Një mijë vjet këndoftë qyqja mbi kulmin e vrasësit!

Një ditë pas votimit të ligjit për avancimin e përdorimit të Gjuhës shqipe, që dha shpresë se jemi vetëm një hap para zyrtarizimit kushtetues të saj, drejtësia e munguar prej dekadash konvertoi në aksident të rëndomtë komunikacioni vrasjen makabre të fëmijës 4 vjeçar Almir Aliut nga Kumanova.

Kjo, pa futur në kombinim teorira konspiracionesh, ka një domethënie. Dhe domethënia është se ky shtet, nëse dëshiron vërtet paqe të brendshme dhe integrim me botën e qytetëruar, nëse synon ndarjen e përgjithmonshme me të shkuarën e dështuar në të gjitha linjat e mundshme…, nuk duhet ta lë drejtësinë në shputat e prokurorëve dhe gjyqtarëve të pandërgjegjshëm dhe amatorë. Aq më tepër në momentet kur shqiptarët shprehin mirënjohjen për deputetët maqedonas që votuan ligjin për avancimin e shqipes, duke u bërë kësisoj pre e bandave të hanxharit, që ne na konsiderojnë prej kohësh të mirë vetëm si të vdekur.

Rasti i lirimit nga burgu i vrasësit të engjellit katërvjeçar dhe mënyra idiote e manifestimit të triumfit të padrejtësisë nga ana e tij është non sens i pajustifikueshëm dhe i denjë për kohëra kepash. Drejtuesit e vendit sigurisht e kanë të qartë këtë, ndaj nuk duhet të lejojnë për hatrin e një vrasësi, që nuk e njeh madje as kategorinë e pendimit dhe ndjesës, të përskeqin raportet e brishta ndëretnike. Aq më tepër kur në qelitë e idrizovave dhe shutkave janë dergjur dhe vazhdojnë të dergjen me vite njerëz krejtësisht të pafajshëm, si puna e viktimave të rastit “Monstra”

Rasti i gjykimit të vrasësit të Almir Aliut do të duhej të shënojë vijën ndarëse ndërmjet gjyqësisë që kishin dhe gjyqësisë që duan qytetarët e esëllt të këtij vendi; ndërmjet prokurorëve Zvrlevski dhe Jovevski; ndërmjet 27 prillit të vitit 2017, kur bandat e orkestruara kriminale përgjakën kuvendin dhe 31 majit 2017, kur qeveria e re u prit me shpresën e madhe se shkretishtja, më në fund, do të jetë vend i etnive dhe qytetarëve të barabartë; shtet i së drejtës, ku nuk do të ketë më etni dhe individë që bëjnë drejtësinë me mendësi fisnore dhe që vendosin për itinerarin dhe dozat e rritës së të drejtave të pakontestueshme të të tjerëve.

Dua të besoj se ekzistojnë mekanizma drejtësie, që vrasjen e Engjëllit Almir Aliu do ta ritrajtojnë si e do gjyqësia e një shteti mirëfilli demokratik, ku të gjithë janë të njëjtë përpara ligjit. Faktet e fajësisë janë të xhiruara dhe i shohim të gjithë, ashtu siç i ndjejmë dhembjet e Nanës së Almirit, e cila lutet që kjo fatkeqësi të mos i ndodhë as armikut më të madh. Pra: as vrasësit që ngre gishtin e turpit para syve të përlotur të saj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button