143 vjet nga lindja e Faik Konicës, njihuni me shtëpinë e tij (VIDEO)

Shkrimtari dhe diplomati i shquar shqiptar Faik Konica lindi në Konicë të Greqisë  në vitin 1875. Publicisti Ilir Ikonomi kujton se pikërisht sot është ditëlindja e shkrimtarit dhe patriotit Faik Konica dhe sjell në faqen e tij në Facebook videon me pamje të shtëpisë ku ka lindur shkrimtari.

Postimi i plotë i Ilir Ikonomit:

15 marsi është ditëlindja e Faik Konicës

Ai lindi në vitin 1875 në këtë shtëpi të Konicës (sot Greqi), të cilën e vizitova për herë të dytë në nënor 2012, kësaj here me gazetarin Sokol Balla. Shtëpia është ende aty, e rrënuar, e braktisur.

Në vitin 2010, kur e zbulova shtëpinë, shkrova këto rreshta, të cilat po i ribotoj me rastin e përvjetorit të lindjes së Faik Konicës:

“Ishte një pamje vërtet trishtuese, sepse çatia dhe dyshemetë e kateve brenda ishin shembur plotësisht, ca nga koha e ca nga një tërmet në vitin 1996. Disa trarë, që vareshin si pendulë, dukej sikur do të këputeshin mu në sytë e mi.

Ilir Ikonomi
Ilir Ikonomi

Deri në një farë lartësie, muret e jashtëm ishin prej guri ngjyrë gri të gdhendur dhe i kishin qëndruar kohës për bukuri. Kjo duhet të ketë qenë pjesa e hershme e shtëpisë, e ndërtuar që më 1771 sepse, siç mora vesh, ajo qe rindërtuar shtatëdhjetë e ca vite më vonë. Edhe qemeri i portës kishte mbetur i paprekur. Në të dyja anët e tij kishte nga një pllakë guri ku shkruhej Bismillah al-Rahman al-Rahim dhe fjalë të tjera arabisht që ftonin mysafirin brenda. Dikush qe përpjekur ta lyente shtëpinë nga jashtë me gëlqere, por kjo kishte rënë thuajse krejt. Ilir Ikonomi

Shtëpia ishte dykatëshe dhe kishte një bodrum përgjysmë nën dhe. Me sa kuptohej, kati i parë kishte patur shtatë dhoma. Ndërkaq, dy palë shkallë të harkuara prej guri, që shquheshin me vështirësi në gjithë atë shkatërrirë, të çonin në odat sipër. Vetëm një gjë nuk qe prekur thuajse fare dhe ky ishte oxhaku i lartë që kishte mbetur si direku i një vapori. Të bënte të mendoje se ndërtuesit e hershëm duhet t’i kishin kushtuar kujdes të veçantë oxhakut si shenjë e sërës së familjes.

Jashtë në avlli, rrasat e gurit mezi dukeshin nga bari. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore shtëpia qe kthyer në shkollë të mesme dhe pastaj i pat kaluar bashkisë për ta riparuar. Si duket rindërtimi qe lënë në mes dhe askush nuk kishte vënë dorë më. Ishte pak a shumë si në ato pamjet e dokumentarit Life After People, që rrëfen se si do të jetë jeta në planetin tonë pasi të jenë zhdukur njerëzit.

Befas mu fanepsën imazhet e largët të një Faiku të vogël, të cilit hoxha i fshatit me çallmë në kokë i mësonte arabisht në shtëpi. Jashtë portës më pushtoi një ndjenjë e pashpjegueshme dhe nisa të shihja me kujdes ku e hidhja këmbën. Po shkelja mbi ato rrasa të avllisë, ku Faiku bashkë me vëllezërit dhe motrat kishin kaluar ditët e gjata duke luajtur nën diellin e ngrohtë dhe në ajrin e kthjellët të maleve.

Vështrova qiellin blu, pastaj majat me borën gati të përjetshme dhe u përpoqa të përfytyroj se si mund të kishte qenë ajo kohë e shkuar. Duhet të kishte qenë tamam ashtu siç e kishte shkruar Faiku: “Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botiçelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtëri të ëmbël”. (Nga libri “Faik Konica – Jeta në Uashington” Ilir Ikonomi)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button