrohen forma të ndryshme për mbështetjen e punësimeve, veçanërisht synohen të rinjtë e moshës deri në 29 vjet. Afaristët thonë se çfarë efekti do të japin këto masa do të shihet së shpejti, përcjellë Portalb.mk.

Sipas shkallës së arsimit, të dhënat nga Agjencia për punësim tregojnë se në tregun e punës ka 12.099 të papunësuar me arsim të lartë, 919 magjistra të shkencave dhe 33 doktorë shkencash.

Në nivel të shtetit, sipas treguesve të fundi të Entit për punësim, vitin e kaluar ka pasur 745.206 të punësuar dhe 208.486 të papunësuar, apo përqindja e papunësisë në fund të vitit 2017 ka qenë 21,9%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button