Maqedonia shënon rënie të Bruto Prodhimit Vendor

Në tremujorin e parë të këtij viti, ekonomia e Maqedonisë ka shënuar rënie, madje për 1.4 për qind. Të dhënat për rritjen negative të bruto-prodhimit vendor, pritet të zyrtarizohen nga Enti Shtetëror i Statistikës, por, tashmë rënia e ekonomisë vendore është pranuar edhe nga drejtuesit e institucioneve shtetërore. 

“Është e qartë se nuk janë të favorshme informacionet që do të marrim pasi realisht Maqedonia është e përfshirë nga kriza ekonomike, por duhet të presim dhe të shohim cilat janë të dhënat dhe më pas të komentojmë më tepër”, deklaron  zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Vlladimir Peshevski.

Kjo është hera e parë që zyrtarët në mënyrë të drejtpërdrejtë pranojnë rënien në ekonomi pasi deri më tani të gjitha parashikimet e tyre flisnin për rritje të ekonomisë, madje ata ishin decid se rritja ekonomike do të shkojë deri në 4.5 për qind, shifër kjo që ishte diametralisht e kundërt me vlerësimet që jepeshin jo vetëm nga ekspertët vendorë, por edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Qeveria tashmë ka rishikuar edhe buxhetin e shtetit, duke hequr dorë nga shumë investime kapitale dhe harxhime tjera të parapara në administratën shtetërore, ndërkohë ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë që të ketë edhe një rishikim të buxhetit.

Nga ana tjetër, kriza ekonomike dhe rritja enorme në veçanti e çmimeve të shërbimeve publike, po reflektohet në masë të madhe në mesin e qytetarëve, të cilët nuk mund t’i përballojnë faturat e larta dhe shumica e tyre kanë vendosur të shkyçen nga sistemi i ngrohjes qendore.

Sipas të dhënave të kompanive furnizuese me energji ngrohëse, më shumë se 50 për qind e konsumatorëve tashmë kanë refuzuar shërbimet e tyre. Kjo konfirmohet edhe nga Komisioni Rregullator për Energjetikë që aprovon ngritjet dhe uljet e çmimeve të energjetikëve.

“Kjo vjen krejt si rezultat i pamundësisë për t’i mbuluar shpenzimet e faturave për ngrohje, të energjisë elektrike e kështu me radhë. Mirëpo, në anën tjetër kemi edhe një problem tjetër, të gjitha kompanitë që ushtrojnë veprimtaritë energjetike kanë mos-likuiditet në punë, gjegjësisht nuk kanë mundësi të inkasojnë borxhin, të cilin e kanë qytetarët, por edhe institucionet shtetërore”, thotë Ruhi Bakiu, anëtari i KRRE-së.

Ndërkohë, Gjorgji Tonovski, profesor universitar, thotë se gjendja e këtillë ekonomike në Maqedoni mund të ndryshohet vetëm me masa serioze nga ana e qeverisë, pasi në të kundërtën varfëria dhe pakënaqësitë do të rriten edhe më shumë.

“Nëse nuk do të ketë ndryshime në sferën e ekonomisë, hapje të Maqedonisë ndaj tregut botëror, investime shtesë, apo krijim të një klime të mirë të biznesit vështirë se do të dalin nga situata momentale. Rritja e çmimeve gjithmonë është përcjellë me depresion, frikë dhe rritje  të pasigurisë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, thotë profesori Tonovski.

Qeveria para pak kohe miratoi disa masa të reja për të stimuluar ekonominë vendore në hapjen e vendeve të reja të punës, por ato nga drejtuesit e odave ekonomike u vlerësuan të vonuara, ndërsa drejtuan kritika në adresë të qeverisë se nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e tyre lidhur me gjendjen reale në ekonomi.

Sipas të dhënave të Entit të Statistikës, papunësia në Maqedoni arrin në afër 40 për qind, por të dhënat e këtilla gjithmonë kanë qenë objekt debati pasi Qeveria e vlerëson si shifër joreale, meqë sipas saj , shumë kompani private nuk paraqesin numrin real të personave të punësuar me qëllim të shmangies së tatimeve. /REL

Lajme të ngjashme

Back to top button