Drama Queen

Drama e djeshme në parlament na kujtoi edhe një herë ku ishim vitin e kaluar dhe nëpër çfarë kemi kaluar këto 11 vite. Hipokrizia e mbretëreshës së dramës, Gruevskit, qëndron në faktin që Ligji për përdorimin e gjuhëve nuk u soll për të parën herë dje në Parlament. Paraprakisht, një ligj i ngjashëm me të u soll në vitin 2008 dhe u ndryshua në vitin 2011. Atëherë në fakt do të duhej të ishte drama e vërtetë e natyrës së djeshme, sepse për herë të pare me ligj u rregullua (edhe pse në mënyrë joadekuate) përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe. Por ata që e kujtojnë atë seancë të Parlamentit nga viti 2008 e mbajnë mend që nuk kishte asgjë dramatike aty. Opozita nuk ishte në parlament. Ligji atëherë kaloi për 3 minuta dhe 33 sekonda. Kur i njëjti u kthye në rivotim sepse Kryetari i atëhershëm i shtetit, Cërvenkovski, refuzoi ta nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit, kishte një lloj debati në Parlament kur opozita ishte prezente, por e njëjta ishte larg asaj që kishim sot, dhe shumë, shumë larg 35.000 amendamenteve të VMRO së lidhur me ligjin e vitit 2018.

Arroganca e djeshme e Gruevskit kishte për qëllim të acarojë situatën dhe të shkaktojë trazira në Parlament. Në këtë mënyrë ligji nuk do të votohej ose do të kontestohej votimi i tij. Për më tepër, qëllimi i tij i vërtetë ishte të tregojë se demek ai qenka patrioti i vërtetë, që e mbron shtetin nga federalizimi dhe shkatërrimi, patrioti që është i akuzuar për vjedhje eklatante të buxhetit dhe keqpërdorime tjera të rënda të po atij shteti që ai pretendon se është duke e mbrojtur. Nuk i kaloi. Ligji u soll sepse Kryeparlamentari Talat Xhaferi vendosi të tregojë maturi dhe të përmbahet në lidhje me provokimet e rënda që i bëheshin. Vendosi ti shumëzoje me zero këto provokime dhe ta bëjë punën që kishte për detyrë ta bëjë, të sigurojë mbarëvajtjen e asaj seance të rëndësishme parlamentare. Me këtë tregoi dinjitet shumë më të madh se sa ti kishte rënë nja dy grushte shefit në hije të opozitës. Sepse në fund të ditës, injorimi i provokimit është grusht shumë më i fortë se sa grushti fizik ndaj tij. Mundeshe bile edhe t’i buzëqeshë në fytyrë kur i tha: “Të lutem zbrit poshtë, se nuk mund të më bësh asgjë”.

Dhe shumë shpejt do të vijë dita kur të gjithë do e kuptojnë se sa e panevojshme ishte drama e djeshme në Parlament, sa e pavend është frika që përhapet për gjoja rrezikun e përhershëm që vjen nga shqiptarët në këtë shtet. Shumë shpjet të gjithë do e kuptojnë se rreziku i vërtetë në këtë vend janë kriminelët, pavarësisht nga cila parti vijnë ata, ata e rrezikojnë ekzistencën e secilit prej nesh në këtë nënqiell. Shpresoj shumë shpejt të fillojmë të merremi seriozisht me ata, me përgjegjësinë penale të gjithsecilit të involvuar në krim, sepse euforia që krijohet në të dyja anët lidhur me temat e përhershme dhe të pafundme etnike nuk do të zgjasë përgjithmonë. Ndaj, tani që u votua përfundimisht Ligji i gjuhëve, shpresoj që të krijohen kushtet të fillojë ndjekja e kriminalitetit, e gjithë atij kriminaliteti që e solli shoqërinë në buzë të greminës së vetëzhdukjes.

Në gjithë këto vite dhe procese një figure do të mbetet e skalitur në historinë e turpit. Kjo është figura e personit që për 9 vite me radhë e quajmë Shef të shtetit, Ivanov. Do të mbahet mend ky person që në cilësinë e Kryetarit të shtetit bëri shkeljet më eklatante kushtetuese gjatë mandatit të tij dhe kaloi pa u dënuar. Po po shkelje kushtetuese edhe atë eklatante, shumë të tilla. Për shembull, para më pak se dy vitesh ai ndërhyri në punën e gjyqësorit dhe u mundua të pengojë ndjekjen e penale për krime të rënda duke dhënë faljet e tija të kundërligjshme dhe skandaloze. Në vend që të shkarkohet nga detyra dhe të ndiqet penalisht për këtë veprim ndërsa faljet të shpallen të paligjshme, ashtu siç në fakt ishin, atij iu krijua mundësia ligjore për të tërhequr faljet sipas qejfit të tij, duke mbindërtuar nenin e ligjit i cili ishte fshirë vite më parë dhe si i tillë nuk ekzistonte. Më vonë, Ivanov serish e shkeli Kushtetutën kur nuk ia dha mandatin personit që arriti të krijojë shumicën parlamentare të nevojshme për krijimin e qeverisë dhe me këtë kontribuoi në mënyrë direkte në ngjarjet kriminale të 27 prillit, kur për pak sa nuk hymë në luftë qytetare. Vazhdoi Presidenti jo i nderuar me punën e tij edhe pasi e solli shtetin në buzë të shkatërrimit, dhe kur u votua Ligji i gjuhëve në Parlament, vendosi të mos e nënshkruajë Dekretin e shpalljes së të njëjtit (kjo është e drejta e tij kushtetuese). Por nuk u mjaftua me kaq, dhe shkoi më tej: e shpalli ai, dora vet, Ligjin e gjuhëve për kundërkushtetues (gjë që nuk është kompetencë e tij sipas Kushtetutës). Mori rolin e Gjykatës Kushtetuese e cila ka ekskluzivitetin të shpallë se një ligj është kundërkushtetues ose jo. Dhe përfundimisht, pas votimit të dytë të ligjit në Parlament, ai dje doli me deklaratë se nuk do e nënshkruajë Dekretin as tani (edhe pse ky është obligim direkt kushtetues i tij) sepse kështu nuk udhëhiqeshka shteti! Ky person që i bëri të gjitha këto, përfundimisht merr të drejtën të tregojë si nuk udhëhiqeshka shteti. Kulmi i hipokrizisë!

Shpresoj që dita e bartjes së përgjegjësisë penale do të vijë. Vetëm bartja e një përgjegjësie të tillë do të vendosë drejtësi për personat si Ivanov dhe disa të tjerë që mendojnë se janë mbi ligjin dhe se ligjet nuk vlejnë për ata. Ai do të jetë momenti i festës së vërtetë. Çdo festë paraprake, pa një përgjegjësi të tillë, do të mbetet gjysmake dhe e paplotë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button